Postuar më: 22/04/2016

Lehtësimi i procedurave me Kosovën, Ministri Ahmetaj pret homologun Hoti

Ministri i Financave Arben Ahmetaj priti sot në një takim homologun e tij Kosovar Avdullah Hoti, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Tiranë, e cila i paraprin Mbledhjes që qeveria shqiptare dhe ajo e Kosovës planifikojnë të zhvillojnë  në fund të muajit Maj.

Të pranishëm në takim ishin edhe Drejtorët respektivë të Tatimeve dhe  Doganave të të dy vendeve. Qëllimi i takimit ishte diskutimi mbi realizimin e cështjeve të dakordësuara në mbledhjen e fundit mes dy qeverive, atyre që janë ende në proces dhe të cështjeve të reja që do të duhet të trajtohen në Mbledhjen e rradhës.

Në një prononcim për mediat pas takimit, Ministri Ahmetaj tha:

“Me Ministrin e Financave të Kosovës ne bëmë këtë takim sot për të mbyllur pjesën tonë të përbashkët, cështjet pra të lidhura me financat, në kuadët të përgatitjes së Mbledhjes së dyqeverive, që do të mbahet në fund të muajit maj.

Diskutuam një sërë elementësh praktikë, operacionalë dhe ligjorë dhe kemi rënë dakord për një axhendë shumë intensive deri para Mbledhjes së qeverisë, për të parë se çfarë kemi bërë, çfarë janë në proces dhe çfarë duhet të bëhet, kryesisht për thjeshtimin e procedurave doganore, për shkëmbimin e informacionit apo edhe të grupeve operacionale të përbashkëta të punës.

Praktika e deritanishme mes dy Ministrive të Financave këto dy vite e gjysëm ka qenë jashtëzakonisht e mirë, pra një bashkëpunim i një niveli shumë të mirë. Jam i bindur që po kështu do të vazhdojë edhe në të ardhmen dhe me këtë takim që bëmë sot ne u fokusuam në ato cështje që bëjnë diferencë jo thjesht në letër, por bëjnë diferencë edhe në terrenin ekonomik dhe fiskal, pra përfshirë autoritetet tatimore dhe doganore të të dy vendeve.

Së pari janë procedurat doganore që përfshijnë qoftë punën në dogana 24 orë në 7 ditë, ku përfshihen edhe çështjet e agjentëve doganorë. Folëm për tranzitin doganor dhe aksesin në sistemin informatik të të dy doganave pas përditësimit që kemi bërë ne. Janë gjithashtu disa çështje të tjera operacionale për shkëmbimim e informacionit qoftë të eksporteve, qoftë të importeve, qoftë të tranziteve. Ka të bëjë me uljen e barrierave në të dyanët, qoftë në terminalet doganore në anën kosoavare ashtu edhe në anën tonë. Ka dhe një sërë çështjesh të tjera që kanë të bëjnë me unifikimin e licencave, certifikatave, që e lehtësojnë jashtëzakonisht shumë punën e eksportuesve dhe të importuesve nga të dyja palët.

Në jemi në marrëveshje të plotë me Ministrin dhe Ministrinë e Financave që ato çështje që ne kemi evidentuar duhet të zgjidhen me shpejtësi brenda fundit të muajit maj, do të bëhen nga të dy palët me një grup të përbashkët pune operacionale, jo ato grupet në letër, por një grup operacional intensiv pune të përditshme, në mënyrë që së bashku me Ministrin e Financave të Kosovës, ne të mund të raportojmë përpara qeverive dhe Kryeministrave për punët që kemi kryer dhe për ato që kemi në proces” – tha Ministri Ahmetaj.

Ndërsa Ministri i Financave të Kosovës, z. Hoti u shpreh:

“Unë dëshiroj të shfrytëzoj mundësinë dhe të falënderoj Ministrin për diskutimin shumë konstruktiv që patëm. Ne tani kemi krijuar një marrëdhënie bashkëpunimi jo protokollar por plotësisht miqësor dhe teknik, mes dy Ministrive dhe mes Administratave Tatimore dhe Doganore. Ne bëmë një rishikim të progresit që kemi arritur deri më tani nga Mbledhja e fundit e dy qeverive. Pamë që shumica e cështjeve që rakorduam vitin e kaluar në Mbledhjen e përbashkët është bërë progres dhe identifikuam disa cështje, të cilat do t’ia dresojmë, ashtu sikurse theksoi Ministri, në dy-tre javët e mbetura deri në Mbledhjen e ardhshme të dy qeverive.

Unë e falenderoj Ministrin për gatishëmrinë e tij dhe të stafit të bashkëpunëtorëve të tij për të punuar bashkë, në mënyrë që në Mbledhjen e ardhshme të dalim me rezultate konkrete para dy qeverive” – përfundoi Ministri Hoti.

Së shpejti, sikurse njoftoi edhe Ministri Ahmetaj, palët do të zhvillojnë një takim të përbashkët  me eskportues dhe importues të të dy vendeve,

“- Do të bëjmë dhe një takim që ramë dakord me Ministrin, një takim me eksportues dhe importues, besoj në Prizren, për t’i dëgjuar shqetësimet dhe problemet e tyre, kërkesat që ata kanë ndaj të dy qeverive, në funksion të lehtësimit të tregtisë dhe rritjes së volumeve tregtare për të dyja vendet”.

I pyetur për ecurinë e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve pas Mbledhjes së fundit të dy qeverive dhe unifikimit të procedurave, Ministri u shpreh se influenca ka qenë e drejtpëdrejtë dhe ishte një nga diskutimet e bëra më Ministrin.

“Eksportet shqiptare janë rritur konsiderueshëm ndërsa importet e Kosovës në Shqipëri kanë një rënie të lehtë dhe ne besojmë se do të duhet ta adresojmë nëse ka, pengesa burokratike apo ato barriera tarifore që na pengojnë ne të kemi një shkëmbim tregtar si të ishim një treg I unifikuar, sepse nëfakt do të duhet të ishim një treg i unifikuar” – tha Ministri.

Të rejat e fundit