Postuar më: 24/06/2019

Ministrja Denaj fton sipërmarrjet suedeze të investojnë në Shqipëri

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, së bashku me Zv.Ministrin Elton Haxhi dhe Zv.Ministrin e Punëve të Jashtme, z. Sokol Dedja, morën pjesë në Konferencën e Nivelit të Lartë të Ballkanit Perëndimor në Stokholm, organizuar nga Ministrja e Jashtme e Suedisë Znj. Wallström dhe Ministrja për Tregun e Jashtëm, Znj. Linde, me pjesëmarrjen e Drejtoreshës në Komisionin Evropian Znj. Calavera. Qëllimi i kësaj konference ishte diskutimi rreth zhvillimeve politike dhe ekonomike, dhe procesi i integrimit në Bashkimin Evropian. Ky debat vjen menjëherë pas publikimit të raportit të KE për Ballkanin Perëndimor, i cili rekomandon hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Gjatë takimit me Business Sweden, Kompani Suedeze dhe përfaqësues të KE, Ministrja Denaj prezantoi potencialin ekonomik që ofron vendi ynë, duke vendosur theksin tek sektorët kyç për të investuar dhe mbështetur financiarisht siç janë industria e turizmit, bujqësia, infrastruktura, ndërtimi dhe energjia.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë bëri një prezantim të zhvillimeve kryesore ekonomike në vitet e fundit, duke theksuar se Shqipëria ofron një ambient të favorshëm për investitorët e huaj, ku përmirësimi i klimës së biznesit është konstatuar edhe nga institucione ndërkombëtare. Ekonomia është vlerësuar e qëndrueshme nga institucione prestigjioze financiare si S&P dhe Moody’s, me një rritje graduale të parashikuar në nivelin e 4.2 % sipas Bankës Botërore. Papunësia në vitin 2018 shënoi ulje në shifrën 12.3 %, ndërsa pjesëmarrja në forcën e punës arriti 59.6 %, një rekord në rajon.

Një vëmendje të veçantë në fjalën e saj, Ministrja i kushtoi arsimit dhe trajnimit profesional për sigurimin e një fuqie punëtore të kualifikuar dhe në përputhje me nevojat e tregut të punës. Aktualisht në vend ka 35 shkolla të arsimit profesional, 86 profile profesionale, ku çdo vit regjistrohen 5 mijë studentë, e ku rreth 5 mijë studentë diplomohen çdo vit në degë si turizmi, IT, mekanika, elektronika, etj. Aktualisht ofrohen 50 kurse të trajnimit profesional ku marrin pjesë rreth 15 mijë persona.

Deregulimi dhe dixhitalizimit kanë shkurtuar procedurat dhe kanë eleminuar burokracitë, si dhe kanë lehtësuar marrjen e shërbimeve ndaj biznesit dhe tatimpaguesve me aplikimet online për të paktën 96 licenca, nga 107 që ofrohen në total.

Ministrja Denaj paraqiti në përmbyllje fushat me prioritet për zhvillim në Shqipëri, duke përmendur dhe lehtësitë përkatëse që ofrohen.

Në fushën e turizmit Shqipëria ofron një sistem taksimi tepër të favorshëm dhe incentiva fiskale, si TVSH 6 % për strukturat akomoduese apo përjashtim nga taksat për Hotelet me 5 yje, si dhe potencial për zhvilimin e Marinave.

Lehtësira fiskale ofrohen edhe për investimet në Zonat e Lira Ekonomike, ku zhvilluesit dhe përdoruesit përjashtohen 50 % nga norma e tatim fitimit për një periudhë 5 vjeçare, përjashtohen nga taksa e infrastrukturës, etj.