Postuar më: 09/05/2016

Ministrat Manjani dhe Ahmetaj, takim me Presidentin e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg

Një delegacion i nivelit të lartë, i kryesuar nga Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani dhe Ministri i Financave, z. Arben Ahmetaj zhvilluan sot një takim me Presidentin e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ), z. Guido Raimondi.

Ministrat e informuan z. Raimondi mbi ecurinë e zbatimit të ligjit të ri për trajtimin e pronës. Gjatë diskutimit u paraqitën me hollësi të gjitha angazhimet administrative, ligjore dhe financiare të shtetit shqiptar për zgjidhjen e drejtë të çështjes së pronës në Shqipëri.

Ministri Manjani u shpreh se “ka nevojë të kemi një bashkëpunim nga Gjykata, duke marrë në konsideratë faktin se tashmë ka një Ligj që ofron mekanizmin e munguar për trajtimin e kësaj çështjeje në Shqipëri”. Në këtë kontekst u kërkua që në bazë të artikullit 38.1 të Statutit të Gjykatës, të pezullohet shqyrtimi i mëtejshëm i çështjeve në pritje në këtë gjykatë.

Ministri i Financave, z. Arben Ahmetaj shprehu shqetësimin lidhur me efektet e rënda buxhetore të vendimeve të dhëna nga GJEDNJ. “Qeveria është përpjekur të ofrojë një zgjidhje të drejtë dhe proporcionale, pa dëmtuar interesat e brezave që do vijnë. Për 10 vitet e aplikimit të Ligjit, në buxhetin e shtetit do të ketë një zë me vete, ku do të alokohen fondet për këtë çështje” – tha Ministri, ndërsa përsëriti kërkesën për pezullimin e vendimeve për të krijuar hapësirat e nevojshme për implementimin e Ligjit.

Nga ana e tij Presidenti i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriu shprehu konsideratën se është e rëndësishme që të ketë harmoni ndërmjet respektimit të të drejtës së pronës me interesin publik të atyre që paguajnë.

Gjatë takimit është shprehur edhe gjyqtari z. Ledi Bianku. Ai u ndal në çështjen e reformës gjyqësore në Shqipëri, duke theksuar se kjo reformë duhet të marrë në konsideratë disa aspekte, të cilat janë konstatuar nga GJEDNJ në vendime të ndryshme të dhëna për Shqipërinë.

Të rejat e fundit