Postuar më: 03/02/2015

Ministri Cani nënshkruan 17 milionë euro për Bypass-in e Vlorës

Sot në ambientet e Ministrisë së Financave, u nënshkrua marrëveshja e Grantit mes qeverisë shqiptare dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për kryerjen e punimeve për ndërtimin e by-pass-it të Vlorës. Granti në shumën 17 milionë euro akordohet nga Komuniteti Europian dhe lëvrohet nëpërmjet BERZH, i cili është një ndër partnerët tanë kryesorë në zhvillimin e sektorit të infrastrukturës. Marrëveshja u nënshkrua për palën shqiptare nga ministri i Financave, z. Shkëlqim Cani dhe për BERZH nga drejtori për Ballkanin Perëndimor, z. Holger Muent. Në ceremoni morri pjesë edhe ministri i Transportit dhe Infrastukturës, Edmond Haxhinasto, si dhe z .Christoph Denk, Drejtori i Zyrës së BERZH, në Tiranë.

 

Objektivi i ndërtimit të këtij by-pass-i është rritja e shpejtësisë në lëvizje, çlirimi i trafikut, sidomos gjatë sezonit turistik, rritja e komoditetit dhe sigurisë në rrugë e lëvizje, si dhe përmirësimi i situatës ambientale të qytetit të Vlorës.

Realizimi i këtij objekti bashkë-financohet gjithashtu edhe nga:

-hua e BERZh në vlerën 18 milionë euro (për financimin e punimeve);

-hua e Bankës Europiane të Investimeve (BEI) në vlerën 18 milionë euro (për financimin e punimeve);

-grant i Komunitet Europian në vlerën 3.4 milionë euro (për përgatitjen e projektit të detajuar, dokumenteve të tenderit dhe  mbikëqyrjen e punimeve);

-kontributi i Qeverisë Shqiptare në vlerën 8.6 milionë euro (që konsiston në blerjen e truallit dhe pagesën e të gjitha taksat që lidhen me ndërtimin e by-pass-it).

Realizimi i këtij projekti, si nyje lidhëse me korridorin Veri – Jug, është  tepër i rëndësishëm për zhvillimin e Shqipërisë Jugore, zhvillimin industrial, turizmin dhe me impakt në bujqësi për transportin e prodhimeve vendase.

By-pass-i i Vlorës lidh autostradën Levan-Vlorë me rrugën nacionale bregdetare Vlorë-Sarandë, pjesa jugore e Vlorës. Gjatësia e këtij aksi është 29 km dhe fillon që nga rrethrrotullimi në fund të autostradës Levan-Vlorë.

Projekti do të zbatohet nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, nëpërmjet Autoritetit Rrugor Shqiptar, dhe parashikohet të përfundojë në muajin mars 2017.

Të rejat e fundit