Postuar më: 02/06/2016

Ligji organik i buxhetit, filozofi e re në menaxhimin e financave publike

I nderuar Z. Kryetar, të nderuar deputetë!

 

Projekt-ligji për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin ekzistues Organik të Buxhetit, është  fryt i një përpjekjeje të gjatë e intensive të Ministrisë së Financave, por jo vetëm e saj. Kemi pasur mundësinë dhe fatin që për këtë projekt-ligj tejet të rëndësishëm për menaxhimin e financave publike, të kishim vëmendjen maksimale dhe asistencën e çmuar të institucioneve ndërkombëtare si: Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, Departamenti i Ekonomise dhe Financave i Bashkimit Europian, si dhe OECD. Sigurisht që do kisha dashur që sot këtu të ishte dhe opozita, e cila e votoi ligjin në parim dhe do ishte në nderin e saj të ishte sot këtu dhe të votonte Pro sa i takon ngjarjes më të madhe të legjislacionit dhe reformave të financave publike.

Dëshiroj që të sjell në vëmendjen tuaj se nxitja kryesore për të inicuar dhe finalizuar draftin që keni përpara Jush, ka të bëjë me adresimin njëherë e përgjithmonë të problemit të krijimit të detyrimeve të prapambetura, gjë e cila doli në pah fill pas largimit nga pushteti të qeverisjes së mëparshme. Mjafton të risjell në vëmendjen tuaj gropën e madhe prej 72 miliardë lekë, të pashlyera, të prapambetura dhe të parakorduara në buxhetin publik:

  • faturat e papaguara për punime të kryera, sidomos në sektorin e infrastrukturës rrugore;
  • rimbursimet e TVSH-së që nuk disbursoheshin qëllimisht nga autoriteti tatimor për efekt kamuflimi të realizimit të planit, apo më keq akoma për qëllime abuzimi;
  • detyrimet e prapambetura të krijuara për pagesën e paaftësisë së personave me aftësi të kufizuara;
  • detyrimet e energjisë elektrike të institucioneve buxhetore dhe mes ndërmarrjeve sh.a të ujësjëllës-kanalizimeve, etj.;
  • detyrimet për pagesën e vendimeve të ndryshme gjyqësore.

Ishte pikërisht kjo shifër alarmante për ecurinë e mëtejshme të financave publike dhe riskut të daljes jashtë kontrollit të borxhit publik, së bashku me nevojën emergjente të përballimit të saj në një kohë sa më të shkurtër të mundshme dhe me efikasitetin e duhur, që e detyroi Qeverinë të ndërmerrte hapa konkretë për të zgjidhur njëherë e mirë situatën.

Një nga arsyet e tjera që e shtyu Qeverinë dhe insitucionet ndërkomëbtare të punonin së bashku për të sjellë këtë ligj ishte situata skandaloze me deficitin buxhetor, i cili në mes të vitit 2013 ishte i harxhuar totalisht. Pra shëmbëlltyra e qeverisë së vjetër, që shkatërron financat publike në vitin elektoral parlamentar është në themel të asaj që s’duhet të përsëritet dhe është në themel të parimeve kryesore, të cilat sot kjo Qeveri i implanton në ADN e menaxhimit të financave publike.

Një nga shtyllat e marrëveshjes me institucionet e FMN e BB, ishte pikërisht ndërmarrja e masave të duhura për eleminimin e këtij fenomeneve. Kam kënaqësinë të deklaroj këtu se projektligji që keni përpara sot i adreson dilemat, pikëpyetjet dhe keqmenaxhimin e shumë e shumë viteve njëherë e mirë, duke eleminuar çdo hapësirë të mundshme për krijimin e detyrimeve të prapambetura në të ardhmen apo bërë keqmenaxhimin e financave publike sipas qejfeve. Pra nuk është vetëm qendrim politik, është guxim, përgjegjshmëri e një qeverie, e cila vjen këtu me një ligj, i cili heq çdo hapësirë që një grupim politik dhe një qeveri të mund të abuzojë me financat publike për interesa politike e aq më tepër në vite elektorale.

Shtylla tjeter mbi të cilën u ndërtua dhe funksionon sot marrëveshja e kësaj Qeverie me FMN dhe BB, ka të bëjë me vendosjen e disa rregullave fiskalë të ligjëruar. Kemi debatuar jashtëzakonisht shumë për rregullin fiskal. Është debatuar majtas, djathas, në qendër. Të gjithë kanë folur për borxhin, u rrit borxhi, u ul borxhi. Të qartë dhe të paqartë kanë folur për borxhin publik; të kthjellët dhe konfuzë kanë folur për borxhin publik, ama është kjo qeveri për herë të parë që vendos një rregull të drejtpëdrejt fiskal në Ligjin Organik të Buxhetit. Është ndryshim themelor filozofie i menaxhimit të financave publike dhe është përgjegjshmëri në favor të interesit publik.

Ky ligj sanksionon se në çdo ligj vjetor të buxhetit, fillestar apo të rishikuar, apo në planet buxhetore afatmesme borxhi publik do të planifikohet gjithnjë më i ulët se niveli i vlerësuar i vitit pararendës deri në kohën kur niveli i borxhit publik të arrijë poshtë nivelit prej 45% të PBB. Kemi debatuar për shumë vite për një rregull fiskal, ai rregulli i artë fiskal, ja ku është kjo qeveri që më në fund e vendos.

 

  • Thjeshtësia është tipari i dytë themelor që gëzojnë rregullat fiskale në këtë ligj. Ka pasur debat, ka pasur paqartësi, konfuzion dhe interpretime të ndryshme. Ndryshimet marrin përsipër ta thejshtojnë qoftë në kontekstin procedurial, qoftë në kontekstin insitucional linjën e menaxhimit të financave publike.
  • I jep qeverisë mundësi dhe fleksibilitet të ketë politika  fiskale kundra-ciklike: nëse rritja ekonomike e kalon 5%, është detyrë e qeverisë të marrë masa kundër-ciklike duke e ulur më shpejt boxhin publik dhe e njëjta gjë ndodh për të frenuar rënien ekonomike kur ekonomia i afrohet nivelit 1% i cili është nivel alertues për stanjacion e rritje negative ekonomike.

Aspekte të tjera të rëndësishme, sanksionuar në projekt-ligjin e ri organik që po Ju paraqesim sot për miratim, konsistojnë në një sërë shtesash, përmirësimesh dhe riformulimesh.

  • Gjatë qeverisjes së mëparshme, rëndom, është vënë re një tendencë negative në drejtim të keqmenaxhimit të fondeve buxhetore në vitet elektorale, e cila kulmoi me një ezaurim të deficitit buxhetor që në muajin tetor 2013 dhe për rrjedhojë edhe me një akumulim faturash të papaguara në sistemin e Thesarit në masën 10 miliardë lekë. Nisur nga ky fenomen shqetësues, që minon rëndë funksionimin normal të shërbimeve publike dhe disiplinën fiskale, u morën masat që në këtë projek-ligj të adresohet aspekti i kontrollit të shpenzimeve buxhetore në vitet kur ka zgjedhje të përgjithshme, duke ndarë proporcionalisht ezaurimin e deficitit buxhetor gjatë të gjithë vitit elektoral.

Kjo qeveri vjen me një ligj që e detyron këtë qeveri dhe çdo qeveri tjetr nesër që në një vit elektoral mos ketë mundësi kurrë të abuzojë si qeveria e vjetër me fondet publike dhe e detyron që brenda gjashtëmujorit çdo qeveri, si kjo qeveri që sjell këtë ligj në Parlament, të mos harxhojë dot më shumë se 55% të deficitit buxhetir brenda 6- mujorit të parë. Ekuilibër në menaxhimin e financave publike dhe kjo bëhet me ligj, jo më me dëshirë të Kryeministrit, Ministrit të Financave apo Qeverisë.

Në të njëjtën kohë ka një legjendë urbane PPP dhe them legjendë urbane, sepse në këndvështrimin tim, partneriteti publik privat funksionon në favor të interesit publik, por sigurisht që ka një nevojë të shihet nga ana e riskut buxhetor dhe nga ana e interesit publik dhe në ligj sankionojmë që të gjitha PPP disiplinohen në mënyrë që të kenë risk të parashikuar fiskal dhe kurrë të mos kalojë mbështetja vjetore për PPP jo më shumë se 5% e totalit të të ardhurave tatimore.

 

 

  • Gjithashtu, projekt-ligji i jep Kuvendit kompetencën e miratimit të tavanit të vlerës totale të kontratave në përqindje të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB). Ka qenë një shqetësim i vazhdueshëm, që e zgjidh ky ligj.

 

  • Së treti, duke synuar minimizimin e riskut të subvencionimeve jo efektive të ndërmarrjeve me kapital shtetëror. Mos harrojmë që në mbretërimin e qeverisë së vjetër, ndërmarrjet me kapital shtetëror kishin shkaktuar një gropë në sistemin e tyre, sidomos ato energjetike, por edhe një gropë në buxhet. Nëpërmjet këtij ligji disiplinimi është maksimal dhe Ministria e Financave merr rol të veçantë në displinimin e financave dhe projekteve ekonomike pavarësisht nga sektori, ato ndërmarrje që përfitojnë mbështetje buxhetore apo garanci direkte e indirekte nga buxheti i shtetit.
  • Një risi tjetër e rëndësishme që prezantohet në këtë projekt-ligj ka të bëjë me përfshirjen e disa elementeve të reja që rrisin transparencën e procesit të buxhetimit, të cilat sigurojnë edhe një perceptim më transparent nga institucionet vleresuese ndërkombëtare, të tilla si: publikimi periodik në kohë i raporteve vjetore apo 6-mujore dhe konsultimi në këtë rast i detyruar me ligj me shoqërinë civile gjatë procesit të programimit buxhetor afatmesëm.

 

  • Ky projektligj synon edhe forcimin e planifikimit dhe menaxhimit të projekteve të investimeve publike.
  • Përcaktimit tashmë të rregullave të përgatitjes dhe vlerësimit të tyre me VKM dhe jo me udhëzim, duke përforcuar kësisoj procesin në tërësi.
  • Përmes përcaktimit të vlerave monetare kufi, përtej të cilave çdo projekt investimi duhet t’i nënshtrohet një shqyrtimi më të imtësishëm nga ana e Ministrisë së Financave, ku pritshmëria është që vetë ministritë e linjës propozuese të projekteve, të kryejnë analiza të hollësishme kosto-përfitim, kosto-efektivitet.
  • Përcaktimit ligjor se gjatë vitit të parë të zbatimit të angazhimet buxhetore shumëvjeçare, që lidhen me projekte të reja investimesh publike, nuk do të lejohet që të alokohet më pak se 20% e vlerës së plotë të projektit. Kjo klauzolë frenon fragmentimin e investimeve publike në shuma dhe lotë të vogla që humbasin gjatë rrugës qoftë paratë publike, qoftë efektivitetin e investimeve publike. Cfarë do të thotë kjo për një projekt? Nëse kemi pasur në të kaluarën raste që hapej një projekt për tenderim, ndërkohë që vlera ishte 100 milionë lekë, hapej me 1 milion lekë, kjo nuk lejohet më. Ky ligj e mbyll njeherë e përgjithmonë këtë hapësirë buxhetore abuzive që ka ekzistuar një vit më parë.
  • Përmirësimit dhe specifikimit të qartë të përkufizimit të ri lidhur me nocionin e projektit të investimit, bazuar kjo në standartet e përdorura nga Bashkimi Europian. Ka pasur momete qesharake në të shkuarën, procese integrale të një projekti të vetëm që menaxhoheshin më vete dhe me mendësi të ndryshme, tani do konsiderohen një projekt integral duke bërë të mundur rritjen e shpejtësisë së realizimit të një projekti.
  • Ndryshime apo shtesa të tjera që ndikojnë gjithashtu në përmirësimin e proxesit të buxhetimit, janë ato që kanë të bëjnë me:
  • disiplinimin e përdorimit të fondit të kontigjencës për arsye strikte që lidhen me mosrealizimin e të ardhurave. Kjo, pasi ligji ekzistues linte hapsirë interpretimi që është shfrytëzuar për ta përdorur këtë fond edhe për qëllime të tjera.
  • rritjen e përputhshmërisë së procesit të monitorimit me atë të programimit buxhetor, duke përcaktuar që raportet e monitorimit të bëhen çdo katërmujor. Si edhe, përcaktohet detyrimi për çdo njësi të qeverisjes qendrore për të publikuar raportin e saj të monitorimit në faqen zyrtare përkatëse.
  • harmonizimin e të gjitha ligjeve të reja të miratuara në kuadër të menaxhimit financiar dhe kontrollin të tilla, si: ligji “Për kontrollin e brendshëm financiar”, ligji “Për inspektimin financiar”, ligji “Për auditin e brendshëm”, me qëllim shmangien e mbivendosjeve.

 

Në përfundim të fjalës time, dëshiroj të ndaj me ju që jam shumë i lumtur që kam fatin dhe përgjegjësinë të sjell këtë ligj në Parlament, i cili bën një revolucion në menaxhimin e financave publike, përbën patjetër një epokë të re në menaxhimin e instrumenteve të borxhit publik, përbën një epokë të re në menaxhimin e investimeve publike, rritjen e cilësisë dhe efektivitetit të tyre, por nuk dua ta mbyll pa faledneruar të gjithë ata që na ndihmuan ta hartojmë këtë ligj, Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, kryetarin Braçe dhe anëtarët për bashkëpunimin aktiv në përmirësimin e këtij ligji, deputetin Cani për iniciimin e këtij ligji, sepse unë e gjeta punën në proces dhe harxhuam gati katër muaj dhe sot me kënaqësi e modesti ju ftoj të votoni një nga dokumentet më të rëndësishme të menaxhimit të financave publike.

Kështu do ta falenderoja dhe opozitën po të ishte këtu, megjithatë gjej rastin ta falenderoj ata anëtarë të opozitës që votuan pro këtij ligji në parim dhe bënë qendrime e sugjerime të rëndësishme, një pjesë e të cilave janë reflektuar këtu.

Faleminderit!

Të rejat e fundit