Postuar më: 22/01/2016

Mblidhet Grupi Këshillimor i Stabilitetit Financiar

Më datën 22 janar 2016, u zhvillua mbledhja e radhës e Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar (GKSF). Të pranishëm në mbledhje ishin Ministri i Financave, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Kryetari i Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave dhe përfaqësues të tjerë të këtyre institucioneve. Në mbledhje u diskutua kryesisht rreth:

  • portaleve të tregtimit online,;
  • gjendjes së sektorit bankar.

Portalet e tregtimit online, i japin mundësi të interesuarve të investojnë në bursa ndërkombëtare. Këto investime janë me rrezik të konsiderueshëm, ndaj GKSF vlerëson se publiku i interesuar duhet të tregohet i kujdesshëm dhe t’i realizojë ato nëpërmjet subjekteve të licencuara, mbi bazën e një informacioni të plotë dhe vetëm në rastet kur ekziston kultura e nevojshme financiare që lejon njohjen dhe ndërgjegjësimin rreth rreziqeve që shoqërojnë këto veprimtari. Hyrja dhe veprimtaria e rregulluar në treg e ndërmjetësuesve financiarë, në këtë rast përmes portaleve të tregtimit online, ndihmon në zhvillimin e kulturës financiare dhe të tregut financiar. Një veprimtari e rregulluar do të thotë ushtrim i kontrollit nga autoritetet mbikëqyrëse për të verifikuar se si mënyra e veprimit të subjektit ndërmjetësues nxit paraprakisht ndërgjegjësimin e investitorit për vlerësimin e rreziqeve që shoqërojnë investimet në bursa, kufizon madhësinë e humbjeve të mundshme dhe ofron transparencë të plotë për shpjegimin e tyre në rast ndodhjeje. Nga ana tjetër, një veprimtari e palicencuar dhe e pambikëqyrur, i ekspozon investitorët ndaj kostove të fshehura dhe detyrimeve të tjera, të cilat, në mungesë të transparencës së nevojshme nga ana e subjektit ndërmjetësues, mund të jenë të mëdha.

Në këtë kuadër, GKSF fton publikun e interesuar të konsultojë në vazhdimësi listën e subjekteve të licencuara, përkatësisht nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe nga Banka e Shqipërisë, të cilat gjenden në adresat e mëposhtme elektronike:

  • http://www.amf.gov.al/tletrave.asp?id=1&s=1 (ku, në rubrikën “Subjekte nën juridiksion”, mund të merret informacion për të gjithë subjektet e licencuara, duke përfshirë edhe ato që ofrojnë shërbimet e ndërmjetësimit për investime në tregjet ndërkombëtare).

 

Nga ana tjetër, GKSF nxit autoritetet përkatëse të forcojnë bashkëpunimin ndërinstitucional, mes tyre dhe me autoritete të tjera relevante të vendit dhe të huaja, për shkëmbimin e informacionit dhe ndërmarrjen e veprimeve që përmirësojnë kuadrin ligjor dhe zbatimin e tij.

Në vijim të mbledhjes, GKSF shqyrtoi edhe gjendjen financiare të sektorit bankar. GKSF vlerëson se sektori bankar vijon të jetë i qëndrueshëm, i mirëkapitalizuar dhe likuid. Të dhënat e muajit nëntor 2015 tregojnë përmirësim të rezultatit financiar dhe përmirësim të cilësisë së portofolit të kredisë. Ky i fundit pritet të vijojë edhe gjatë vitit 2016, si rezultat i procesit të largimit të kredive të humbura nga bilancet e bankave. Kreditimi i ekonomisë nga bankat ka qenë përgjithësisht i dobët, por pritshmëritë për ecurinë e tij gjatë vitit 2016 janë më pozitive. Përmirësimi i cilësisë së portofolit dhe rënia e normave të interesit të kredisë, qëndrueshmëria e niveleve të kursimit, përmirësimi i rritjes ekonomike dhe kërkesa më e ulët për huamarrje nga ana e Qeverisë, vlerësohet të jenë faktorë që do të rrisin ndikimin e tyre pozitiv në vendimmarrjen e bankave për kreditimin e ekonomisë së vendit. Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me autoritetet e tjera, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur qëndrueshmërinë e sektorit bankar dhe për të forcuar kontributin e tij në rritjen ekonomike të vendit.

 

Të rejat e fundit