Postuar më: 24/12/2014

Kuvendi miraton me 75 vota pro projektligjin për huamarrjen shtetërore

Kuvendi miratoi sot me 75 vota pro, projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9665, datë 18.12.2006 “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huasë në Republikën e Shqipërisë”. Në fillim të seancës plenare, deputetja Blerina Gjylameti tha se projektligji synon përmirësimin e kuadrit ligjor në fushën e huamarrjes shtetërore, borxhit shtetëror dhe garancive shtetërore të huasë, duke e harmonizuar atë me praktikat më të mira të tregjeve ndërkombëtare të parasë.

“Procedura e ratifikimit me ligj të marrëveshjeve të huasë shtetërore apo garancive shtetërore të huasë, në rastet kur lidhen me subjekte tregtare private, zgjat procesin dhe ngushton hapësirat për të arritur norma interesi më të ulëta, duke i deklaruar ato publikisht përpara se të ndodhin transaksionet në tregjet financiare. Kjo procedurë, në praktikë, prek konfidencialitetin e termave të referencës së kredive dhe ndikon në rritjen e kostos së tyre. Për më tepër, një procedurë e tillë nuk ndiqet në shumicën e vendeve të zhvilluara”, u shpreh znj. Gjylameti.

Ndryshimet në ligjin e ri synojnë të bëjnë dallimin ligjor dhe për pasojë edhe veprimet konkrete operacionale, midis huave të marra në bazë të marrëveshjeve sovrane (shtete, organizata të rëndësishme ndërkombëtare, etj.) dhe huave të marra në tregjet financiare nga subjekte private. Me këto ndryshime, huamarrja në tregjet financiare nuk do të duhet të ratifikohet në parlament, por i jep të drejtë Ministrit të Financave, që brenda limitit vjetor të borxhit të miratuar nga Kuvendi në ligjin për buxhetin, të ndjekë të gjitha procedurat për realizimin e huamarrjes duke synuar uljen e kostos.

Të rejat e fundit