Postuar më: 16/05/2016

Ministri Ahmetaj në Prishtinë, “Porti i Durrësit, ndalesa unike për eksportuesit nga Kosova, unifikim i procedurave për lehtësimin e tregtisë”

Ministri i Financave Arben Ahmetaj ka zhvilluar sot një vizitë zyrtare në Prishtinë, në kuadër të bashëpunimit me Ministrinë e Financave të Kosovës për nxitjen dhe lehtësimin e tregtisë mes dy vendeve.

Pas takimit të zhvilluar mes dy Ministrave në Tiranë, para dy javësh, takimi i Prishtinës, është sikundër e quajti Ministri Ahmetaj një takim përgatitor për Mbledhjen e Përbashkët të dy qeverive në 3 qershor, ku do të nëshkruhen dy marrëveshje bashkëpunimi mes dy Ministrave.

Në takimin mes dy delegacioneve, Ministri Hoti tha se bashkëpunimi intensive mes dy Ministrave duhet të shtrihet edhe në nivel teknik, me qëllim harmonizimin e procedurave që cojnë drejt unifikimit të tregjeve tona. Nga ana e tij Ministri Ahmetaj u shpreh se palët do të përgatisin një inventar të arritjeve të deritanishme, nismave në proces dhe propozimeve të reja së bashku me problematikat e ngritura nga sipërmarrja në të dy vendet.

“Kam kërkuar ofrimin e shërbimit doganor 24 orë në shtatë ditë të javës për eksportuesit” – tha Ministri Ahmetaj, gjë e cila sipas Ministrit Hoti ka pasur një impakt shumë pozitiv tek bizneset kosovare. Po kështu Ministri premtoi lehtësimin e procedurave për eksportin e perimeve të freskëta dhe produkteve të sezonit.

Palët ranë dakord gjithashtu për njohjen reciproke të të gjitha certifikatave dhe licencave të lëshuara nga autoritetet e shteteve përkatëse, ndërsa Ministri Ahmetaj parashtroi edhe disa propozime të reja.

Ai propozoi që Porti i Durrësit të kthehet në një port me procedura unike për eksportuesit nga Kosova, pra të jetë ndalesa e tyre e vetme në territorin shqiptar, duke shkurtuar kohën, ulur kostot dhe reduktuar ndjeshëm procedurat për sipërmarrjen.

“Për sa i përket produkteve sezonale, avanca në doganat shqiptare dhe doganën kosovare do të jetë nëpërmjet “korsisë së gjelbër” në mënyrë që të mos kemi asnjë pengesë dhe asnjë vonese në doganat tona” – u shpreh z. Ahmetaj.

Një tjetër propozim i Ministrit ishte avancimi i paketës së integrimit ekonomik rajonal, në një paketë konkrete për takimin e Parisit në kuadër të Procesit të Berlinit.

Në takimin me Ministrin Hoti, z. Ahmetaj ngriti shqetësimin e biznesve shqiptare të lidhur me tarifën në terminalin doganor të Kosovës, për të cilën Ministri Kosovar i Financave premtoi se së bashku me ekipin e tij, do të punohet për të ofruar shumë shpejt një zgjidhje në favor të sipërmarrjes.

Pas takimit Ministrat morën pjesë në Tryezën e përbashkët të dialogut me sipërmarrje të të dy vendeve, me temë “Të bëri biznes, sfidat e qasjes në tregjet respektive”.

Gjatë vizitës së tij në Prishtinë Ministri Ahmetaj pati një takim miqësor me Presidentin Thaci, ndërsa në mbyllje të vizitës, u takua edhe me Ministren e Ekonomisë dhe Tregtisë Hykmete Bajrami.

 

***

Fjala e Ministrit Ahmetaj në Konferencën e përbashkët për shtyp me Ministrin Hoti

 

Ashtu si dhe ministri Hoti përmendi listën e arritjeve dhe nuk janë bërë pak, ngelen akoma shumë për të bërë, për të realizuar konkretisht, praktikisht unifikimin e dy tregjeve dhe lehtësimin maksimal të procedurave tregtare dhe procedurave doganore . Me kënaqësi unë mund të përmend që tashmë dogana shqiptare dhe agjencitë doganore shqiptare janë të detyruara të punojnë 24 orë në funksion të shkëmbimeve dhe volumeve tregtare. Besoj se kjo zgjidh edhe atë problem  që kemi pasur mes dy vendeve për lëvizjen e mallrave, po i referohem mallrave të freskëta që koha e qëndrimit në doganë i dëmton cilësinë dhe sigurisht jep firo, por tashmë kjo është e zgjdhur.

Për sa i përket produkteve sezonale, avanca në doganat shqiptare dhe doganën kosovare do të jetë nëpërmjet “korsisë së gjelbër” në mënyrë që të mos kemi asnjë pengesë dhe asnjë vonese në doganat tona. Sigurisht që i përmenda ministrit edhe problemin e terminalit doganorë për në anën  kosovare që është një kosto shtesë për sipërmarrjet shqiptare dhe ministri më premtoi që se pas një analize të hollësishme do të marrë vendimet e veta të duhura.

Ndërkohë kam kënaqësinë të deklaroj që sëbashku me ministrin diskutuam një propozim që do ta konsiderojë të përbashkët, në fakt tashmë, që Porti i Durrësit të kthehet në porta e vetme , unike hyrëse për sipërmarrjen kosovare në kuptimin e kontrollit doganor. Që do të thotë që çdo sipërmarrje kosovare mjafton që të inspektohet, të kontrollohet, zhdoganohet në Portin e Durrësit dhe të ketë hyrje të drejtëpërdrejtë më pas drejt Kosovës,. në tregun kosovar. I takon administratave doganore të ulen dhe të diskutojnë detajet ligjore dhe teknike, por kjo ka për të qenë një ndihmesë shumë e madhe për sipërmarrjen kosovare, por edhe për rritjen e vlefshmërisë së Portit të Durrësit pse jo.

Ndërkohë kemi marrë sëbashku me ministrin një vendim, që të dy administratat të intensifikojnë takimet dhe të arrijnë shumë shpejt në një dakordësi për të lehtësuar në maksimum marrëdhëniet tregtare ndërkufitare, jemi duke folur për atë tregtinë e vogël , të prodhuesve të vegjël, në zonat dhe territorit shumë afër kufirit, 20-30 km, në mënyrë që ajo të bëhet shumë e thjeshtë, shumë e shpejtë dhe të ndihmojë ekonomitë e zonave dhe ekonomitë familjare të të dy anëve.

Ndërkohë duke ju referuar edhe  kërkesave të sipërmarrjes kosovare, që kanë rezidenca të përheshme në Shqipëri dhe sigurisht edhe këtu, dua ta ndaj me sipërmarrjen kosovare, por edhe sigurisht me atë shqiptare që jam i bindur do të marri lajmin nëpërmjet mediave,që qeveria shqiptare ka rënë dakord të mos ketë më asnjë lëvizje fiskale, pra taksash, në rritje. Pra e deklaroj se nuk do të ketë asnjë rritje taksash, përkundrazi do të ketë një stabilitet të sistemit dhe të ligjeve tatimore, e vetmja paketë që ne do të avancojmë do të jetë paketa e lehtësive procedurale që besoj se do të jetë gati në shtator të këtij vitit.

Falenderoj edhe njëherë ministrin edhe dy institucionet që na mirëpritën!

Të rejat e fundit