Postuar më: 28/04/2014

Ministri Cani, letër Prokurorit të Përgjithshëm për 192 kallëzimet

Ministria e Financave dhe institucionet në varësi të saj, të angazhuara në luftën kundër korrupsionit, si një nga prioritetet themelore të Qeverisë për forcimin e shtetit ligjor dhe mbrojtjen e interesave të taksapaguesve shqiptarë, kanë paraqitur në organet e prokurorisë 192 kallëzime penale për 569 autorë, të cilat i referohen veprave penale në fushën e shpërdorimit të detyrës, mashtrimit dhe fshehjes së detyrimeve tatimore, kontrabandës, ushtrimit të veprimtarive të pa ligjshme në fushën e lojërave të fatit, si dhe ato në fushën e pastrimit të parave.

 

Ministria e Financave dhe njësitë në varësi të saj, janë informuar nga organet e prokurorisë vetëm për 10 raste nga 192 gjithsej, ndër të cilat, përkatësisht, për 1 rast është njoftuar vendimi për mosfillim hetimi, për 2 raste është njoftuar pushimi i çështjes, si dhe 7 janë deleguar. Nga 192 kallëzime gjithsej, 65 prej tyre i takojnë kallëzimeve të paraqitura gjatë 3 mujorit të fundit të vitit 2013.

 

Për këtë situatë, Ministri Cani i ka dërguar këto ditë një letër Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ku shpreh shqetësimin për ecurinë ligjore të këtyre rasteve.

Të rejat e fundit