Postuar më: 28/07/2019

Inspektime nga Currilat në Golem, Denaj thirrje bizensit të vetëkorrigjohet, të parandalohen masat drastike

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj.Anila Denaj, në vijim të zbatimit të Planit Operacional Anti – Informalitet, zhvilloi një inspektim në zonën bregdetare Currila – Golem. Në këtë inspektim, ministrja shoqërohej edhe nga Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, z.Ervin Hoxha.

Janë rreth 100 subjekte të inspektuara në pjesën e bregdetit nga Currilat deri në Golem, ku strukturat e Hetimit Tatimor kanë gjetur konstatime, sidomos në hotelet e mëdha me 4 yje, për të cilat në disa raste janë vendosur edhe shirita si pasojë e shkeljeve të përsëritura. Gjithashtu, janë evidentuar edhe gjetje për herë të parë, për të cilat është ndërgjegjësuar biznesi, me qëllim rritjen përmbushjes vullnetare.

“Në konstatimet e bllokimeve për kupon tatimor, për mosdeklarim të çmimit real të dhomës së hotelit, mospublikimin e çmimeve, sidomos në hotele me katër yje, duhet të kuptojmë drejt që qeveria shqiptare ka bërë përpjekje të mëdhaja për të stimuluar turizmin. Është ulur në 6% TVSH-ja për këto hotele, që sigurisht ftojnë çdo ditë nëpërmjet shërbimit të tyre grupe turistësh si nga Shqipëria, ashtu edhe nga vende të tjera. Ne nuk mund të kërkojmë të përfitohet në aspekt të paligjshmërisë. Kështu që, ju lutemi përfitoni sa më shumë nga lehtësimi fiskal për reduktimin e TVSH-së,  por deklaroni të plotë kuponin tatimor dhe çmimet”, tha ministrja Denaj.

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, z.Ervin Hoxha, nënvizoi se në vijën bregdetare Currila-Golem dhe anasjelltas janë planifikuar të gjitha grupet e inspektimit në terren. “Janë rreth 8 grupe, të cilët operojnë në këtë zonë, kryesisht në kontrollin e hoteleve me kapacitete të larta akomoduese dhe burime njerëzore, të cilët ofrojnë pushuesve shërbimet e tyre në ditët e nxehta të verës. Fatkeqësisht kemi konstatuar edhe hotele, të cilat nuk presin kupon. Jemi  detyruar në tre subjekte me një xhiro të konsiderueshme dhe me kapacitete të mëdha të vendosim shirita bllokimi”, tha z.Hoxha.

Strukturat e Hetimit Tatimor do të vazhdojnë inspektimet, ndërsa i bëjnë  thirrje të gjithë subjekteve të këtyre niveleve që të vetëkorrigjohen, të ndërgjegjësohen, me qëllim rritjen e të ardhurave dhe reduktimin e informalitetit.