Postuar më: 11/04/2016

Menaxhimi i Financave Publike – për më shumë shërbime ndaj tatimpaguesve!

Ministria e Financave prezantoi sot progresin e zbatimit të Strategjisë së Menaxhimit të Finanacave Publike, në një aktivitet ku ishte prezent Ministri z. Arben Ahmetaj, Ambasadorja e BE në Tiranë znj. Romana Vlahutin dhe përfaqësues të partnerëve ndërkombëtarë e institucioneve publike shqiptare.

Sikurse e theksoi Ministri Ahmetaj, Strategjia e Menaxhimit të Finanacave Publike, megjithëse “larg syrit të publikut dhe brenda “mureve” të administratës, është një nga reformat më të rëndësishme në favor të qytetarëve dhe tatimpaguesve shqiptar”

“Reforma në Menaxhimin e Financave Publike na jep mundësinë e alokimit strategjik të të gjithë burimeve financiare, monetare që kemi dhe jo vetëm, na detyron dhe bën të mundur një disiplinë fiskale shumë eficiente dhe sigurisht na ndihmon për të arritur atë qëllim fiskal që ka administrata publike për të ofruar shërbime publike të kënaqshme, të shpejta dhe eficiente ndaj publikut” – u shpreh Ministri.

“Ne jemi duke punuar në Ministrinë e Financave në mënyrë intensive dhe me më shumë kujdes për të përmirësuar gjithë strukturën makro-fiskale. Sikurse jeni në dijeni, jemi duke punuar në detaje për ndryshimin në ligjin organik të buxhetit, i cili do të sjellë instrumente të rinj të kontrollit në mënyrë që ato instrumente  që shkatërruan financat publike në të kaluarën,  jo vetëm që të mos ekzistojnë më, por sigurisht të kemi dhe instrumente të cilët të na garantojmë atë që kërkojmë nga vetja, që të kemi një llogari shpenzimesh dhe sidomos  llogaritje shpenzimesh kapitale më të zgjuara, në mënyrë që ato para që hedhim në ekonomi si qeveri, të shkojnë në drejtimin e duhur dhe të prodhojnë gjithashtu edhe pulse të reja dhe të duhuara zhvillimi”– tha Ahmetaj.

Ndërsa për Ambasadoren e BE në Tiranë, kjo është një reformë e cila “do të sjellë përmirësime të drejtpërdrejta tek qytetarët shqiptarë, sepse do të thotë që kjo reformë do të sjellë shumë qartësi se çfarë ndodh në sistem, në mënyrë që qytetarët shqiptarë dhe taksapaguesit shqiptarë ta dinë se ku shkojnë paratë e tyre dhe se si investohen ato para”.

 

Fjala e plotë e Ministrit Ahmetaj:

 

Përshëndetje,

Sot bëjmë prezantimin publik të progresit në lidhje me zbatimin e Strategjisë së Menaxhimit të Financave Publike, që megjithëse është larg syrit të publikut dhe brenda “mureve” të administratës, është një nga reformat më të rëndësishme në favor të qytetarëve dhe tatimpaguesve shqiptar.

Procesi sigurisht vazhdon, por po i referohem 15 muajve të fundit, ku ne kemi ndërmarrë një proces të plotë reformues brenda menaxhimit të financave publike, duke përfshirë edhe ato implikacione që kanë reformat e tjera, të gjitha reformat që janë ndërmarrë në këto 30 e pak muaj të qeverisjes Rama, reformën në Administratën Publike, reformën territoriale, reformën në menaxhimin e investimeve publike, duke përfshirë edhe atë të Partneritetit Publik Privat dhe me patjetër, reformën fiskale.

Strategjia e Menaxhimit të Financave Publike u adoptua dhe aprovua në vitin 2014 dhe ishte një nga gurët kilometrik më të rëndësishëm për mbështetjen buxhetore prej 40 milionë euro që  Komisioni Europian i ka akorduar Shqipërisë.

Ndaj me kënaqësi me ju, që pas 15 muaj aprovim të Strategjisë, reforma është vlerësuar nga ana e Komisionit me një ecuri të kënaqshme. Tashmë është pranuar gjerësisht nga të gjithë pjesëmarrësit që reforma në Menaxhimin e Financave Publike na jep mundësinë e alokimit strategjik të të gjithë burimeve financiare, monetare që kemi dhe jo vetëm,  na detyron dhe bën të mundur një disiplinë fiskale shumë eficiente dhe sigurisht na ndihmon për të arritur atë qëllim fiskal që ka administrata publike për të ofruar shërbime publike të kënaqshme, të shpejta dhe eficiente ndaj publikut për të ardhur pastaj në atë nivel që është e domosdoshme për t’u përmendur, një sistem menaxhimi informatik të të gjithë instrumenteve që kanë të bëjnë me financat publike.

Gjatë kësaj periudhe 18% e aktiviteteve janë plotësuar, 65% e aktiviteteve janë në proces dhe 17 % nuk kanë filluar akoma. Një progres shumë i mire, më duhet ta them, është bërë në forcimin e instrumenteve të financave publike dhe këtu më kënaqësi do t’i referohesha edhe planifikimit afatmesëm që tani është jo më thjesht një instrument testi, por është një instrument ligjor.

Do t’i kthehesha të gjithë tavaneve buxhetore që kemi aprovuar për vitet 2017-2018, duke ndarë me ju edhe përgjegjshmërinë për një vit elektoral, për të mos bërë atë që është bërë ndër vite në vitet elektorale, i kthyem tavanet në detyrim ligjor tashmë dhe jo thjesht si një instrument, e theksoj sërish sepse besoj se është shumë e rëndësishme.

Instrumentet informatikë shkojnë për t’u përdorur me gjithë reformën e forcimit të instrumenteve të menaxhimit të financave publike. Do t’i referohem sistemit të IT në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave që është plotësisht i zëvendësuar me një sistem informatik jashtëzakonisht shumë të avancuar, por edhe për sa i përket zëvendësimit të sistemit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve sidomos, pa asnjë modesti, më duhet ta përmend,  sidomos platformës së riskut që është kthyer në një referencë, në një instrument jashtëzakonisht shumë efektiv në duar të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për të menaxhuar jo vetëm riskun, por edhe për alokuar burime aty ku risku është më i madh dhe të ardhurat janë më të mëdha.

Progres serioz është bërë në këto gati 3 vite edhe për sa i përket përmirësimit të strukturës së borxhit. Një borxh me risk më të ulët, borxh afatgjatë dhe më i lirë, siç edhe i referohem shpesh, është një nga stoqet e borxheve me më pak risk, megjithëse niveli është akoma një nivel i lartë borxhi, me më pak risk pra duke u krahasuar me rajonin dhe me një përbërje akoma më të shëndetshme krahasuar sërish me rajonin dhe shumë më ndryshe nga ajo strukturë që gjetëm në vitin 2013.

Sigurisht që nuk dua të lë pa përmendur përmirësimet ligjore, të cilat nuk janë të pakta. Dua të përmend kuadrin ligjor të Prokurimeve Publike  dhe të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Vijon një reformë shumë e rëndësishme për të përmirësuar  mbledhjen e tatimeve apo për të luftuar evazionin, ka inicuar në shtator të vitit 2015. Në këndvështrimin tonë, referuar edhe anës kuantitative, pra shifrave, ka një përmirësim të ndjeshëm në mbledhjen e të ardhurave dhe është reflektuar dhe në atë ardhurat e tre muajve të parë, janar-shkur-mars, të cilat janë shumë premtuese, nga tatimet dhe nga doganat, dhe para një jave Ministria e Financave kaloi në fillimin e fazës së dytë të aksionit kundër informalitetit, i cili do të fokusohet siç e kam theksuar, kryesisht tek sipërmarrja e madhe dhe në një mënyrë shumë më inteligjente sesa thjesht kontrolli i terrenit.

Së fundmi, dua të ndaj me Ambasadoren dhe me të gjithë ata që na kanë ndihmuar dhe do të vazhdojnë të na ndihmojnë në këtë reformë, se ne jemi duke punuar këtu në Ministrinë e Financave në mënyrë intensive për të përmirësuar dhe me më shumë kujdes, gjithë strukturën makro-fiskale. Në dijeninë, gjithashtu tuajën,  jemi duke punuar në detaje për ndryshimin në ligjin organik të buxhetit, i cili do të sjellë instrumenta të rinj të kontrollit në mënyrë që ato instrumente  që shkatërruan financat publike në të kaluarën,  jo vetëm të mos ekzistojnë më, por sigurisht të kemi dhe instrumente të cilët të na garantojmë atë që kërkojmë nga vetja, që të kemi një llogari shpenzimesh dhe sidomos  llogaritje shpenzimesh kapitale më të zgjuara, në mënyrë që ato para që hedhim në ekonomi si qeveri, të shkojnë në drejtimin e duhur dhe të prodhojnë gjithashtu edhe pulse të reja dhe të duhuara zhvillimi.

Faleminderit!

Të rejat e fundit