Deputetët e opozitës duhet të japin kontributin e tyre në nismat ligjore mbi sigurinë, cështejet sociale dhe zhvillimin ekonomik të vendit, dhe jo të merren me shpifje dhe akuza të pabaza. Kështu u shpreh Ministre e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, gjatë seancës plenare ku ishte kërkuar mocion për kryeministrin Edi Rama për çështjen MC Gonigal.
Gjatë fjalës së saj Ministrja Ibrahimaj theksoi se në këtë kohë në të cilën po jetojmë duhet të tregojmë vëmendje, duhet të japim të gjithë kontributin dhe energjinë tonë me qëllim që të tejkalohen të gjithë problematikat me të cilat po hasemi. Por ky nuk duket sikur është prioritet i opozitës, aq më shumë asaj që kemi me orë e orë të tëra që dëgjojmë të bëjë atë që me sa duket di të bëjë më mirë, t’i hedhë hi sy shqiptarëve.
“Ne jemi këtu për t’i siguruar Shqipërisë një të ardhme më të mirë, për tu integruar drejt familjes së madhe europiane, për t’i dhënë më shumë shpresë fëmijëve tanë dhe për t’i parë në sy ata që na votojnë””, tha Ministrja duke bere dhe nje panorame te nismave të fundit të Qeverisë në mbështetje të qytetarëve.
Duke e vlerësuar këtë kërkesë të opozitës si “një lojë të shëmtuar” Ibrahimaj tha se kjo e sotmja është një përpjekje patetike pasi shqiptarët e shohin mirë se si është e vërteta dhe realiteti.
Më poshtë gjeni fjalën e plotë të Ministres së Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj
Fjala e Ministres Delina Ibrahimaj në Parlament
E nderuar kryetare,
Të nderuar deputetë,
U bë gati dhjetë orë që diskutojmë një mocion të kërkuar me forcë nga deputetët e opozitës, i cili dhe njëherë tjetër konfirmon vizionin e opozitës shqiptare, një vizion i cili ka bërë këtë çështje epiqendër të kauzës së saj pa kauzë.
Të nderuar deputetë,
Qytetarët ju kanë votuar për të diskutuar mbi nisma ligjore. Ju kanë votuar që t’i shërbeni atyre. Ju kanë votuar që në ditët e sotme të diskutoni për sigurinë, të diskutoni për ekonominë, të diskutoni për çështje sociale.
Jetojmë në një kohë në të cilën duhet të tregojmë vëmendje, duhet të japim të gjithë kontributin dhe energjinë tonë me qëllim që të tejkalohen të gjithë problematikat me të cilat po hasemi. Por ky nuk duket sikur është prioritet i opozitës, aq më shumë asaj që kemi me orë e orë të tëra që dëgjojmë të bëjë atë që me sa duket di të bëjë më mirë, t’i hedhë hi sy shqiptarëve.
Nga ato që dëgjuam në mënyrë të përsëritur 10 orët e fundit, me sa duket shqetësimi juaj i vetëm është të na servirni fjalime boshe .
Me çfarë jemi duke u marrë? Jemi duke u marrë me një tymnajë. Me një absurditet që nuk na përket aspak, që nuk i përket Shqipërisë, nuk i përket shqiptarëve, por i përket Amerikës.
Me lejoni të sjell në vëmendje një komunikim të bërë nga i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Esobar, i cili dha një mesazh të qartë që duhet ta dëgjojnë të gjithë: ata që kanë veshë, ata që kanë një logjikë të pastër dhe ata që kurrësesi nuk duan të hidhet baltë mbi Shqipërinë.
“Shqipëria është aleate e NATO-S dhe pjesë e Këshillit të Sigurimit, çështja MC Gonigal nuk e ka dëmtuar aspak marrëdhënien tonë të mirë me Shqipërinë. Shqipëria na ka ndihmuar shumë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ”.
Mesazhi është i qartë si drita e diellit. Kjo çështje i përket drejtësisë amerikane.
Kjo nuk është çështje emrash dhe shkronjash. Kjo nuk është një çështje që i përket Shqipërisë, qeverisë dhe aq më pak kryeministrit Rama.
Dosja hetimore që ka shkuar në gjyq dhe prokuroria ka ngritur një akuzë ka vetëm një emër: Charles McGonigal.
Po Ju, edhe këtë lojë të shëmtuar e shfaqët sot dhe harxhuat 10 orë duke diskutuar, e keni të humbur, siç keni të humbur gjithë besimin e shqiptarëve, kur ziheni se kujt duhet t’i përkasë karrigia e partisë suaj, kur nuk po ngjallni më asnjë shpresë dhe kur po e ndjeni se 14 maji po afron dhe sërish do të jeni të humbur përballë votës së qytetarëve.
Kjo nuk është hera e parë që ju merrni “flamurin” e drejtësisë në mbrojtjen e parimeve të saj. Ju që ditët vetëm të hidhnit baltë mbi reformën në drejtësi dhe që vazhdoni ta bëni atë çdo ditë.
Pikërisht Ju që mediat amerikane dikur i quanit letër higjenike, sot i citoni me entuziazëm dhe me pasion.
Po kë duhet të besojnë shqiptarët? Çfarë duhet të harrojnë shqiptarët? Duhet të harrojnë të vrarët në Bulevard në mes të ditës, duhet të harrojnë skemat piramidale, duhet të harrojnë shkatërrimin e ekonomisë shqiptare, duhet të harrojnë zjarrin që i vutë Shqipërisë, duhet të harrojnë borxhet që i latë, duhet të harrojnë papunësinë që ishte e përhapur në të gjithë Shqipërinë, apo rrënimin e të gjithë sistemit ekonomik?
Apo mos ndoshta duhet të harrojmë se sa herë që ne flasim për investime madhore, për projekte madhore, për zhvillime infrastrukturore, Ju dilni nëpër foltore dhe kundërshtoni çdonjërin prej tyre. Natyrisht që, me sa duket, detyra juaj është të merrni kohën me fjalime të pafundme , krye e fund me akuza, dhe t’i mbushni mendjen shqiptarëve se si: Ky vend nuk bëhet; se si këtu nuk duhet të jetohet!
Dhe unë, si anëtare e kabinetit të qeverisë, si qytetare, si nënë, si një njeri që kam vendosur që të ardhmen time dhe të fëmijëve të mi ta ndërtoj këtu, nuk dua të humb kohë me fjalime boshe. Nuk dua të humb kohë pa punuar.
Ne jemi këtu për t’i siguruar Shqipërisë një të ardhme më të mirë, për tu integruar drejt familjes së madhe europiane, për t’i dhënë më shumë shpresë fëmijëve tanë dhe për t’i parë në sy ata që na votojnë.
Ne nuk kemi bërë gjithçka në mënyrë të përsosur, ama nuk i fshihemi as problemeve, as realitetit të cilin jetojmë. Ne kemi guximin të përballemi dhe t’i tejkalojmë të gjithë ato që na dalin përpara.
1 milion shqiptarë u mbështetën financiarisht në kohën e krizës. Asnjë familje shqiptare nuk e ndjeu rritjen e çmimit të të energjisë elektrike. Asnjë biznesi i vogël shqiptar nuk e ndjeu rritjen e çmimit të energjisë elektrike
Ne u bëmë mburojë në kohë sfidash të paqarta, kur e gjithë bota dhe ne vuajmë pasojat e një inflacioni të lartë dhe ende po vijojmë t’i mbështesim.
Ne dje miratuam rritjen e pagës minimale. Në vitin 2013 paga minimale ishte 22 mijë lekë. Nga 1 prilli ajo do të jetë 40 mijë lekë, 82% më e lartë se ajo që latë ju.
Por këto shifra juve nuk ju ndikojnë.
Ne sot duhet të ishim duke folur për se si do të rriten pagat në Shqipëri. Se çfarë mund të bëjmë më shumë me qëllim që t’i garantojmë mirëqenie qytetarëve tanë. Por me sa duket ju nuk keni kohë për ta bërë këtë.
Ne jemi këtu për të çuar përpara reformat strukturore në ekonomi, në drejtësi, në siguri, në infrastrukturë, në çështje sociale.
Ne jemi këtu të vazhdojmë të jemi alternativa më e mirë e progresit dhe e zhvillimit, ndërkohë ju vazhdoni të jeni opozita e shpifjeve, që synojnë të mashtrojnë shqiptarët dhe të njollosin Shqipërinë. Vazhdoni ta harxhoni energjinë tuaj me afera imagjinare. Vazhdoni të mendoni se ne jemi kundër aletatit tonë kryesor, ndërkohë që ju jeni ata të cilët aleati ynë kryesor u ka mbyllur derën.
Kjo e sotmja është një përpjekje patetike pasi shqiptarët e shohin mirë se si është e vërteta dhe realiteti.
Ndaj ju bëj thirrje të gjithëve të hiqni dorë nga gënjeshtrat, nga zhurmuesit, të reflektoni dhe kontribuoni për vendin dhe për qytetarët.
Faleminderit!
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2023 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.