Postuar më: 16/09/2019

Ministrja Anila Denaj viziton shkollën e mesme teknike ekonomike në Korçë

Denaj: Riorganizim i shkollave profesionale sipas kërkesave të biznesit dhe tregut të punës

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, zhvilloi sot një vizitë në shkollën e mesme teknike ekonomike “Isuf Gjata” në qytetin e Korçës. Me rastin e nisjes së vitit të ri mësimor 2019-2020, Ministrja Denaj shprehu urimet e saj për nxënësit dhe mësuesit e kësaj shkolle, me të cilët bashkëbisedoi mbi problematikat dhe sfidat e arsimit profesional në qytetin e Korçës.

Ministrja Denaj tha se qeveria ka rritur mbështetjen për arsimin profesional dhe në 4 vitet e fundit janë investuar rreth 4 miliardë lekë në këtë drejtim. Aktualisht janë 35 shkolla të arsimit profesional në të gjithë Shqipërinë, me një numër total nxënësisht prej 19.300, nga 14.300 që ishin para katër vjetësh, ndërkohë që rreth 65 % e nxënësve në arsimin profesional integrohen në tregun e punës që vitin e parë pas përfundimit të shkollës.

Duke pasur parasysh nevojën e bizneseve për forcë punëtore, e cila është e ndryshme në rajone të ndryshme të vendit, Ministrja informoi se aktualisht Ministria e Financave dhe Ekonomisë po punon për një riorganizim të arsimit profesional në vend. Në zbatim të ligjit për nxitjen e punësimit, të miratuar këtë vit, do të krijohet Agjencia që do të bashkojë Zyrat e Punës me shkollat profesionale, e cila do të bashkërendojë nevojat e biznesit për fuqi punëtore, në sektorë të ndryshëm, dhe arsimimin e tyre në mënyrë strategjike afatmesme.

Ministrja Denaj vuri theksin në një bashkëveprim më të mirë me biznesin mbi nevojat e tij në një afat 5 vjeçar, në mënyrë që këto nevoja të orientojnë organizimin e shkollave profesionale.  “Ka ardhur të koha të shikojmë një koncept tjetër më universal, një bashkërendim të gjithë drejtimeve profesionale, për t’i grupuar dhe për të parë efektivitetin më të mirë të tyre dhe një përfitueshmëri më të mirë, sepse ndoshta biznesi e kërkon një qasje të tillë. Objektivi është që të bashkërendojmë gjithë energjitë, edhe së brendshmi, edhe të mesuesve, por mbi të gjitha bashkërendimin tonë me biznesin. Ne nuk mund të prodhojmë nxënës në të ardhmen që tregu i punës nuk i merr. Pra, të dimë se çfarë do biznesi, të dimë se ku do të shkojë Korça pas 4-5 vjetësh në sektorë të caktuar dhe ne të kemi mundësi të adresojmë nevojat për arsim profesional siç duhet. Kjo është arsyeja pse krijohet Agjencia, si dhe për një orientimin më të mirë të nxënësve nga Zyrat e Punës, që të ketë penetrim sa më të madh në tregun e punës”, u shpreh Ministrja Denaj.

Shkolla e mesme teknike ekonomike “Isuf Gjata” në Korçë ofron aktualisht 6 drejtime studimi, si ekonomi- biznes, hoteleri-turizëm, teknologji-ushqimore,etj. Ministrja pohoi se Korça, ashtu si edhe shumë rajone të tjera të vendit, ka mundësi për rritjen e numrit të nxënësve që ndjekin arsimin profesional dhe për këtë duhet më shumë ndërgjegjësim mbi avantazhet që ai ka, ndërsa duhet punuar vazhdimisht për rritjen e cilësisë së mësimdhënies.