Postuar më: 25/07/2019

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, 300 vende të lira për kryerjen e praktikave të punës

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, mori pjesë sot në takimin e zhvilluar me studentë që kryejnë praktikën e punës në administratën publike, së bashku me Ministren e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, znj. Besa Shahini.

Ministrja vlerësoi Programin Kombëtar të Praktikave të Punës si një mundësi shumë e mirë për të rinjtë në integrimin e tyre në tregun e punës dhe bëri me dije se Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka shpallur rreth 300 vende të praktikave të punës për studentët e sapodiplomuar, për të cilat ata mund të aplikojnë.

“Ju ftoj për vendet vakante që ne kemi së fundmi në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe i kemi lançuar. Janë të paktën 200 vende të praktikave që fillojnë nga 1 Gushti, në të gjithë Shqipërinë, për t’iu bashkuar Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, sikurse dhe 100 vende për t’iu bashkuar Inspektoriatit të Punës. Pra, kemi 300 praktika si mundësi, duke filluar nga 1 Gushti”, u shpreh Ministrja Denaj.

Vetëm në 6 muajt e fundit, 119 të rinj i janë bashkuar Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë në kuadër të programit të praktikave të punës. Ndërkohë, MFE ka vendosur që rreth 10 % e punonjësve të saj dhe institucioneve të varësisë të rekrutohen nga radhët e studentëve ekselentë.

Ministrja shprehu angazhimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për të ndërlidhur akoma më tej nevojat e tregut të punës me kërkesat e të rinjve për tu punësuar.

“Mbështetja e studentëve është prioritet dhe mënyra se si ne arrijmë efektivitetin janë ato që ne po ndjekim sot. Dua edhe njëherë të theksoj që kjo do të jetë në fokus dhe do të jetë absolutisht edhe në ndjekje të vazhdueshme nga të gjithë ne”, u shpreh znj. Denaj.