Postuar më: 30/04/2019

Ministrja Denaj: Bashkëpunim shtet-punëdhënës-punëmarrës për garantimin e sigurisë në punë

Këshilli Kombëtar i Punës zhvilloi sot mbledhjen e tij të radhës, të parën për vitin 2019, nën drejtimin e Ministres së Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj.

Të pranishëm në këtë mbledhje ishin dhe Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, z. Eduard Shalsi, Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, z. Blendi Klosi, Zv.Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Bardhylka Kospiri, Zv.Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Ilir Bejtja, etj.

Mbledhja e Këshillit përkoi me 100 vjetorin e krijmit të Organizatës Ndërkombëtare të Punës dhe Ditën Ndërkombëtare të Sigurisë në Punë.

Gjatë fjalës së saj, Ministrja Denaj i kushtoi një vëmendje të veçantë çështjes së sigurisë në punë dhe u shpreh se krijimi i kushteve të favorshme për sigurinë e punonjësve është një domosdoshmëri, për të patur një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.

“Shëndeti dhe siguria në punë e punonjësve mbetet një detyrim për çdo kompani private e publike dhe vëmendja jonë, veçanërisht e Inspektoriatit të Punës, do të mbetet përmirësimi i kushteve dhe standardeve që garantojnë sigurinë maksimale për punonjësit”, u shpreh Denaj.

Gjatë vitit 2019, theksoi Ministrja Denaj, “vëmendja do të jetë te përmirësimi i marrëdhënies me biznesin dhe ndërgjegjësimi për vëmendje ndaj sigurisë së shëndetit të punëmarrësit dhe kushteve të punës, sigurimin e transparencës në vendimmarrje dhe rritjen profesionale të inspektorëve”.

Garantimi i kushteve dhe sigurisë në punë ka qenë në fokus edhe gjatë vitit 2018, ku nga ana e Inspektoriatit të Punës janë kryer 12 297 inspektime, nga 7 958 inspektime që janë kryer në 2017, pjesa më e madhe e të cilave kanë qenë të programuara, ndërsa një pjesë jashtë programi.

Një tjetër çështje që Ministrja trajtoi gjatë fjalës së saj ishte dhe punësimi, si një ndër faktorët që ndikon në rritjen ekonomike të vendit.

Raporti i Bankës Botërore për punësimin konstatoi se Shqipëria ka rritjen më të madhe të punësimit në masën 3.3%, tre herë më e lartë se ajo e rajonit, sikurse dhe rritjen më të lartë në paga në masën 6.6%. Norma e punësimit në Shqipëri në nivelin 60 % është më e larta në rajon, ndërsa papunësia në vend ka arritur në pikën më të ulët në masën 12.4%.

Edhe pse raporti përmend se informaliteti ka trend rënës, Ministrja Denaj tha se lufta ndaj informalitetit do të mbetet një angazhim madhor për Qeverinë Shqiptare.

“Siguria në punë, respektimi i ligjit në deklarimin punëmarrësve si dhe një bashkëpunim mes aktorëve shtet-punëdhenës-punëmarrës, do të siguronte zhvillimin e një shoqërie, sipërmarrrje dhe ekonomi të qëndrueshme’, tha Ministrja.

Fjala e plotë Ministres Anila Denaj në Këshillin Kombëtar të Punës:

Përshëndetje të gjithëve,

Kjo është hera e parë për mua që drejtoj Mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Punës, prandaj në rradhë të parë më lejoni t’ju falënderoj që jeni sot prezent në këtë tryezë, e cila ka një rëndësi dhe kontribut të veçantë në çështje të rëndësishme që lidhen me punësimin dhe sigurinë në punë.

Tematikat e diskutimeve të sotme jo pa qëllim janë Dita Ndërkombëtare e Punës, 100 vjetori i krijimit të Organizatës Ndërkombëtare të Punës – ILO, dhe Dita Ndërkombëtare e Sigurisë në Punë.

Tashmë, ashtu siç e dimë të gjithë, një vëmendje të rëndësishme Qeveria i ka kushtuar Punësimit, ku përmirësimet në legjislacion, ndërgjegjësimi i sipërmarrjes dhe vetë punëmarrësve për të rritur standardet dhe sigurinë në punë tashmë janë pjesë e pandarë e strukturave tona.

Ky është takimi i parë i Këshillit Kombëtar të Punës për vitin 2019. Një vit i veçantë për mbarë botën e punës dhe për Organizatën Ndërkombëtare të Punës-ILO, pjesë e OKB, pasi sivjet ILO mbush plot 100 vjet nga dita e themelimit, fill pas përfundimit të Luftës I Botërore, në kuadër të bisedimeve të paqes në Versajë, më 11 prill 1919.

100 vite përpjekje për “Drejtësi sociale – pasi vetëm kjo është baza për një paqe të qëndrueshme.” Ky postulat ka qenë një nga bindjet themelore të ILO-s i mishëruar në të gjithë veprimtarinë e saj.

Në vitin 1969, Organizata Ndërkombëtare e Punës mori çmimin Nobel për Paqe. Me një strukturë unike trepalëshe, ku përfaqësuesit e organizatave të punëmarrësve dhe punëdhënësve në nivel kombëtar diskutojnë në mënyrë të barabartë me qeveritë e shteteve anëtare, ILO ka shërbyer si shembull global për vendosjen e standardeve ndërkombëtare të punës dhe ka ndihmuar qeveritë, sindikatat dhe organizatat e punëdhënësve në nivel kombëtar për hartimin e politikave dhe programeve që promovojnë Punë të Denjë për të gjithë gratë dhe burrat.

Shqipëria është vend anëtar i ILOs që nga viti 1920 deri më 1967 dhe është përsëri anëtare që nga viti 1991. Duke përfituar mbështetje teknike në ngritjen e kuadrit ligjor dhe strukturave shtetërore që lidhen me çështjet e punës, marrëdhëniet dhe dialogut trepalësh Qeveri – punëdhënës – punëmarrës. Që nga viti 2002, përmes një prezence të qëndrueshme në Shqipëri, ILO ka mbështetur Programet e Punës së Denjë. Programi aktual i Punës së Denjë 2017-2021 fokusohet në krijimin e vendeve të punës përmes një mjedisi mundësues për sipërmarrje të qëndrueshme, mbrojtjen sociale dhe përmirësimin e dialogut social dhe kushteve të punës. E natyrisht një vëmendje e veçantë i është kushtuar dhe vazhdon t’i kushtohet forcimit të mëtejshëm të Këshillit Kombëtar të Punës, si forumi më i rëndësishëm i dialogut social në vend.

Në këtë 100 vjetor të themelimit të ILO-s, Qeveria Shqiptare i shpreh mirënjohjen Organizatës Ndërkombëtare të Punës, për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Shqipërisë në fushën e çështjeve të punës si dhe aspekteve të tjera që lidhen me të drejtat në punë dhe i uron suksese të mëtejshme në përmbushje të misionit të saj.

Gjithashtu, duke qënë se ky takim përkon edhe me Ditën Ndërkombëtare të Sigurisë në Punë, më lejoni të ndaj me ju disa shifra.

Në vitin 2018, nga Inspektoriati i Punës janë kryer 12 297 inspektime, nga 7 958 inspektime që janë kryer në 2017. Nga numri i inspektimeve të 2018, 11 354 inspektime kanë qënë të programuara, ndërsa 943 jashtë programi. Këtu theksojmë se, nga inspektimet e realizuara jashtë programimi; 49.5% të tyre e zënë inspektimet për shkak ankese, 17.2% inspektimet për shkak aksidenti në punë, dhe 33.3% e zënë inspektimet rastësore.

Në vitin 2018, janë 195 të aksidentuar në punë, pjesa më e madhe janë në ndërmarrjet e prodhimit, në miniera dhe sektori i ndërtimit. Ndërkohë, numri i inspektimeve në kompani për aksidente në punë është rritur në 162 nga 115 që ka qenë një vit me parë. Pra, fokusi i Inspektoratit është edhe te kjo pjesë e sigurisë dhe shëndetit në punë, drejt parandalimit të aksidenteve në punë.

Shëndeti dhe siguria në punë e punonjësve mbetet një detyrim për çdo kompani private e publike dhe vëmendja jonë dhe veçanërisht e Inspektoriatit të Punës, do të mbetet përmirësimi i kushteve dhe standardeve që garantojnë sigurinë maksimale për punonjësit.

Gjatë viti 2019, fokus do të jetë te përmirësimi i marrëdhënies me biznesin dhe ndërgjegjësimi për vëmendje ndaj sigurisë së shëndetit të punëmarrësit dhe kushteve të punës, sigurimin e transparencës në vendimmarrje, rritjen profesionale të inspektorëve, e të gjitha së bashku, për t’i shërbyer rritjes së nivelit të zbatueshmërisë së ligjit.

Gjithashtu, do të jemi të gjithë të angazhuar për të diskutuar me të gjithë grupet e interesit, për të arritur zgjidhje për çdo problematikë. Kësaj i ka shërbyer më së miri edhe Platforma e Bashkëqeverisjes, e cila ka sjellë në vëmendjen tonë jo pak raste të cilat kanë marrë zgjidhjen e duhur jo vetëm për persona të veçantë, por edhe për grupe të ndryshme interesi.

Nga ana tjetër, punësimi është një ndër faktorët që ndikojnë në rritjen ekonomike të vendit. Përtej statistikave tona, certifikimi që bëri Raporti i fundit i Bankås Botërore për punësimin në vendin tonë, tregoi edhe një herë se politikat tona nxitëse janë në drejtimin e duhur.

Raporti konstatoi se Shqipëria është vendi me punësimin më të madh në Ballkan, ku nga 68 mijë të punësuar më shumë në të gjithë rajonin, Shqipëria ka kontribuar me 38,700 të tillë. Kjo falë edhe kontributit mbresëlënës të Zyrave të Punës dhe programeve të nxitjes së punësimit.

Sipas raportit, Shqipëria ka rritjen më të madhe të punësimit në masën 3.3%, tre herë më e lartë se ajo e rajonit, sikurse dhe rritjen më të lartë në paga në masën 6.6%. Norma e punësimit në Shqipëri në nivelin 60 % është më e larta në rajon, ndërsa papunësia në vend ka arritur në pikën më të ulët në masën 12.4%.

Edhe pse raporti përmend se informaliteti ka trend rënës, lufta ndaj informalitetit do të mbetet një angazhim madhor për Qeverinë Shqiptare në vijimësi të mandatit. Për të patur një zhvillim ekonomik më të qëndrueshëm, vlerësoj se duhet të krijojmë kushte të favorshme për sigurinë e punonjësve, si një domosdoshmëri.

Rritja e numrit të atyre që kanë përfituar nga formimi profesional në kurse të ndryshme trajnimi, që tashmë përshtaten me kërkesat e tregut të punës, janë një mekanizëm i fuqishëm për rritjen e punësimit dhe përgatitjen e burimeve të kualifikuara të punës.

Siguria në punë, respektimi i ligjit në deklarimin punëmarrësve si dhe një bashkëpunim mes aktorëve shtet-punëdhenës-punëmarrës, do të siguronte zhvillimin e një shoqërie, sipërmarrrje dhe ekonomi të qëndrueshme.

Faleminderit !