Postuar më: 23/09/2014

“Konvertimi i borxhit për zhvillim”, shpallen 12 projektet fituese

U zhvillua sot në ambientet e Ministrisë së Financave, ceremonia e firmosjes së kontratave për financimin e 12 projekteve me vlerë 4.6 milionë euro, në kuadër të Programit të Konvertimit të Borxhit për Zhvillim – IADSA (sipas marrëveshjes me qeverinë italiane).

Nënshkrimi u krye nga ministri i Financave, z. Shkëlqim Cani, Ambasadori italian, z. Massimo Gaiani dhe përfituesit përkatës të projekteve. Të pranishëm në ceremoni ishin zv/kryeministri, Niko Peleshi, ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqja, ministri i Bujqësisë, z.Edmond Panariti, kryetarë të bashkive përfituese, OJF, etj.

“Është pozitiv fakti që projekt-propozimet e dorëzuara përfshijnë të gjitha fushat prioritare të Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit dhe Integrimit, ku një vend të rëndësishëm zënë Projektet në fushën e përmirësimit të arsimit bazë në zonat me mangësi të theksuara, përmirësimit të formimit profesional, përmirësimit të shërbimit shëndetësor bazë dhe atij parandalues, iniciativa për të mbështetur integrimin social të grupeve shoqërore më të rrezikuara dhe punësimin e të rinjve”, deklaroi ministri Cani, gjatë fjalës së tij.

Projektet e përzgjedhura si fitues, mbulojnë të gjitha fushat prioritare të kësaj thirrje për propozim dhe shpërndarja e tyre gjeografike mbulon pothuajse të gjithë territorin e vendit. Ato njëkohësisht janë projekte me rezultate të matshme dhe konkrete, që do të kenë një ndikim mjaft pozitiv tek përfituesit përkatës. Aplikantët fitues janë 5 nga pushteti qendror dhe 7 nga pushteti vendor, gjë që tregon për rritjen e nivelit të kapaciteteve dhe shkallës së përgjegjësisë së tyre.

“Jemi shumë krenarë për Programin e Konvertimit të Borxhit, instrument bashkëpunimi, sepse është ndër më të avancuarit për sa i përket efikasitetit dhe shpejtësisë së realizimit. Ky program nënvizon edhe njëherë angazhimin e Italisë në Shqipëri dhe mardhëniet miqësore që lidhin dy vendet tona”, u shpreh në fjalën e tij ambasadori Gaiani.

Ndërsa zëvendëskryeministri Niko Peleshi u shpreh se : “Ky program është veç një pjesë e vogël e një mbështetje të madhe e të vazhdueshme që Italia i ka dhënë Shqipërisë. Është vërtet një instrument shumë efikas që ka brenda inovacionin, që nxit bashkëpunimin dhe integrimin e kontributeve të një sërë aktorësh të zhvillimit e që ka një fokusim të plotë tek prioritetet tona të zhvillimit. Por pavarësisht se modest në përmasa, ky program është realisht një vlerë e shtuar për zhvillimin e vendit, sepse ai në njërën anë nxit konkurrencën mes aktorëve të ndryshëm, e në anën tjetër krijon sinergji e modele të replikueshme zhvillimi që në të ardhmen mund të përdoren kudo nëpër Shqipëri”.

 

Projektet fokusohen në:

•           Sektorin e Edukimit (kryesisht rikonstruksion godinash arsimore),

•           Sektorin e Shëndetësisë,

•           Sektorin e zhvillimit agroturistik,

•           Mbështetjen e personave me aftësi të kufizuar.

 

Nga 12 projektet e përzgjedhura për t’u financuar:

•           4 janë projekte në nivel kombëtar,

•           3 projekte janë në veri të vendit,

•           3 projekte janë në jug-lindje, dhe

•           2 projekte janë në jug –perëndim.

 

Këto 12 projekte janë të projektuara për:

të zgjeruar trajnimin teknik profesional në fushën e modës për industrinë e këpucëve;

për ristrukturimin e ndërtesave të papërdorshme shkollore;

për të mbështetur vajtjen në shkollë të fëmijëve që nuk dëgjojnë nëpërmjet futjes dhe përdorimit të teknologjive të reja të informacionit;

për të nxitur përfshirjen sociale të fëmijëve dhe të rinjve me aftësi të kufizuara;

për të forcuar parandalimin e kancerit për gratë;

për të futur një sistem të ri të Informacionit Shëndetësor për përmirësimin e ofrimit të shërbimeve dhe të shpenzimeve publike në shëndetësi;

për zhvillimin e zonave rurale për të promovuar turizmin dhe diversifikimin e aktiviteteve prodhuese për krijimin e mundësive të reja të punësimit dhe të kontribuojnë në rigjenerimin e kulturës, natyrës dhe arkitektonisë së vendit.

Ky është viti i dytë e shpalljes së projekteve në kuadër të programit IADSA, me vlerë rreth 20 milionë euro. Në vitin e parë u shpallën fitues 13 projekte me vlerë, rreth 4.5 milionë euro.

Brenda këtij viti do të bëhet thirrja e 3-të e garës.

Të rejat e fundit