Postuar më: 30/05/2016

Ligji Organik i Buxhetit, fjala e Ministrit Ahmetaj në Komision

Përshëndetje

Mendoj që debati për këto ndryshime në Ligjin Organik të Buxhetit u bë goxha i thjeshtë për shkak të mirëkuptimit dhe eksperiencës që Komisioni ka me financat publike.

Ju e dini po aq mirë sa ne në këtë tryezë që ky është ligj organik, është shtyllë kurrizore e menaxhimit të financave publike dhe mishëron parime të patjetërsueshme të menaxhimit të financave publike dhe të shëndetshmërisë makro-fiskale. Çështjet që kemi diskutuar janë çështje të cilat kanë qenë shpesh në diskutim, edhe për shkak të nevojës për t’u kuptuar më shumë, por dhe sigurisht për shkak të nevojës për të pasur fonde më shumë.

Shqetësimi, i cili në Ligjin Organik të Buxhetit por dhe në ndryshime është reflektuar për sa i përket gjyqësorit, ne kemi dy komunikime të rëndësishme me Komisionin e nderuar. E para çështjen e financimit të gjyqësorit e zgjidh Reforma në Drejtësi dhe e dyta, ashtu sikurse kemi rënë dakord, parimi thelbësor i llogarisë së njësuar të Thesarit që janë të pacënueshme, i bëjnë ndryshimet zgjidhjen dhe alternativën më të mirë, edhe e referuar me standardin.

Për sa i përket disa komenteve dhe vërejtjeve për ndryshimet që ju keni bërë, ne i kemi kaluar një nga një dhe për disa për këto kemi rënë dakord edhe me ju dhe me specialistët tuaj. Janë të qënësishme, ju falenderojmë sepse ka sqarime të domosdoshme teknike.

Çështja e borxhit dhe çështja e rregullit fiskal në këtë ligj, në këto ndryshime, është mishëruar më së miri me parimin dhe me përpjekjen që bën mazhoranca dhe Qeveria për të ulur borxhin dhe për të krijuar një instrument disipline të vazhdueshme. Nuk ka pasur instrument të kësaj natyre dhe kur ka pasur, është kthyer. Tani e kemi në ligj, në Ligjin Organik të Buxhetit dhe garanton uljen e vazhdueshme të borxhit dhe gjithashtu, ka dhe instrumentin kundërciklik, që i jep mundësi qeverisë që të përballojë momente krizash apo të përshpejtojë uljen e borxhit në momente të përshpejtimit të rritjes ekonomike.

Më duhet të them edhe një element tjetër, me të drejtë, për shkak të nevojës dhe për shkak të momentit ku është Shqipëri, Qeveria me këtë ligj i vendos vetes kushte të rënda dhe diku -diku humbet dhe fleksibilitet në këmbim të shëndetshmërisë afatgjatë ekonomike,  megjithatë ne jemi të bindur se ndryshimet e ligjit dhe ato komente dhe ndryshime që Komisioni ka sugjeruar, janë të shëndetshme dhe e përmirësojnë ligjin.

Faleminderit!

Të rejat e fundit