Postuar më: 24/11/2022

Ibrahimaj në Kuvend: Projekti “Marina & Jahtet e Durrësit”, investim madhor në mbështetje të rritjes ekonomike

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, prezantoi në seancë plenare projektligjin e projektit të investimit strategjik “Marina & Jahtet e Durrësit”.

Ministrja parashtroi para deputetëve pikat kryesore të këtij projekti, duke hedhur poshtë pretendimet e ngritura gjatë javëve të fundit mbi ndërtimin e tij.

Ministrja Ibrahimaj tha,  se ai  është projekti më i madh në Shqipëri dhe në rajon, me një vlerë investimi prej 2.1 miliardë euro, që synon mbështetjen e rritjes ekonomike të vendit,  dhe përbën një dëshmi të qartë se Shqipëria sot është më atraktive në të bërit biznes dhe për të investuar.

“Ne sjellim para jush një kontratë të mirënegociuar, e cila përkthehet  në zhvillim ekonomik, me ndikim të drejtpërdrejtë në punësim, në zhvillimin afatgjatë me rëndësi kombëtare e rajonale. Ndikim do të ketë në përmirësimin e imazhit të vendit, si mikpritës i investitorëve të huaj dhe si garantues i tyre, duke u bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare”, tha Ibrahimaj.

Ministrja tha, se gjatë negociatave për marrëveshjen e projektit në fjalë janë mbajtur fort parasysh interesat e shtetit shqiptar dhe qytetarëve shqiptarë, duke shtuar se ky është projekti i parë ku qeveria shqiptare bëhet aksionere, 33 % të aksioneve, të cilat nuk do të ndryshojnë në asnjë moment.

Po ashtu, Ministrja Ibrahimaj theksoi se, ndryshe nga sa është pretenduar, kompania që do të zbatojë projektin nuk do të ketë asnjë përjashtim nga TVSH-ja, tatim fitimi apo kontribute të tjera, ashtu sikurse nuk do të ketë falje apo shitje të pasurisë publike.

Nga ana tjetër, Ministrja bëri me dije se porti aktual i Durrësit është duke arritur maksimumin e volumeve që mund të përpunohen në të dhe nevoja për transformimin e tij nuk vjen si pasojë e ekzistencës së projektit turistik “Marina & Jahtet e Durrësit”, por si një nevojë e pavarur për transformimin e infrastrukturës portuale në një tjetër nivel, i cili garanton volume shumë më të larta tregtare me standarde bashkëkohore.

Ministrja garantoi, se porti i Durrësit nuk do të mbyllet, pasi aktiviteti portual nuk preket nga punimet fillestare, ndërsa faza e dytë e zhvillimit të Portit turistik dhe ballinës ujore do të nisë vetëm kur të jenë ndërtuar terminalet e reja të Portit tregtar të Durrësit në Porto Romano.

Fjala e plotë e Ministres Ibrahimaj:

E nderuar Kryetare,

Të nderuar Deputetë,

Të dashur Qytetarë,

Sot kam privilegjin të prezantoj një projekt të rëndësishëm dhe investim madhor në ekonominë tonë, projektin e “Marrëveshjes për Marinën turistike dhe zhvillimin e Ballinës ujore të Durrësit”.

E kam ndjekur me shumë vëmendje debatin e zhvilluar muajin e fundit për këtë projekt dhe me keqardhje shoh, jo si anëtare e kabinetit qeveritar por si qytetare, se ky nuk është një debat. Kjo është një dashakeqësi, mendjeshkurtësi, një tymnajë jo gjysmë të vërtetash siç jemi mësuar të dëgjojmë, por një tymnajë gënjeshtrash, që kërkohen t’u serviren qytetarëve, jo si biseda në një Parlament të një shteti, por si biseda kafenesh.

Në prezantim tim do mundohem të jem shumë koncize dhe e saktë, duke iu referuar vetëm fakteve dhe duke lënë mënjanë të gjithë indinjatën e thellë që ndiej si qytetare.

Në  një kohë kur të gjitha ekonomitë globale, përfshirë edhe ekonominë e vendit tonë të vogël, po tkurren, ne prezantojmë një projekt investimi i cili është qartazi dëshmi e atraktivitetit të ekonomisë shqiptare. Po kjo nuk është e vetmja gjë.

Investimet e huaja direkte në 6-mujorin e parë të vitit 2022 janë rritur me 35% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Shqipëria ka një potencial shumë të madh turistik, në zhvillimin e sektorit energjetik, agrobiznesit, teknologji informacioni, etj. Kjo, falë reformave dhe përpjekjeve të bëra gjatë viteve fundit, falë reformave të ndërmarra në fushën e digjitalizimit, falë përmirësimit të kuadrit ligjor, falë përafrimit me standardet e BE-së, falë ndërtimit të një shteti të fortë ligjor, falë përmirësimit të klimës së biznesit.

Gjatë periudhës që kam pasur nderin të jem Ministre e Financave dhe Ekonomisë, jam takuar dhe kam diskutuar me shumë homologë, me shumë biznese të vendeve të tjera, dhe në përfundim të gjithë takimeve kam pasur të njëjtin rezultat, Shqipëria sot është më atraktive për të bërë biznes, Shqipëria sot ka bërë progres të jashtëzakonshëm në këtë drejtim dhe projekti që ju paraqitet sot për votim është rasti më ekselent i një investimi që synon mbështetjen e rritjes ekonomike të vendit, zhvillimin e zinxhirëve të vlerës, zhvillimin e zinxhirëve të logjistikës përmes transformimit të qytetit të Durrësit, transformimit të infrastrukturës portuale.

Ky projekt nuk është vetëm projekti më i madh në Shqipëri, por është projekti më i madh në rajon. Ai ka një vlerë investimi të konsiderueshme prej 2.1  miliardë Euro.

Nëpërmjet këtij projekti synohet të krijohen 12,000 vende pune, dhe këtu po flas për ndikimin direkt të projektit. Pra, fillimisht në ndërtimin dhe zhvillimin e kësaj zone, më pas me menaxhimin e veprimtarisë ekonomike të bizneseve, përkatësisht punësimin në hotele, në restorante, në biznese apo njësi shërbimesh.

Ne synojmë që nëpërmjet këtij projekti të rivitalizojmë zonën. Po flas për përmirësimin e infrastrukturës dhe faciliteteve urbane, për forcimin e komunitetit, ofrimin e shërbimeve sociale, zhvillimin e artit dhe kulturës, në një mjedis turizmi elitar.

Kam dëgjuar shumë narrativa dhe po e filloj me narrativën: përse në Durrës? Po përse jo në Durrës?! Durrësi e meriton dhe e justifikon në të gjitha drejtimet këtë injektim sasior dhe cilësor të investimeve! Sepse, me gjithë pushtimet, luftërat apo tërmetet që e kanë goditur, Durrësi vazhdon po aty, vazhdon i ringritur, vazhdon i rilindur.

Sepse Durrësi konsiderohet qyteti më i vjetër bregdetar në bregun Adriatik nga Vlora deri në Trieste, dhe do të vazhdojë të jetë aty edhe nesër, më i bukur dhe më i begatë për ne, për fëmijët tanë dhe për të gjithë brezat që do të vijnë.

Të dashur qytetarë,

Për të siguruar këtë investim, ne kemi negociuar fort dhe gjatë, ndryshe nga çfarë lexojnë ata që hedhin fall në filxhane nga mëngjesi në darkë dhe pastaj i shpalosin spekulimet e tyre si teza patriotike me “flamurin” e kombit, me interesat e kombit dhe mbrojtjen e këtyre interesave. Por këta harrojnë se çfarë i kanë bërë këtij vendi dhe ekonomisë së tij. Këta i harrojnë, me siguri, skemat piramidale, harrojnë shitjen e aseteve shtetërore, këto harrojnë faljen e aseteve shtetërore në këmbim të TVSH, harrojnë periudhën kur ndodhën të zezat e Gërdecit apo të 21 janarit. I harrojnë të gjitha, por populli nuk i harron! Këta e harrojnë se si e kanë falur interesin publik për hir të interesave personale. Ne sot jemi këtu për të treguar që ne nuk veprojmë kështu.

Ne sjellim para jush një kontratë të mirënegociuar, e cila përkthehet  në zhvillim ekonomik, me ndikim të drejtpërdrejtë në punësim, në zhvillimin afatgjatë me rëndësi kombëtare e rajonale, në rritjen e vlerës së pronës ku të gjithë qytetarë që do të blejnë prona nesër, individët apo bizneset, do të kenë një vlerë të shtuar të pronës së tyre. Ndikim do të ketë në imazhit të vendit, si mikpritës i investitorëve të huaj dhe si garantues i tyre, duke u bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare.

Ne kemi negociuar për 1 vit dhe në përfundim: nga 33 kërkesa të investitorit, kemi pranuar vetëm 5 prej tyre. Kjo negociatë nisi me një kërkesë të investitorit, ku shteti të ishte aksioner me 19 %, dhe u mbyll me një kontratë që ju paraqitet sot ku shteti do të jetë aksioner me 33 % të aksioneve. Është e rëndësishme të theksohet që AKSIONET NUK DO TË NDRYSHOJNË NË ASNJË MOMENT.  Po e përsëris, në asnjë moment!

Pasi ne kemi të drejtën e VETO-s për çdo vendimmarrje të rëndësishme, për miratimin e buxhetit, përsa i përket marrjes së huave, masterplanit dhe çdo vendimmarrje tjetër të rëndësishme që do të cënonte pjesëmarrjen e shtetit në këtë investim kaq të rëndësishëm.

Ndryshe nga sa kam dëgjuar dhe nga sa është thënë:

  • nuk ka asnjë përjashtim nga TVSH-ja, tatim fitimi apo kontribute të tjera, por janë plot 1 miliardë euro që do të arkëtohen në formën e taksave nga ky projekt në 20 vitet e ardhshme.
  • Në këtë projekt shteti do të ketë një kontribut me pjesëmarrje në vlerën nominale prej 220 milionë euro dhe kjo përkthehet në taksën e infrastrukturës dhe strehimit social. Këto, nuk janë të ardhura që i kemi aktualisht dhe po i falim, por janë masa mbështetëse që do aplikohen kur të nisë zhvillimi i projektit;
  • Në total, 45 % e sipërfaqes që do të angazhohet në zhvillimin e projektit do t’i kthehet qytetit të Durrësit, ku 20% e truallit i rikthehet Durrësit si pronë shtet e rehabilituar, ndryshe nga sa është sot, dhe 25 %, duke e çuar në 45 % totalin, përbëhet nga infrastruktura detare (kalatat, baseni, kanali hyrës) të cilat mbeten pronë e shtetit;
  • ne po japim të drejta zhvillimi, pra toka as nuk falet, as nuk shitet dhe as mund të vendoset si kolateral, por vetëm pas ndërtimit mund të transferohet pronësia.

Më lejoni të paraqes disa detaje të tjera. Kam dëgjuar debate sa i përket portit aktual të Durrësit. Qeveria shqiptare ka miratuar një strategji ambicioze, “Planin Kombëtar Sektorial të Transportit Detar dhe Infrastrukturës Portuale” për zhvillimin e ekonomisë blu dhe transportit detar, e cila parashikon nga njëra anë, zhvendosjen e aktivitetit të përpunimit të ngarkesave nga portet e vjetra, të cilët kanë arritur kapacitetin e tyre maksimal të shfrytëzimit, në fasilitete të reja jashtë zonave urbane, si dhe, nga ana tjetër, rizhvillimin urban të porteve të vjetra në marina të dedikuara për shërbimet turistike me standarde të larta.

Të dhënat tregojnë se porti aktual i Durrësit është duke arritur maksimumin e volumeve që mund të përpunohen në të. Gjithashtu, për efekt të vendimmarrjeve të gabuara në të kaluarën, ai vuan sot nga disa një mangësi thelbësore, që krijon ndikim negativ në siguri dhe mjedis.

Transformimi i portit tregtar të Durrësit nuk vjen si pasojë e ekzistencës së projektit turistik “Marina & Jahtet e Durrësit”, por si një nevojë e pavarur për transformimin e infrastrukturës portuale në një tjetër nivel, i cili garanton volume shumë më të larta tregtare me standarde bashkëkohore.

Përparësia e dhënë për zhvillimin e ekonomisë blu kërkon që porti i ri tregtar i Durrësit në Porto – Romano të mos mbetet thjesht një port ngarkim-shkarkimi, por të kthehet në një port logjistik, porti kryesor në rajon. Ky është vizioni ynë për portin e Durrësit. Ky port do të jetë një qendër për përpunimin e ngarkesave tranzit për vendet fqinje me atraksionin e një zone ekonomike të dedikuar, që mund të mbështesë aktivitetin prodhues dhe eksportin brenda faciliteteve portuale.

PRA, JO! Ne NUK P0 E MBYLLIM PORTIN E DURRËSIT! Nga punimet fillestare nuk preket aspak aktiviteti portual aktual. Faza e dytë e zhvillimit të Portit turistik dhe ballinës ujore do të nisë vetëm kur të jenë ndërtuar terminalet e reja të Portit tregtar të Durrësit në Porto Romano.

Në fazën e parë do të funksionojë porti i Durrësit si port tregtar dhe në vijimësi modernizohet, investohet dhe nisë të funksionojë si një port i specializuar për pasagjerët dhe jahtet, dhe jo vetëm kaq, por si port që mund t’u ofrojë shërbime këtyre anijeve në mënyrë që ato të qëndrojnë më gjatë dhe të gjenerojnë më shumë të ardhura për shtetin dhe për operatorët e shërbimeve portuale.

Pra, kemi të bëjmë me krijimin e një zinxhiri vlere të shtuar ekonomike me ndikim të drejtpërdrejtë në të ardhurat fiskale të shtetit dhe në të ardhurat e qytetarëve që kanë prona në Durrës.

Më lejoni të parashtroj disa fakte për mënyrën se si erdhëm deri tek investitori:

  • Procedura nisi me vlerësimin nga një grup operacional i përbërë nga ekspertë të ministrive të linjës, i cili bëri një diligjencë të aplikimit. Më pas, në dhjetor 2021, kompania Symphony mori statusin e investitorit strategjik nga Komiteti i Investimeve Strategjike (“KIS”), për t’u dakordësuar më pas me Këshillin e Ministrave për disa terma dhe kushte thelbësore “në parim” dhe “jo-detyruese”.
  • Me qëllimin për të përfaqësuar sa më mirë interesat e shtetit deri në përfundim të projektit, u krijua shoqëria aksionare “Albanian Seaports Development Company” me pronësi 100% në shtet. Në vijim u propozua dhe pranua ndryshimi i emrit të kompanisë në Eagle Hills dhe së fundmi, KIS miratoi pjesëmarrjen e shtetit në investim dhe i dha paraprakisht shoqërisë që do të themelohet nga shoqëria aksionare shtetërore dhe Eagle Hills statusin e Investitorit Strategjik.

Kompania e cila po investon është investitor kyç në zhvillimin e destinacioneve të famshme.

Në 5 vitet e fundit kjo kompani ka investuar 14 miliardë euro në rajon dhe më gjerë.

Sa i takon planit të biznesit, sipërfaqja e zhvilluar e ndërtimit parashikohet të jetë nga 1.3 milionë-2 milionë metra katrorë, ndërsa parashikohen të ndërtohen hotele me 4 dhe 5 yje, hapja e vendeve të punës, 80,000 m2 hapësira të gjelbra; 700 metër linear gjatësi plazhi; 280 vend-ankorime për jahte të thjeshtë, super-jahte dhe mega-jahte.

Të nderuar deputetë,

Ne kemi negociuar gjatë për mbajtur fort interesat e shtetit shqiptar dhe interesat e gjithë qytetarëve shqiptarë. Ky është projekti i parë ku qeveria shqiptare bëhet aksionere dhe me këtë do të doja ta përfundoja fjalën time duke u përpjekur të jem sa më shpjeguese në ato që parashtrova dhe kam bindjen e plotë se do të ngrihemi sot përtej retorikës politike dhe do t’i hapim rrugë një prej investimeve më të mëdha në rajon.

Faleminderit!