Postuar më: 02/02/2015

Ministri Cani: Duhet të zhdukim mosbesimin mes nesh. Së bashku kemi mundësinë ta luftojmë korrupsionin

Ministri i Financave, z.Shkëlqim Cani ishte sot i pranishëm në prezantimin e platformës kombëtare online për luftën kundër korrupsionit, nga ku ftoi të gjithë qytetarët të japin kontributin e tyre për sukses në luftën anti-korrupsion.

“ Në këto 16 muaj qeverisjeje ka rezultate të dukshme, të prekshme, të matshme, të institucioneve  në Ministrisë së Financave, në rastin konkret të dy institucioneve të tatimeve dhe doganave, por kurrë nuk kemi pasur iluzionin që duke e luftuar pa ndërprerje korrupsionin, rastet korruptive nuk ekzistojnë në të dy institucionet. Për këtë dhe jemi të kënaqur që tatimet dhe doganat janë pjesë e portalit, sepse duke qenë që qeveria ka një filozofi të re për marrëdhëniet me biznesin dhe biznesmenët, kuptohet që lufta pa kompromis ndaj korrupsionit është pjesë e kësaj filozofie. Për këtë arsye dhe, mbi të gjitha, për të gjitha arsyet që qëndrojnë pas luftës kundër korrupsionit, ne  ju ftojmë që të bëheni pjesëmarrës aktiv në këtë luftë kundër korrupsionit.

Lufta kundër korrupsionit nuk është me gjasme, nuk është një luftë e cila edhe bëhet, edhe s’bëhet. Duhet të zhdukim mosbesimin mes nesh. Ne së bashku e kemi mundësinë për ta luftuar korrupsionin. Nga ana jonë, si administratë e tatimeve dhe doganave, ofrojmë gadishmërinë për të luftuar korrupsionin. Së bashku, mbetet edhe pjesa e biznesit apo e të gjithë atyre që janë të interesuar, direkt apo indirekt, për një punë më të mirë në luftë kundër korrupsionit, të japin dhe ato kontributin e tyre për sukses në luftën anti-korrupsion”, u shpreh ministri Cani.

Ky portal do ndjekë në kohë reale të gjitha denoncimet, të cilat në mënyrë automatike do të përçohen njëkohësisht në katër kanale: Zyrën e Kryeministrisë, Ministrinë përkatëse, Departamentin kundër Korrupsionit, dhe zyrën operative të portalit – zyrë e ngritur enkas për të ndjekur të gjithë denoncimet që do të vijnë në  www.stopkorrupsionit.al.

Të rejat e fundit