Postuar më: 11/01/2022

Ministria e Financave dhe Ekonomisë i bën thirrje biznesit të bëhet pjesë e Fiskalizimit

Reforma e Fiskalizimit mbetet një ndër prioritetet kryesore të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për vitin 2022.

Në kuadër të ecurisë së zbatimit të kësaj reforme, informojmë se numri i tatimpaguesve të Fiskalizuar që kanë lëshuar fatura në total nga 1 Janari i vitit 2021 e deri më sot është 66.458, ndërkohë që numri i faturave tё fiskalizuara ёshtё 156,763,398, në zbatim të ligjit Nr.87/2019 “Për Faturën dhe Sistemin e Monitorimit të Qarkullimit”, i ndryshuar. Nga kjo shifër, fatura nё total tё lëshuara nga Biznesi i Madh janë 123,870,722, ndërsa nga Biznesi i Vogël 32,892,676.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë u bën thirrje të gjithë tatimpaguesve që të bëhen pjesë e procesit të Fiskalizimit dhe të përshtatin sistemet sipas kërkesave ligjore.

Gjithashtu, sjellim në vëmendje se deri në datën 30 Qershor 2022 nuk do të aplikohen penalitete që rrjedhin nga zbatimi i ligjit Nr.87/2019 “Për Faturën dhe Sistemin e Monitorimit të Qarkullimit”, i ndryshuar, për disa kategori tatimpaguesish.

Qëllimi është dhënia e kohës së mjaftueshme për bizneset që të ngrenë, të përshtatin dhe të familjarizohen me lehtësi e sa më mirë me procesin e ri të fiskalizimit

Ndërkohë, qasja do të vijojë të jetë edukuese dhe këshilluese, me qëllim rritjen e efektivitetit të procesit, zbatimin e plotë dhe raportimin në kohë reale.