Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Autoriteti i Mediave Audivizuale nënshkruan një Marrëveshje Bashkëpunimi mes dy institucioneve.
Marrëveshja, e cila u nënshkrua nga Ministrja Anila Denaj dhe nga kryetari i AMA-s, Gentian Sala, synon të sigurojë mbrojtje më të mirë të interesit të përgjithshëm publik dhe veçanërisht të interesave ekonomike të konsumatorëve. Ky bashkëpunimi institucional do t’i shërbejë zbatimit efektiv të legjislacionit të mbrojtjes së konsumatorëve, gjatë praktikave tregtare të ofrimit të shërbimeve nga operatorët e fushës së mediave audiovizive, nëpërmjet respektimit të detyrimeve të parashikuara nga legjislacioni në fuqi.
Ministrja Anila Denaj vlerësoi nënshkrimin e marrëveshjes dhe u shpreh se ajo i hap rrugë bashkëpunimit mes dy institucioneve në funksion të objektivave dhe strategjisë për mbrojtjen e konsumatorëve.
“Është një marrëveshje bashkëpunimi që nënshkruhet ndërmjet MFE dhe AMA-s, në kuadër dhe të politikave të mbrojtjes së konsumatorëve. Mbi të gjitha, ne i hapim rrugë një bashkëpunimi që dy institucionet, me objektivat që kanë për të realizuar dhe strategjinë jo vetëm për të ruajtur konsumatorët, por për të vendosur një platformë komunikimi transparente, duhet të ndjekin dhe në vijim institucionet me strukturat përkatëse do të ndjekin këtë marrëveshje me aktet nënligjore që do të dalin në zbatim”, u shpreh Ministrja Denaj.
Nga ana e tij, z. Gentian Sala e konsideroi marrëveshjen mjaft të rëndësishme për Autoritetin e Mediave Audiovizuale, duke qenë se tregu audiviziv ka një impakt të jashtëzakonshëm të konsumatori.
Objekti i Marrëveshjes është përcaktimi i çështjeve dhe formave të bashkëpunimit midis dy institucioneve, me qëllim mbrojtjen e interesit të përgjithshëm të konsumatorëve në fushën e mediave audiovizive, gjatë praktikave tregtare të ofrimit të shërbimeve nga operatorët e fushës.
Në bazë të saj, institucionet do të angazhohen të bashkëpunojnë për çështje si: hartimin dhe përmirësimin e akteve nënligjore; sigurimin e zbatimit sa me efektiv të legjislacionit ekzistues; shkëmbimin e informacioneve; organizimin e takimeve të përbashkëta; publikimin e të dhënave; etj.
Institucionet shtetërore nuk kanë vetëm kompetenca për të hartuar politika dhe akte ligjore, por është detyrim i tyre që t’i bëjnë sa më funksionale, sa me të zbatueshme, dhe këtij qëllimi do t’i shërbejë edhe nënshkrimi i kësaj marrëveshje.
Mbrojtja e konsumatorit është një ndër politikat më të rëndësishme të vendit tonë, ashtu sikurse edhe për vendet e Bashkimin Evropian. Qeveria që me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe tashmë me statusin e vendit kandidat drejt çeljes së negociatave për anëtarësimit në BE, është angazhuar në vijueshmëri për t’i dhënë konsumatorit shqiptar të njëjtat të drejta dhe mbrojtje si dhe çdo konsumatori të një vendi evropian.
Nisma për nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit mes MFE dhe AMA është ndërmarrë në zbatim të legjislacionit përkatës të dy institucioneve, përkatësisht të ligjit nr. 9902/2008 “Për mbrojtjen e konsumatorëve”, i ndryshuar dhe ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2023 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.