Postuar më: 10/08/2020

MBËSHTETJA DHE ZHVILLIMI I SME-VE SHTYLLË E BASHKËPUNIMIT SHQIPTARO- GJERMAN EDHE GJATË PANDEMISË

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Znj. Anila Denaj zhvilloi sot një takim me Ambasadorin Gjerman Z. Peter Zingraf ku u diskutua mbi intensifikimin e bashkëpunimit shqiptaro – gjerman përgjatë vitit 2020.

Znj Denaj vlerësoi mbështetjen e qeverisë gjermane dhe vëmendjen ndaj sektorëve prioritarë ne vend përgjatë viteve. Gjermania mbetet një partner strategjik për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, por edhe në kuadër të proceseve integruese drejt BE-së.

Zj. Denaj nga ana e saj informoi Ambasadorin dhe përfaqësuesit e Ambasadws Gjermane për vendimet e fundit të qeverisë mbi programet e punësimit dhe nxitjen e riintegrimit në tregun e punës të qytetarëve të larguar, si pasojë e COVID-19 dhe mbi iniciativat fiskale në mbështetje të sektorit privat, me fokus biznesin e vogël. Ajo solli në vëmendje përpjekjet dhe angazhimin e Qeverisë dhe të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për mbarëvajtjen e financave publike, pavarësisht situatave të krijuara nga tërmeti dhe pandemia.

Ambasadori Zingraf bëri me dije alokimin e një fondi shtesë prej 10.5 milionë euro për bashkëpunimin ekonomik dhe teknik mes dy vendeve, për periudhën 2020 – 2021, në mbështetje të ndaj ndikimit të pandemisë COVID-19, të përqendruar veçanërisht në mbështetjen ndaj SME-ve, zhvillimit dhe promovimit të tyre, por edhe zonave rurale dhe arsimit profesional.

“Rritja e angazhimit dhe mbështetja në situatat e tërmetit dhe pandemisë janë dëshmi e bashkëpunimit të fortë bilateral. Prioritetet e përbashkëta dhe orientimi i punës së Qeverisë dhe partnerëve gjermanë në sektorët më me peshë në ekonomi dhe në jetën e qytetarëve kanë qënë kyc në bashkëpunimin e vazhduar.” theksoi Ministrja Denaj.

Ministrja Denaj dhe Ambasadori Zingraf diskutuan edhe mbi klimën e biznesit dhe nevojën e përhershme të dialogut publik-privat. Znj. Denaj shprehu gatishmërinë e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për të trajtuar çdo sygjerim të dhomave të tregtisë dhe industrisë në vend, dhe për çdo propozim të mëtejshëm në raport me rritjen e investimeve të huaja direkte në vend.

Së fundmi, palët vlerësuan ecurinë e reformave që po ndërmerren në kuadër të integrimit të Shqipërisë në BE edhe gjatë Presidencës së Gjermanisë në Këshillin e Bashkimit Europian.