Postuar më: 09/04/2014

Lehtësohen procedurat e rimbursimit të TVSH për eksportuesit

Në adresim të kërkesave të fasonistëve dhe të gjithë eksportuesve të tjerë, Ministria e Financave ka ndërmarrë iniciativën duke reflektuar për rimbursimin në një kohë të shkurtër të tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH), nëpërmjet sistemit të thesarit.

Me propozim të Ministrisë së Financave, Këshillit i Ministrave miratoi sot VKM-në për kategoritë e eksportuesve, të cilët rimbursimin e TVSH, ose e marrin automatikisht, me paraqitjen e kërkesës, ose e marrin brenda 30 ditëve.

Ky afat është sa gjysma e kohës që u jepet tatimpaguesve të tjerë, për të cilët koha e rimbursimit është 60 ditë.

 

 

Si trajtohej dhe çfarë ndryshon konkretisht?

Neni 50, “Rimbursimet” te ligji nr. 7928, datë 27.04.1995, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, të ndryshuar, ka përcaktuar në pikën 4 dhe 5 të tij, se:

4. Eksportuesit kanë të drejtë të kërkojnë rimbursim kur teprica e tyre tejkalon shumën 400.000 (katërqindmijë) lekë. Organet tatimore bëjnë rimbursimin e tepricës kreditore të TVSH-së për këtë kategori tatimpaguesish, brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës.

5. Këshilli i Ministrave përcakton kategorinë e eksportuesve të përmendur në pikën 4 të këtij neni.

 

Deri më sot nuk kishte një Vendim të Këshillit të Ministrave që të përcaktonte kategorinë e eksportuesve, për efekt të procedurës së rimbursimit të TVSH-së. Të tilla përcaktime janë bërë në Udhëzimin e Ministrit të Financave nr. 17, datë 27.04.1995 “Për TVSH-në”, të ndryshuar.

 

Për këtë arsye, projektvendimi i paraqitur për miratim plotëson këtë vakuum nënligjor.

Konkretisht, në pikën 1 të projektvendimit përcaktohet se cilët tatimpagues do të konsiderohet eksportues në kuptim të nenin 50 të ligjit.

 

Propozohet që të konsiderohet eksportues, çdo tatimpagues i cili plotëson tre kushte:

a.         Eksporton sipas kuptimit të nenit 181 dhe 182 të Kodit Doganor të RSH;

b.         Vlera e eksporteve të bëra në periudhën(-at) tatimore për të cilën(-at) kërkohet rimbursim,  përbën më shumë se 60% të vlerës totale të shitjeve  përfshirë eksportet;

c.         Ka tepricë kreditore që tejkalon shumën 400.000 lekë.

 

Plotësimi i këtyre tre kushteve për një tatimpagues-eksportues e qartëson dhe e dallon atë nga kategoria tjetër e tatimpaguesve, të cilëve kontrolli dhe verifikimi i tepricës kreditore iu bëhet brenda 60 ditëve.

Për efekt të procedurës së rimbursimit të TVSH-së, kjo kategori eksportuesish, propozohet të ndahet në një nën kategori tjetër – eksportues me risk zero, të cilëve, kërkesat për rimbursim TVSH-je të të cilëve, mund të procedohen pa qenë nevoja e kontrollit të vend. Për këtë arsye, pika 2 e projektvendimit përcakton kushtet që duhet të plotësoj një eksportues sipas përcaktimit të pikës 1 të këtij projektvendimi, për t’u klasifikuar si “eksportues me risk zero” nga administrata tatimore, për efekt të rimbursimit të TVSH-së, pa kontroll tatimor.

 

 

 

Kushtet e propozuara që duhet të plotësojnë kjo kategori eksportuesish janë:

a.         Vlera e eksporteve të bëra në periudhën(-at) tatimore për të cilën (-at) kërkohet rimbursim,  përbën 100% të vlerës totale të shitjeve;

b.         Ka aktivitet eksportues mbi dy vjet;

c.         Paraqet si dokument prove të kryerjes së eksportit Deklaratën Doganore të Eksportit, lëshuar sipas legjislacionit doganor në RSH;

d.         Nuk ka detyrime të papaguara të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

 

Pika 2 përcakton gjithashtu se, për eksportuesin që përcaktohet  si eksportues me risk zero, sipas kësaj pike, miratimi i rimbursimit nga Drejtoria Rajonale Tatimore, bëhet pavarësisht nga kontrolli tatimor, i cili mund të kryhet në çdo moment, sipas planifikimit për kontroll. Procedura e rimbursimit, kryhet sipas përcaktimeve të bëra në nenin 50 të ligjit nr. 7928, datë 27.04.1995 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, i ndryshuar dhe Udhëzimit nr. 17, datë 13.05.2008 “Për TVSH-në”, të ndryshuar.

 

Pika 3 e projektvendimit përcakton se eksportuesit që nuk klasifikohen si “eksportues me risk zero” rimbursohen për TVSH-në, brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës, sipas procedurës së përcaktuar në udhëzimin e Ministrit të Financave nr. 17, datë 13.05.2008 “Për TVSH-në”, të ndryshuar».

Të rejat e fundit