Postuar më: 14/10/2021

Ibrahimaj: Ftoj investitorët e huaj të rrisin prezencën dhe kapitalet e tyre në Shqipëri

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, mori pjesë  në aktivitetin e organizuar nga  Shoqata e Investitorëve të Huaj, FIAA,  ku u prezantua “Libri i Bardhë 2021-2025”,   i cili vjen në një moment të rëndësishëm,që përkon me prezantimin e programit të ri qeverisës, Rama 3.

Gjatë këtij takimi Ministrja Ibrahimaj vlerësoi rolin e anëtarëve të FIAA,  prezencën e tyre  prej me shumë se 20 vitesh në ekonominë dhe tregun shqiptar, përfshirjen në debatet për politik-bërjen, por edhe në monitorimin e mirëqeverisjes dhe implementimit të reformave.

Ministrja garantoi  se në programin e qeverisë një vend të  rëndësishëm  zë qasja e të qënurit afër biznesit dhe investitorëve, në mënyrë të vecantë dëgjesat  për shqetësimet e tyre.

Sipas Ministres, “Libri i bardhë”, i cili është konsoliduar tashmë si “një platformë” ku investitorët e huaj dhe autoritetet shtetërore diskutojnë së bashku mbi sfidat e klimës së të bërit biznes në vend, vjen si një guidë e rrugës së gjatë, ku do të na duhet të përmirësohemi dhe të bashkëpunojmë.

Pavarësisht goditjeve të forta që mori ekonomia shqiptare nga dy krizat e njëpasnjëshme, tërmeti i nëntor-it 2019 dhe pandemia Covid-19, Qeveria shqiptare ka ndërmarrë një sërë masash për një klimë më të mirë biznesi, në  lehtësimin e tregtisë, ku është ulur ndjeshëm kosto dhe koha  e shërbimeve për bizneset, është rritur cilësia e shërbimeve, si  dhe  ka patur përmirësime ligjore në frymën e standardeve ndërkombëtare.

Ministrja informoi se  në kuadër të përmirësimit të klimës së biznesit në vend, tashmë janë miratuar një sërë ligjesh,  si ligji “Për sipërmarrjen e Investimeve Kolektive”, ligji “Për Tregun e Kapitaleve”,  ligji “Për Shërbimin e Pagesave”,  ligji “ Për tregjet financiare në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”,  ligji “Për start up”, ligji “Për Zhvillimin e SME-ve”,  etj, që priten të krijojnë kuadrin e nevojshëm ligjor për lulëzimin FinTech, për funksionimin e Tregut të Kapitaleve, për mbështetjen e SME-ve,  etj.

Duke iu referuar raportit më të fundit të OECD, Ministrja Ibrahimaj, u shpreh, se Shqipëria ka përmirësuar performancën në 10 nga 15 dimensionet, si promovimi dhe lehtësimi i investimeve; kuadri i politikave tregtare; sistemi i edukimit; kushtet e punësimit; përafrimi me standardet e BE-së në sektorin e energjisë dhe politikën tatimore.

Ndërkohë që nga Reformat më të rëndësishme që ka ndërmarrë qeveria gjatë viteve të fundit janë arritur:

  • rritja e përpjekjeve për të diversifikuar aksesin në financa,
  • forcimi e aranzhimeve institucionale për pronësinë shtetërore,
  • forcimi e shkencës, teknologjisë dhe inovacionit përmes investimeve në kërkimin e sektorit publik dhe bashkëpunimin biznes-akademi;
  • rritja e shoqërisë dixhitale duke investuar në aftësitë digjitale dhe duke përmirësuar teknologjinë e informacionit dhe komunikimit.
  • Mbrojtja e mjedisit përmes politikave gjithëpërfshirëse, si dhe intensifikimin në përpjekjet kundër korrupsionit

“Revolucioni Digjital është një ndër reformat më të ndjeshme nga biznesi dhe qytetarët, e cila avancon me ritmet që na dikton koha”, tha Ibrahimaj. .

Libri i Bardhë i prezantuar në këtë takim, adreson çështjet më të rëndësishme të të bërit biznes në Shqipëri, jep rekomandime se si ligjet duhet të përmirësohen, në mënyrë që të mbështetet më mirë hyrja e investimeve të reja në të ardhmen.