Postuar më: 27/05/2019

Ministrja Denaj: Fasonët, prioritet në rimbursimin e TVSH-së

Angazhimi i qeverisë për të shtuar ndjeshëm rimbursimin e TVSh-së pritet të arrijë ritmet normale brenda këtij tremujori dhe nisur nga muaji korrik normalizohen pagesat e rimbursimeve disa kategori biznesi, duke i bërë ato në mënyrë periodike. Kështu u shpreh Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, gjatë një  vizite në një sipërmarrje fasonësh që zhvillon aktivitetin ekonomik në qytetin e Beratit, Center Shqiptar dhe INTEXT.

Gjatë kësaj vizite, Ministrja Denaj është njohur nga afër me zhvillimin e këtij biznesi dhe me sfidat që kjo sipërmarrje has në aktivitetin e saj.

Së fundmi, kompania ka përfituar nga rimbursimi i TVSH-së, duke lehtësuar në këtë mënyrë veprimtarinë e saj ekonomike.

Ministrja Anila Denaj shprehu angazhimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për të paguar të gjithë rimbursimet e prapambetura në një kohë sa më të shpejtë dhe informoi se, vetëm në vetëm në muajt e parë të vitit 2019 janë paguar afro 12 milion dollarë, apo 28 për qind më shumë rimbursime se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

“Në këto 5 muaj ne kemi paguar 12 milionë dollarë më shumë se sa 5 muajt e vitit 2018 dhe besoj se deri në fund të qershorit do të kemi mbyllur të gjithë vonesat për fasonët, për grumbulluesit dhe eksportuesit, në një prioritet që i dhamë me pagesat e TVSH-së për secilën nga këto industri dhe për të gjithë bizneset të monitoruar dhe nga niveli qëndror ministrisë”, u shpreh Denaj, ndërsa theksoi se duke nisur nga muaji korrik synohet normalizimi i pagesave të rimbursimeve të TVSh për këto kategori biznesi duke i bërë ato në mënyrë periodike;

Kompania Center Shqiptare dhe Intext ushtron aktivitetin ekonomik në sektorin fason që prej 20 vjetësh, duke patur një impakt të jo pak të vogël në nxitjen e punësimit në rajonin e Beratit. Kjo kompani ka një numër të konsiderueshëm punonjësish dhe planifikon zgjerimin edhe me 1 mijë të tjerë në të ardhmen. Një ndër çështjet që drejtuesit e kompanisë ngritën në diskutimet me Ministren e Financave dhe Ekonomisë ishte ajo e trajnimeve profesionale për një fuqi punëtore më të kualifikuar.