Postuar më: 20/12/2021

Ibrahimaj: Masat dhe reformat e ndërmarra nga qeveria kanë rimëkëmbur ekonominë

Ministrja Ibrahimaj prezanton Aktin Normativ për ndryshimin e buxhetit në Kuvend

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, paraqiti në seancën plenare të Kuvendit Aktin Normativ “Për disa ndryshime në ligjin Nr.137/2020 “Për buxhetin e vitit 2021”, i ndryshuar”.
Ministrja Ibrahimaj u shpreh se Akti Normativ është një dëshmi e performancës së mirë ekonomike dhe asaj të mbledhjes së të ardhurave, ku vetëm për periudhën 10 mujore ka një mbi realizim me 18.2 miliard lekë.
“Ne kemi një mbirealizim për 10 mujorin me 18.2 miliard lekë, i cili është i parashtruar në të ardhurat e rritura për 10 mujorin në vlerën 5.9 % mbi planin e vitit ose 19.3 % mbi vitin 2020. Këto shifra janë edhe më të larta se sa ato të vitit 2019, i cili ishte një vit normal, pasi janë rreth 8 % mbi vitin 2019”, tha Ibrahimaj.
Këto rritje në të ardhura, vijoi Ministrja, janë materializuar në ndryshime në buxhet, ku vlen të theksohet akordimi i një bonusi për festat e fund vitit për të gjithë kategoritë e pensionistëve, personat e përfshirë në skemën e ndihmës ekonomike apo personat me aftësi të kufizuara.
Ministrja nënvizoi faktin se tashmë ekonomia e vendit ka hyrë në rrugën e rimëkëmbjes, falë masave dhe reformave të ndërmarra nga qeveria pas tërmetit të vitit 2019 dhe pandemisë COVID 19. Këto reforma, sipas Ibrahimaj, dhanë efekt që në tremujorin e katërt të vitit 2020 dhe po japin efekt edhe në vitin 2021.
Në këtë kuadër, Ministrja përmendi faktin se rritja ekonomike e këtij viti parashikohet të jetë rreth 7.8 %, në një kohë që në fillim të viti ky parashikim ishte rreth 4.4 %.

Fjala e Ministres Delina Ibrahimaj:
E nderuar zonja Kryetare,
Të nderuar Deputetë,
Kisha menduar ta nisja ndryshe fjalën time, por nuk mund të mbetem pa komentuar atë që ndodh çdo herë në këtë Kuvend. Unë përfaqësoj një brez, i cili ka lindur rreth viteve ‘80. Ne nuk e kemi njohur ’90-ën si destabilitet politik, sepse ishim shumë të vegjël për ta kuptuar se çfarë ndodhte. Por, kemi njohur ’97-ën. Kemi njohur gjithçka që ndodhte rreth atyre viteve të errëta të demokracisë shqiptare. Kemi njohur protesta të dhunshme. Kemi njohur fyerje dhe sharje ndaj individëve. Me keqardhjen më të madhe për të gjithë brezin që unë përfaqësoj, vij sot përpara jush për t’ju kërkuar më shumë dinjitet në këtë seancë, më shumë dinjitet në këtë Parlament, i cili përfaqëson popullin, përfaqëson të rinjtë dhe duhet të frymëzojë të rinjtë që t’i afrohen politikës, që kontribuojnë për vendin.
Tani do të flas për Akti Normativ, duke u mundur të hedh poshtë disa nga gënjeshtrat që u thanë këtu në këtë foltore, duke u munduar të flas faktin se si qeveria shqiptare e përballoi atë krizë të tmerrshme të vitit 2020, e cila vinte pas tërmetit të vitit 2019.
Ju mbase keni harruar dhe mbase nuk keni marrë pjesë në hartimin e buxheteve, në politikat që ne bëjmë, por pas tërmetit të vitit 2019 kjo qeveri u gjend në kohë rekord pranë të gjithë atyre që ishin dëmtuar nga tërmeti, fillimisht duke i ofruar një strehë të përkohshme dhe më pas duke i ofruar një strehë të cilën vazhdon tua paguajë edhe sot dhe do të vazhdojë tua paguajë deri kur çdo qytetar shqiptar të jetë në shtëpi.
Nga ana tjetër, direkt pas tërmetit ne u prekëm nga pandemia, si e gjithë bota, dhe në kohë rekord qeveria reagoi duke ndërmarrë akte normative dhe vendime të Këshillit të Ministrave për t’i ardhur në ndihmë të gjithë atyre që kishin më shumë nevojë. Për t’i ardhur në ndihmë të gjithë të punësuarve të cilët u gjendën pa punë, për t’i ardhur në ndihmë të gjithë familjeve me ndihmë ekonomike, ndihmë e cila vazhdoi edhe gjatë vitit 2021.
Ju thoni se ekonomia është e dështuar. Në fakt shifrat nuk tregojnë këtë. Ne ndërmorëm masa dhe reforma ekonomike me qëllim rimëkëmbjen ekonomike, të cilat dhanë efekt direkt që në tremujorin e katërt të vitit 2020, dhanë efekt në vitin 2021 që po jetojmë.
Në fillim të këtij viti ne e parashikonim rritjen ekonomike rreth 4.4 %. Tani, jo sipas nesh por sipas të gjithë institucioneve ndërkombëtare, rritja parashikohet 7.8 % e ndoshta dhe më e lartë. Kjo rritje është e shpërndarë në të gjithë sektorët e ekonomisë dhe jo vetëm në një.
Ne parashikojmë që:
• industria nxjerrëse të ketë këtë vit një rritje prej 15.4 %
• industria përpunuese 9.8%,
• tregtia me shumicë 7.6%,
• transporti 23%,
• akomodimi dhe ushqimi me 28% ,
• dhe ndërtimi me 10.3%.

Në fillim të vitit 2021, parashikimet ishin shumë më të ulëta, por si rrjedhojë e të gjitha masave konkrete që kjo qeveri ndërmori, kemi pasur një ecuri pozitive, e cila do të ndikojë në punësim, në ekonomi dhe në varfëri.
Nëse do t’i referohemi punësimit, ne sot kemi arritur normën e papunësisë të para krizës të vitit 2019 dhe në fund të këtij mandati synojmë që papunësia të jetë me normë një shifrore.

Sot përpara jush kemi këtë Akt Normativ, i cili është dëshmi e realizimit të mirë ekonomik të këtij viti. Ne kemi një mbirealizim për 10 mujorin me 18.2 miliard lekë, i cili është i parashtruar në të ardhurat e rritura për 10 mujorin në vlerën 5.9 % mbi planin e vitit ose 19.3 % mbi vitin 2020. Këto shifra janë edhe më të larta se sa ato të vitit 2019, i cili ishte një vit normal, pasi janë rreth 8 % mbi vitin 2019.
Këto rritje në të ardhura janë materializuar në ndryshime në buxhet, ku së pari dhe ç ‘është më e rëndësishmja, ne kemi parashikuar dhënien e një shpërblimi për festat e fund vitit për të gjithë pensionistët dhe për të gjithë ata që kanë nevojë më shumë për kujdes. Kjo ndihmë në momentin që flasim është duke u alokuar dhe është duke u shpërndarë pranë pensionistët.

Së dyti, por jo më pak e dobishme, ky Akt Normativ bëri efektiv edhe një sërë axhustimesh dhe rialokimesh mes zërave të shpenzimeve buxhetore, korente e kapitale. Këto lëvizje, që duhet theksuar janë pa kosto ose me kosto neutrale në buxhet, nga njëra anë ndikojnë ndjeshëm në optimizimit e shkallës së realizimit të shpenzimeve, dhe nga ana tjetër do të ndikojnë gjithashtu në rritjen e mëtejshme ekonomike.

Ne kemi parashikuar:
 Shtesën prej 7 miliardë lekë në Fondin e Rindërtimit, në mënyrë që të plotësojmë nevojat për financimin e projekteve në vazhdim, me qëllim arritjen e objektivit të Qeverisë, ku të gjithë qytetarët duhet të shkojnë në shtëpitë e tyre sa më shpejt të jetë e mundur.
 Shtesën prej 1.4 miliardë lekë për ‘Mirëmbajtjen e rrugëve’, me qëllim shlyerjen e detyrimeve të akumuluara në këtë zë, sidomos në kuadër të situatës klimatike jo të favorshme që jemi duke përjetuar.
 Shtesën prej 340 milionë lekë për Ministrinë e Bujqësie dhe Zhvillimit Rural, për financimin e vijueshëm të Skemës së Fermerëve për vitin 2021, bazuar në kërkesat e rritura të fermerëve në këtë drejtim.
 Shtesën në masën 308 milionë lekë për qiratë e strehimit social në kuadër të rindërtimit.

Tek projektet e investimeve publike, theksi në këtë akt normativ është vënë:
a) Në rritjen e performancës së shpenzimeve kapitale, duke rialokuar fondet mes projekteve të investimeve publike nga projektet me ecuri të ngadaltë, në ato me performancë më të lartë.
b) Në uljen e detyrimeve të prapambetura në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve dhe infrastrukturës, në përputhje me angazhimin e marrë edhe kundrejt FMN-së, përmes akordimit të fondeve të nevojshme në sektorët që paraqiten detyrime.
 Financimin shtesë prej 4.4 miliardë lekë për projektet në vazhdim për sektorin e ujësjellës-kanalizimeve në shkallë vendi.

 Financimin shtesë prej 3 miliardë lekë për projektet në vazhdim në Infrastrukturë në “Transportin rrugor”.
 Financimin shtesë prej 2.6 miliardë lekë për projektet në vazhdim të Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
 Alokimin në masën 2 miliardë lekë për Korporatën Shqiptare të Investimeve, në formën e transfertës kapitale për mbështetjen e projekteve të zhvillimit.
 Financimin shtesë prej 500 milionë lekë për projektet në vazhdim për dixhitalizimin dhe qeverisjen elektronike tek AKSHI.

 Financimin shtesë prej 1.9 miliardë lekë për disa projekte investimi me financim të huaj.

 Kemi alokuar 500 milionë lekë fonde për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të krijuara nga ish-komunat. Ky fond zë mesatarisht 7% të detyrimeve totale që kanë njësitë e vetëqeverisjes vendore.
 Kemi shtuar 70 milionë lekë për pjesën e taksave të ndara që i transferohen buxhetit vendor, për shkak të realizimit të lartë të tatimit mbi të ardhurat personale në rang vendi.
 Shtesën 56 milionë lekë për transfertën e pakushtëzuar sektoriale për rrugët, nga të cilat 46 milion për bashkinë Pogradec për një investim në vazhdim të akorduar nga Kuvendi në vitin 2021, dhe pjesën tjetër për disa bashki të tjera.

Së fundi, dëshiroj të bëj prezent para jush se ndryshimet e sapo miratuara nuk e prekën deficitin buxhetor, i cili nuk ka pësuar ndryshime në këtë akt normativ. Kjo, nisur nga ecuria pozitive e të ardhurave buxhetore për 10 mujorin 2021, e cila po materializohet dhe për 11 mujorin e për të gjithë vitin, dhe gjithashtu pritshmëria pozitive e realizimit të tyre ka sjellë një mbulimin të plotë të të gjitha nevojave për financim në kahun e shpenzimeve, të akomoduara në këtë akti normativ.

Qeveria Shqiptare do të vazhdojë me zbatimin e reformave në përfitim të qytetarëve, do të vazhdojë me mbështetjen përmes ndihmës sociale, do të vazhdojë të sigurojë vaksinat e nevojshme dhe do të vazhdojë të financojë projektet madhore infrastrukturore.

Për këto arsye uroj që ta miratoni të gjithë aktin normativ.