Postuar më: 12/09/2022

Ibrahimaj: Inovacioni dhe kërkimi shkencor, të forcojmë bashkëpunimin mes qeverisë, botës akademike dhe biznesit

 

 Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në Kongresin Kombëtar të Arsimit, ku ishte pjesë e panelit të diskutimit për “Kërkimin shkencor dhe inovacionin”.

Në diskutimin e saj, Ministrja Ibrahimaj theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes universiteteve, biznesit dhe institucioneve shtetërore, në kuadër të zhvillimit të kërkimit shkencor dhe inovacionit, i cili ndikon në zhvillimin ekonomik.

Forcimi i ndërveprimit mes botës akademike, politikëbërjes dhe biznesit, sipas Ministres, duhet të forcohet më tej, në funksion të ndërmarrjes së politikave të ndryshme të zhvillimit ekonomik, të cilat duhet t’i përgjigjen më së miri nevojave të biznesit.

Gjithashtu, Ministrja Ibrahimaj theksoi domosdoshmërinë e nxitjes së biznesit drejt inovacionit, kërkimit dhe zhvillimit.

“Biznesi është i lidhur ngushtësisht dhe domosdoshmërisht me zhvillimin e inovacionit. Ne duhet të bëjmë politikat e duhura që ta nxisim biznesin që të bëjë kërkime, sepse është biznesi ai që e di më shumë se çfarë kërkon tregu. Vitet e fundit jemi munduar ta nxisim kërkimin shkencor nëpërmjet granteve, hartimit të disa ligjeve, siç është ai i teknoparqeve që krijon një infrastrukturë shumë të mirë për ndërtimin e start up-eve inovative dhe për kërkim-zhvillim dhe inovacion. Buxheti për kërkimin shkencor ka pasur një rritje vitet e fundit, me qëllim që universitetet të zhvillojnë kapacitet e tyre qoftë infrastrukturore, qoftë të kërkimit, me qëllim arritjen e një niveli më të lartë të kërkim-zhvillimit”, tha Ministrja Ibrahimaj.

Ministrja tha,  se është domosdoshme që biznesi të jetë pjesë e tryezave të ndryshme të diskutimit, me qëllim rritjen e efektivitetit të bashkëpunimit mes biznesit dhe botës akademike dhe orientimin e tij aty ku biznesi ka më shumë nevojë.