Postuar më: 12/07/2019

Kompania “Yura Corporation” hyn në tregun shqiptar, 13 milionë euro investime dhe 1100 të punësuar

Në ceremoninë  e përurimit të nisjes së investimit të kompanisë koreane jugore “Yura Corporation” në Shqipëri, në sektorin automotiv, për prodhimin e pjesëve teknologjike të autoveturave, morën pjesë  Kryeministri, z.Edi Rama, dhe Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj. Të pranishëm ishin edhe Drejtori i AIDA-s, z. Sokol Nano, dhe kryetari i bashkisë së Fierit, z. Armando Subashi.

Ministrja Denaj shprehu kënaqësinë e saj për investimin që kompania do të realizojë në vendin tonë, i cili në të dy fazat e tij do të arrijë në 13 milionë euro, do të punësohen rreth 1100 punonjës dhe do të investohet në gati 4.9 hektarë tokë në zonën e Fierit.

Ministrja vlerësoi se fuqia punëtore, kostot konkurruese dhe pozita gjeografike e Shqipërisë janë disa nga elementët që tërhoqën vëmendjen e kompanisë për të investuar në vendin tonë dhe shprehu bindjen se edhe investitorë të tjerë të huaj do të zgjedhin Shqipërinë për të investuar, ashtu si kompania “Yura Corporation”.

Ministrja përmendi dhe disa nga sektorët me interes për investitorët e huaj, si turizmi elitar, energjia e rinovueshme, transferimi i proceseve të biznesit apo dhe sektori i automotivës, ku dhe po investon kompania koreano jugore.

Gjithashtu, Ministrja Denaj solli në vëmendje edhe shifrat pozitive të investimeve të huaja direkte në vendin tonë gjatë vitit 2018, të cilat arritën në mbi 1 miliardë euro apo 13.5 % më shumë se sa viti 2017, duke e renditur Shqipërinë në vendin e dytë në Ballkanin Perëndimor për sa i përket ritmin e rritjes së IHD-ve, gati 7.5 % ndaj Produktit të Brendshëm Bruto. Shifra pozitive të IHD-ve u shënuan edhe në tremujorin e parë të vitit 2019, 285 milionë euro investimeve dhe me rritje në krahasim me të njëjtin tremujor të një viti më parë.

 

Fjala e Ministres Denaj:

Së pari, dy fjalë për investimet e huaja direkte dhe përpjekjet e qeverisë shqiptare për tërheqjen e investimeve të huaja direkte, të cilat në vitin 2018 arritën një shifër rekord prej 1 miliard eurosh, gati 13.5 % më shumë se një vit më parë dhe me një ritëm rritje i dyti në rajonin e Ballkanit Perëndimor me 7.5 % ndaj Produktit të Brendshëm Bruto. Ndërkohë, në tremujorin e parë të vitit 2019 kemi regjistruar 285 milionë euro investime, pak më shumë se sa i njëjti tremujor i një viti më parë.

Një rol shumë të rëndësishëm kanë jo vetëm politikat, por edhe instrumentet për të arritur këto objektiva; AIDA, mbi të gjitha, në përpjekjen për të ndihmuar investitorët e huaj për të qenë një dritare unike, por edhe për të ndjekur gjithë zinxhirin e proceseve si raport me ministritë, ashtu edhe me bashkitë ku ato janë duke investuar.

Më tej, jemi angazhuar në një automatizim procesi, në atë që ne në gjuhën tonë të përditshme e quajmë “Portali Invest”, si një platform komunikimi me të gjithë palët, Ambasadave, AIDA dhe ministrive.

Prej disa vitesh po përpiqemi të zhvendosim vëmendjen në disa sektorë shumë të rëndësishëm, ku investitorët e huaj mund të tërheqin vëmendjen në Shqipëri, duke filluar nga turizmi elitar, energjia e rinovueshme, transferimi i proceseve të biznesit, sektori i automotivës ku dhe biznesi që po përurojmë sot bën pjesë.

Kompania koreano Jugore Yura Corporation është shembulli se si këto objektiva mund të realizohen, pavarësisht nga disa vështirësi prej të cilave dhe mësojmë në proces. Fuqia punëtore, kostot konkurruese, pozita gjeografike janë disa nga incentivat që tërhoqën investitorin, të cilat u përmendën pak më parë.

Plani i biznesit i propozuar përtej marrëveshjes që kemi firmosur në kontratë parashikon jo vetëm një investim në 4.9 hektarë tokë në këtë zonë, por një investim i cili në fazën e dytë të tij do të shkojë në 13 milionë euro dhe një numër prej 1100 punonjësisht.

Kjo prezencë na kënaq dhe na dëshmon se kemi rezultate pozitive të cilat na ofrojmë dhe optimizëm për të ndjekur këtë proces dhe me të gjithë investitorët e tjerë.

I uroj kompanisë shumë suksese.