Postuar më: 26/07/2019

Kontroll subjekteve në sektorin hidrokarbureve, Denaj: Jo më produkte jashtë standardeve dhe shmangie të detyrimeve fiskale

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, z. Arlind Gjokuta, dhe kryeinspektorin e Inspektoriatit Shtetëror Teknik Industrial, z. Admir Abrija, zhvilluan sot një inspektim në subjekte të sektorit hidrokarbur në zonën e Vorës.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë sqaroi se sektori hidrokarbur është një sektorët me risk të lartë jo vetëm sa i përket evazionit fiskal, por edhe mungesës së cilësisë.

Ministrja Denaj kërkoi që kontrolli në këtë sektor duhet të shtrihet në gjithë subjektet që operojnë në treg, duke nisur që nga ata që qarkullojnë sasitë më të mëdha, e deri te më të vegjlit. Ajo bëri me dije se gjatë muajit gusht kryefjala e Planit Operacional kundër informalitet do të jetë pikërisht inspektimi dhe kontrolli në sektorin hidrokarbur dhe produktet e akcizës.

“Kërkesa ime është që, ne këtë treg duhet të kontrollojmë të gjithë. Sigurisht duhet të fillojmë nga tregtarët, të cilët kanë sasitë më të mëdha që qarkullojnë në treg e deri te më të vegjlit, por për të garantuar cilësinë e karburantit ne nuk mund të shkojmë vetëm te një grup. Duhet të shkojmë te të gjithë dhe për këtë, Plani Operacional i gushtit është totalisht i fokusuar në këtë sektor, për të siguruar dhe cilësinë e karburantit që tregtohet në treg dhe realizimin e të ardhurave në mënyrë proporcionale me atë që duhet të ndodhë në realitet dhe jo në atë që faktikisht ndodh sot”, u shpreh Ministrja.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe Inspektoriati Shtetëror Teknik Industrial kanë zhvilluar kontrolle të vazhdueshme në ditët e fundit në sektorin hidrokarbur. Nga kontrollet e para, dy subjekte kanë rezultuar me produkt solar jashtë standardeve të lejuara dhe me shmangie të detyrimeve fiskale.

“Në të dy rastet flasim për rreth 35 mijë litra produkt, ku vlera e munguar e akcizës së paguar është rreth 1.3 milionë lekë. Për të dy rastet u morën masat e menjëhershme duke u bllokuar sasia e lëndës djegëse, ndërsa ka nisur hetimi për të kuptuar të gjithë zinxhirin e transaksionit”, tha Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, z. Arlind Gjokuta.

Kryeinspektori i ISHTI sqaroi se kontrollet e kësaj jave janë fokusuar si te prodhuesit, ashtu edhe konsumatorët e mëdhenj, ku janë konstatuar shkelje edhe në cilësi dhe janë marrë masat e parashikuara në ligj. Një prej subjekteve të kontrolluar rezultoi me produkt solar me nivelin e squfurit më të lartë se norma e lejuar dhe pas marrjes së masave administrative nga ISHTI, do të vijohet me hetimin dhe verifikimin sa i përket transaksionit të kryer, pasi subjekti e kishte blerë këtë produkt nga një shitës i madh.

Ministrja Denaj garantoi se do të merren të gjitha masat e nevojshme për të ndaluar tregtimin jashtë standardeve të produkteve në sektorin e hidrokarbureve si dhe mospagesës së detyrimeve fiskale nga ana e subjekteve tregtare.