Postuar më: 27/01/2015

“Konvertimi i borxhit për zhvillim”, shpallet thirrja e tretë për propozime

U zhvillua sot Konferenca e Hapjes së Thirrjes së Tretë të Programit të Konvertimit të Borxhit (IADSA, Italian-Albanian Debt for Development Swap Agreement) e cila në kuadrin e zgjedhjeve të ardhshme administrative, si dhe reformës territoriale në Shqipëri, ju drejtohet vetëm Ministrive shqiptare. Në konferencë morrën pjesë zëvendëskryeministri Z. Niko Peleshi, ministri i Financave Z. Shkëlqim Cani, Ambasadori Italian Z. Massimo Gaiani. Konferenca u drejtua nga Drejtori i Zyrës së Kooperacionit të Ambasadës Italiane, Z. Andrea Senatori.

Në Konferencë u prezantua Thirrja e Tretë e IADSA-s për autoritet qendrore shqiptare pjesëmarrëse, si dhe për partnerët e shumtë të pranishëm. Në Thirrjen e Tretë janë të pranueshëm projektet  që kanë të bëjnë me sektorin social të formuluar në linjë me prioritet e qeverisë shqiptare dhe me Programin Italo-Shqiptar të Bashkëpunimit për Zhvillim.

Ministri i Financave z. Shkëlqim Cani në fjalën e tij u shpreh se pas një pune cilësore parapërgatitore të Njësisë Teknike Mbështetëse,  tashmë u arrit në shpalljen e thirrjes së tretë për propozime. “ Kjo thirrje, si do u shpjegojnë më pas edhe vetë Drejtorët e TSU-së, do të jetë e hapur vetëm për Ministritë e Linjës. Kjo zgjedhje, që kemi bërë bashkarisht me Ambasadorin, si kolegë të Komitetit të Menaxhimit, rrjedh si efekt i reformës territoriale, e cila ka vendosur tashmë njësitë e re vendore, të cilat pas zgjedhjeve do të kenë mundësinë të aplikojnë me statusin e tyre të ri.

Programi IADSA synon të kontribuojë në zhvillimin e qëndrueshëm social dhe ekonomik të vendit, në përputhje me Strategjinë Kombëtare për zhvillim dhe integrim, me Strategjitë e përditësuara sektoriale dhe ndërsektoriale, si dhe me Marrëveshjen e Asocim Stabilizimit.

Me anë të këtij Programi realizohet financimi dhe zbatimi i projekteve të fokusuara në arsim, shëndet publik, përfshirje sociale dhe ekonomike të kategorive në nevojë, krijim i vendeve të reja të punës dhe zhvillim i qëndrueshëm i komunitetit rural në zonat e margjinalizuara.

Projektet që janë përzgjedhur fituese në dy fazat e para të programit, kanë  mbuluar  pjesën dërrmuese të prioriteteve dhe shpërndarja e tyre gjeografike ka qenë  në pothuajse të gjithë territorin e Shqipërisë. Ato, njëkohësisht, janë projekte të dukshme investimi me rezultate të matshme dhe konkrete, të cilat kanë filluar të kenë një ndikim mjaft pozitiv tek përfituesit në terren”, u shpreh mes të tjerash z. Cani.

Afati i fundit për dorëzimin e projekt-propozimeve është data 30 mars 2015. Në përgjigje të dy Thirrjeve të para për periudhën 2013-2014, IADSA ka financuar 25 projekte me një vlerë  totale prej 9 milionë Eurosh.

Këtu mund të gjeni fjalën e plotë të ministrit Shkëlqim Cani në konferencë

Të rejat e fundit