Postuar më: 01/04/2014

Ministri Cani sqaron zhvillimet e fundit te Këshilli Konsultativ

Në mbledhjen e tretë të radhës, me këshillin konsultativ, ministri i Financave, z.Shkëlqim Cani prezantoi disa nga zhvillimet e fundit, që lidheshin me:

 

·         Kodin e ri Doganor

 

·         Projektligji i TVSH

 

·         Kredia 331 milionë Euro e FMN

 

·         Ecuria e pagesave të vonuara

 

Risitë e Kodit Doganor u prezantuan nga Drejtorja e Përgjithshme e Doganave, znj.Elisa Spiropali. Dy projektet e para vijnë si nevojë e përputhshmërisë me standardet e BE, e lehtësive për biznesin, qartësimit të rregullave, përshtatjes me realitetin e ri ekonomik (Ligji i TVSH po ndryshon pas 20 vitesh!), etj.

 

Për kredinë me FMN-në, ministri theksoi se paratë do të shkojnë për të shlyer faturat e vjetra, të papaguara prej vitit 2005, si për investime, shpenzime për shërbime ashtu edhe për rimbursimin e TVSH. Detyrimet që shteti u ka bizneseve dhe individëve është rreth 720 milionë dollarë. Për vitin 2014 parashikohen të paguhen më shumë se gjysma, rreth 350 milionë dollarë. Ky operacion do t’i sjellë frymëmarrje ekonomisë, investitorëve, bankave, për rrjedhojë edhe familjeve shqiptare, në aspektin e punësimit, pagave, likuiditetit, etj.

 

Deri më tani janë kryer rreth 120 milionë dollarë pagesa të faturave të prapambetura (30 milionë janë paguar në dhjetor 2013), shtoi ministri.

 

Këshilli konsultativ përbëhet nga grupe të interesit, shoqëri civile, media, ekonomistë, etj. Në dy mbledhjet e para janë prezantuar ndryshimet ligjore të paketës fiskale dhe buxhetit 2014 si dhe strategjia e shlyerjes dhe parandalimit të borxhit.

Të rejat e fundit