Postuar më: 12/10/2021

Ibrahimaj: 2021 rritje ekonomike 7.6 %, treguesit e deritanishëm sinjalizojnë për një rimëkëmbje të shpejtë

-Konferencë  për shtyp e MFE dhe BSH pas përmbylljes së misionit të FMN (28 Shtator-12 Tetor  2020)

 

Misioni i radhës i Fondit Monetar Ndërkombëtar përmbylli konsultimet e Artikullit IV me autoritetet shqiptare.

Në përfundim të konsultimeve u zhvillua konferenca e përbashkët për shtyp, online, e Ministres së Financave dhe Ekonomisë, znj. Delina Ibrahimaj, Shefes së misionit për Shqipërinë, znj. Yan Sun dhe Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Delina Ibrahimaj, bëri një prezantim të zhvillimeve kryesore ekonomike të Shqipërisë, gjatë vitit 2020 ku ekonomia e vendit u prek nga pandemia COVID-19 dhe pasojat e tërmetit të vitit 2019, si dhe gjatë muajve të parë të vitit 2021.

Ministrja Ibrahimaj u shpreh, se ekonomia shqiptare i është rikthyer normalitetit të aktivitetit të saj dhe të gjithë treguesit e deritanishëm sinjalizojnë për një rimëkëmbje të shpejtë dhe solide, duke tejkaluar pritshmëritë e fillim vitit dhe duke favorizuar perspektivën afatmesme të saj.

“Ky “momentum” favorizues për perspektivën afat-mesme merr një vlerë edhe më të madhe në kontekstin e zhvillimeve më të fundit, me shfaqjen e disa risqeve të reja, si p.sh disa disbalanca të krijuara në tregjet ndërkombëtare të energjisë, apo të disa produkteve të tjera (megjithëse, për-post masave tashmë të marra nga qeveria dhe të shpallura nga Kryeministri për të pasur një përgjigje të shpejtë dhe adekuate ndaj çdo eventualiteti negativ. Në vlerësimin e Ministrisë së Financave këto risqe ende nuk përbëjnë ndonjë kërcënim serioz për mbarë-vajtjen e ekonomisë dhe me gjasat më të larta mendojmë se efektet e tyre do të jenë të moderuara dhe mjaft të përkohshme. Por gjithsesi, ky “momentum” i mirë ekonomik është i favorshëm në aspektin e kundra-peshës ndaj këtyre risqeve të reja potenciale”, u shpreh Ibrahimaj.

Edhe pse gjatë vitit të kaluar vendi kaloi një situatë të vështirë ekonomike, e cila preku disa prej parametrave kryesorë makroekonomike dhe fiskalë, Ministrja theksoi,  se fondamentet kryesore ekonomike dhe financiare, si dhe stabiliteti i përgjithshëm makroekonomik i vendit i ka rezistuar goditjeve.

Sa i përket perspektivës ekonomike, Ministrja Ibrahimaj tha, se qeveria pret që rritja ekonomike të jetë pozitive, rreth 7.6 % për vitin aktual, që është një shifër e konsiderueshme mbi nivelin e parashikimit fillestar prej 5.5%.

“Ne parashikojmë një rritje prej rreth 7.6% për këtë vit, ndërsa për periudhën afatmesme parashikojmë që ajo të konvergojë dhe stabilizohet rreth nivelit 4%. Ne parashikojmë se një rritje e tillë në periudhën afatmesme do të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, si nga konsumi privat ashtu edhe nga investimet”, u shpreh Ibrahimaj.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë deklaroi, se politika fiskale në afatin e mesëm dhe të afatin e gjatë do të vijojë të ketë si objektiv primar të saj konsolidimin fiskal.

“Edhe përgjatë këtij mandati qeverisës, borxhi publik në raport me Produktin e Brendshëm Bruto do vijojë të reduktohet gradualisht vit pas viti dhe balanca primare do rikthehet në nivel të balancuar (pra të pakën zero ose pozitive) që nga viti 2024 e në vijim, pra në përputhje të plotë me rregullat fiskale ekzistues”, theksoi Ministrja.

Projektbuxheti i vitit 2022 është ende në fazë diskutimi. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë tha,  se në proceset e buxhetimit do të merren në konsideratë risqet potenciale negative që mund të shfaqen në të ardhmen, siç është rasti i risqeve që lidhen me sigurimin e energjisë elektrike dhe çmimet.

“Gjatë proceseve tona të planifikimit të buxheteve vjetore apo afatmesme ne marrim në konsideratë edhe skenarë të tjerë alternativ, përveç atij bazë. Megjithatë, dua të ritheksoj që deri më tani, perspektiva afat-mesme e ekonomisë, sipas skenarit tonë bazë, mbetet përgjithësisht inkurajuese dhe vlerësojmë se ka mundësi të mira për tu materializuar përgjithësisht në linjë më këtë skenar bazë”, tha Ibrahimaj.

 

Fjala e plotë e Ministres së Financave dhe Ekonomisë, znj. Delina Ibrahimaj:

 

Përshëndetje, (bashkw paneliste,) të nderuar gazetarw, përfaqësues të mediave,

Siç mund të jeni tashmë në dijeni, përgjatë rreth dy javëve të fundit, në Shqipëri ka qenë prezent virtualisht ekipi i misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili zhvillon misionin e radhës mbikëqyrës, në kuadrin e Artikullit Katër të marrëveshjes së vendeve anëtare të FMN.

Tipikisht ky është një mision që ka për qëllim kryerjen e një analize të thelluar të ekonomisë dhe financiare të Shqipërisë, dhënien e një vlerësimi objektiv dhe të plotë mbi gjendjen dhe performancën e tyre, si dhe gjithashtu dhënien e rekomandimeve adekuate për politikat ekonomike apo elemente të tjerë specifike. Pra, puna, gjetjet dhe rekomandimet e këtij misioni të Fondit Monetar Ndërkombëtar, janë mjaft të rëndësishëm jo vetëm për institucionet shqiptare që mbulojnë fushën e ekonomisë dhe financave, si Ministria e Financave dhe Ekonomisë apo Banka e Shqipërisë, e të tjerë, po pa dyshim është një pikë mjaft e rëndësishme reference edhe për të gjithë aktorët e ekonomisë në tërësi.

Në përfundim të këtij misioni, së bashku me Shefen e Misionit, Znj. Sun dhe me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Z. Sejko kam kënaqësinë të mbajmë këtë konferencë të përbashkët për shtyp.

Përpara se të vijoj me një ekspoze të shkurtër të zhvillimeve dhe prespektivës afat-mesme ekonomike dhe të financave publike, dua së pari të falënderoj nga ana ime, si dhe në emër të stafit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, znj. Sun dhe të gjithë pjesëtarët e ekipit të misionit të FMN, për një bashkëpunim me shumë vlerë dhe për diskutimet profesionale që kemi patur bashkërisht gjatë këtyre dy javëve të misionit.

Sipas këndvështrimit të Ministrisë së Financave, ekonomia jonë duket se tashmë, pas dy goditjeve të një pas njëshme që pësoi, jo vetëm që i është rikthyer normalitetit të aktivitetit të saj, por të gjithë treguesit e deri më tanishëm sinjalizojnë se ekonomia gjatë këtij viti po kalon një “momentum” ekonomik mjaft të mirë dhe të favorshëm për perspektivën në vijim. Rimëkëmbja e ekonomisë po vijon, e shpejtë dhe solide, duke tejkaluar edhe pritshmëritë që kishim në fillim të këtij vit, gjë e cila favorizon perspektivën afatmesme të ekonomisë në tërësi, por dhe perspektivën e financave publike në veçanti.

Ky “momentum” favorizues për perspektivën afatmesme merr një vlerë edhe më të madhe në kontekstin e zhvillimeve më të fundit, me shfaqjen e disa risqeve të reja , si p.sh disbalanca e krijuar në tregjet ndërkombëtare të energjisë, apo të disa produkteve të tjera, megjithë masat e ndërmarra nga qeveria, ku ju jeni bërë me dije pasi janë shpallur nga Kryeministri për të pasur një përgjigje adekuate ndaj çdo eventualiteti negativ.

Në vlerësimin e Ministristë së Financave këto risqe ende nuk përbëjnë kërcënim serioz për mbarëvajtjen e ekonomisë dhe me gjasat më të larta mendojmë se efektet e tyre do të jenë të moderuara dhe mjaft të përkohëshme. Por gjithsesi, ky “momentum” i mirë ekonomik është i favorshëm në aspektin e kundrapeshës ndaj këtyre risqeve të reja potenciale.

Sigurisht që viti i kaluar, viti 2020, ka qenë, në aspektin ekonomik dhe të financave publike, një ndër vitet më të vështira në tre dekada të fundit, më saktësisht më i vështiri që prej vitit ‘97. Rrjedhimisht mjaft sfidues për menaxhimin e situatës nëpërmjet politikave dhe instrumentave që disponon një shtet, si politika fiskale dhe monetare. Shqipëria, përveç tronditjes nga pandemia që vuajti e gjithë bota, pak përpara saj u godit edhe nga tërmeti, e sigurisht impakti negativ në ekonomi ishte i amplifikuar.

Sidoqoftë, megjithë ndikimin e rëndë që të dy goditjet kanë patur për ne, mund të them që, për shkak të përgjigjeve relativisht mjaft të mira të politikave ekonomike, fiskale e monetare, të gjitha statistikat dhe shenjat që disponojmë deri më tani dëshmojnë se situata e përgjithshme në mbyllje të vitit 2020 dhe aktualisht që flasim relativisht më e mirë se sa pritej prej shumë prej nesh, si institucionet vendase, ashtu edhe ato ndërkombëtare. Kjo, pavarësisht kohës sfiduese që po kalojmë, shërben disi një lajm inkurajues dhe gjithashtu përbën një test real, konkret, të aftësisë absorbuese dhe adaptuese të ekonomisë sonë kundrejt këtyre lloj goditjesh, me të tilla magnituda.

Nga pikëpamja makroekonomike, ajo çfarë unë mendoj si më e rëndësishmja, është fakti se megjithë atë që kaluam gjatë vitit të kaluar, kur patëm një prej recesioneve më të ashpra në dekada, si dhe pavarësisht disa përkeqësimeve të konsiderueshme në parametrat kryesorë makroekonomikë dhe veçanërisht fiskalë, duket se fondamentet kryesore të ekonomisë dhe financave, si dhe stabiliteti i përgjithshëm makroekonomik i vendit i ka rezistuar relativisht mirë goditjeve, në krahasim me shqetësimet fillestare që kishim.

Tkurrja e PBB -së për shkak të pandemisë arriti kulmin në tremujorin e dytë në rreth minus -11% dhe tremujori i fundit e riktheu ekonominë në terren pozitiv. Ndërsa i gjithë viti 2020 regjistroi një recension prej minus -4%, i cili edhe pse është recensioni i dytë më i fortë që ekonomia ka përjetuar në tre dekada, sërisht është me rëndësi fakti se ky recension ishte shumë më i përmbajtur sesa pritjet fillestare të institucioneve të ndryshme, vendase dhe ndërkombëtare, që varionin nga rreth minus -6% deri në rreth minus -8%.

Gjithashtu, implikimet në tregun e punës deri më tani nuk duket të kenë qenë shqetësuese, veçanërisht në lidhje me implikimet strukturore afatgjata për këtë të fondament të ekonomisë. Kjo, patjetër në një masë të konsiderueshme i atribuohet edhe disa masave adekuate që u ndërmorën nga qeveria gjatë muajve të mbylljes totale për të paguar punonjësit dhe për të ruajtuar masën dërrmuese të vendeve të punës.

Pozicioni i jashtëm i ekonomisë, një tjetër fondament tejet i rëndësishëm dhe tipikisht vulnerabël përballë goditjeve të tilla, mbeti relativisht solid. Tkurrja e mprehtë e eksporteve të mallrave dhe shërbimeve gjatë vitit 2020 duket se është kompensuar nga pesha e lartë strukturore e importeve të mallrave dhe shërbimeve, të cilat u tkurrën mjaft fort. Sigurisht që edhe remitancat u tkurrën ndjeshëm. Pra, ne kemi pasur një zgjerim të deficitit të llogarisë korente, por jo në një shkallë serioze shqetësuese dhe të paqëndrueshme. Bilanci i përgjithshëm i pagesave dhe niveli i rezervave ndërkombëtare të vendit është mbajtur mjaft mirë, në fakt është përmirësuar gjatë 2020, dhe kjo krejtësisht në të kundërt me frikën tonë fillestare për implikimet në këtë fondament të ekonomisë. Teprica pozitive në bilancin e pagesave ishte kryesisht për shkak të flukseve hyrëse financiare që u mundësuan në formën e huamarrjes së jashtme të qeverisë, qoftë si huamarrje koncesionare nga partnerët tanë kryesorë ndërkombëtarë (FMN, Komisioni Evropian, Banka Botërore dhe të tjerë) të cilët na kanë ardhur menjëherë në ndihmë me kredi të buta dhe të shpejta, ashtu edhe huamarrje komerciale, ku arritëm të emetojmë një eurobond relativisht mjaft të suksesshëm në qershor të vitit 2020, në pikun e pandemisë. Këto flukse hyrëse, që u injektuan në ekonomi përgjatë goditjes, kanë kompensuar jo vetëm për zgjerimin e deficitit të llogarisë aktuale, por edhe për tkurrjen e flukseve hyrëse të IHD –ve që ndodhi gjatë 2020, gjatë pandemisë.

Qëndrueshmëria e pozicionit të jashtëm të ekonomisë u reflektua edhe në tregun valuator, ku kursi i këmbimit të Lekut kundrejt valutave kryesore mbeti relativisht stabël gjatë gjithë vitit 2020 dhe vijon të mbetet i tillë.

Një tjetër fondament i rëndësishëm i ekonomisë që gjithashtu ka mbetur përgjithësisht mjaft i qëndrueshëm është sistemi financiar dhe aktiviteti i tij i ndërmjetësimit. Ndërkohë që parametrat kryesorë të sistemit, mjaftueshmëria e kapitalit, likuiditeti apo profitabiliteti, kanë qëndruar përgjithësisht në nivele relativisht të shëndetshme. Aktiviteti i ndërmjetësimit financiar ka vijuar me ritme relativisht të kënaqshme ku kreditimi për ekonominë është rritur me 7%, ndërsa po ashtu sistemi ka vijuar të akumulojë kursime të bollshme, pra dhe depozitat kanë vijuar rritjen. Në të njëjtën kohë, niveli i kredive me probleme ndaj totalit të kredisë ka performuar mirë, edhe për shkak të politikave të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë.

Dhe padyshim, financat publike, të cilat përbëjnë një tjetër fondament ekonomik shumë të rëndësishëm dhe në përgjithësi shumë të ekspozuar ndaj goditjeve të tilla, deri më tani duket se kanë qenë relativisht mjaft të qëndrueshme, përtej siç e përmenda më parë, përkeqësimit të konsiderueshëm të parametrave kryesorë, si deficitit apo borxhit publik, gjatë vitit të shkuar.

Ne ndoqëm një politikë fiskale shumë ekspansioniste vitin e kaluar për të akomoduar nevojat e lidhura me pandeminë në aspektin shëndetësor dhe për të zbutur deri diku goditjen në përgjithësi të ekonomisë.

Në vitin 2020, deficiti i përgjithshëm fiskal kërceu në rreth 7% të PBB-së nga një mesatare rreth 2% në tre vitet e mëparshme dhe borxhi publik u rrit në 76% të PBB-së, pra me rreth 10 pikë përqindje nga fundi i vitit 2019. Përkeqësimi i këtyre parametrave të financave publike gjatë vitit të shkuar ishte goxha i fortë, por nga ana tjetër, kjo politikë fiskale ekspansioniste ishte jo vetëm e pashmangshme, por edhe krejtësisht e nevojshme dhe adekuate me qëllim shmangien e pasojave të tjera shumë të rënda dhe me efekte negative zinxhir në ekonominë e vendit.

Për të ndërmarrë një politikë të tillë fiskale ekspansioniste, në kundërpërgjigje të goditjes, ne gjithashtu na u desh që gjatë vitit 2020 të aktivizonim “klauzolat e devijimit” nga rregullat fiskale që kemi në Ligjin Organik të Buxhetit, pra klauzola që ishin që më parë të parashikuara në këtë ligj, duke mos cënuar kështu kredibilitelin e financave publike për perceptimin e tregjeve dhe agjentëve ekonomikë.

Gjithashtu, me synimin për të ruajtur sa më shumë të ishte e mundur të pacënuar kredibilitetin e financave publike dhe politikës fiskale në perceptimin e tregjeve, ne ndërmorëm një tjetër iniciativë ligjore në Korrik të 2020, në kulmin e pandemisë, duke përfshirë një rregull tjetër të ri fiskal në Ligjin Organik të Buxhetit, i cili sanksiononte ligjërisht që balanca primare e buxhetit do të rikthehej në harkun e tre viteve, pra duke filluar nga vitit 2023 e në vijim, në së paku një nivel të balancuar, jo më të ulët se zero. Ky rregull i ri fiskal u mirëprit mjaft pozitivisht nga të gjitha institucionet ndërkombëtare, agjencitë e ratin-ug, aktorët ekonomik dhe tregjet në tërësi, si një iniciativë ligjore mjaft e duhur dhe efektive për të ruajtur kredibilitetin dhe qëndrueshmërinë e financave publike, jo vetëm në periudhën afatmesme dhe afatgjatë post-pandemisë, por madje mendojmë se kjo ka dhënë një indikim lehtësues për të siguruar financim dhe rifinancim relativisht mjaft normal, edhe në afatin e shkurtër përgjatë goditjes, pra përgjatë vitit 2020 dhe në pjesën e parë të këtij viti. Kjo është dëshmuar edhe nga ecuria relativisht e mirë e stabilizuar e normave të interesit dhe të instrumenteve të borxhit publik në tregun e brendshëm, si edhe në tregjet e huaja.

Në fakt para disa muajsh u bënë disa ndryshime në rregullat fiskalë që ne kemi, u pezullua aplikimi i tyre për vitin 2021 dhe u shty edhe me një vit targeti për balancën primare jo më të vogël se zero, nga viti 2023 në vitin 2024. Por megjithatë, ne mbetemi krejtësisht konfident se politika fiskale do të vijojë trajektoren e saj konsoliduese duke targetuar një borxh publik në rënie në çdo vit fiskal dhe rikthimin e një balance primare pozitive nga viti 2024 e në vijim, pra në përputhje të plotë me rregullat fiskalë që kemi në Ligjin Organik të Buxhetit.

Ecuria e buxhetit deri tani duket e mirë, sidomos në krahun e të ardhurave. Të ardhurat totale gjatë tetë mujorit të vitit 2021 jo vetëm që janë rritur me 20% kundrejt së njëjtës periudhë të një viti më parë, por kanë performuar dhe me rreth 5 % mbi planin, tragetin respektiv të 8-mujorit.

Edhe shpenzimet kanë performuar normalisht, megjithëse me një ritëm më të ulët se sa plani respektiv i periudhës, e për rrjedhojë deficiti fiskal deri tani ka rezultuar konsiderueshëm poshtë planit të periudhës, gjë që jo vetëm është pozitive për qëndrueshmërinë në përgjithësi të buxhetit të këtij viti, por na krijon dhe një lloj hapësire për të akomoduar nevojat shtesa që mund të kemi nga efektet potenciale, nga problematikat e energjisë, siç edhe është duke u diskutuar gjatë këtyre ditëve të fundit.

Po ashtu, në aspektin e financimit të buxhetit, pra të huamarrjeve të planifikuara për vitin 2021, deri më tani ecuria është krejt normale, në linjë me planifikimet e buxhetit.

Aktualisht përgjatë këtyre javëve jemi duke diskutuar së brendshmi në një proces pune mjaft intensiv për hartimin e buxhetit 2022 dhe atij afatmesëm 2023-2025 dhe ende puna për këto procese do të vijojë edhe për pak kohë, deri sa të arrijmë në një plan buxheti dhe vendimmarrje finale.

Por megjithatë, ajo çka unë mund të deklaroj me siguri edhe në këtë fazë të procesit, është se politika fiskale në afatmesëm dhe afatgjatë do të vijojë të ketë si objektiv primar konsolidimin fiskal. Mund të deklaroj me bindje të plotë sot se, edhe përgjatë këtij mandati qeverisës, borxhi publik në raport me Produktin e Brendshëm Bruto do vijojë të reduktohet gradualisht vit pas viti dhe balanca primare do rikthehet në nivel të balancuar, pra të pakën zero ose pozitive, që nga viti 2024 e në vijim, pra në përputhje të plotë me rregullat fiskale ekzistues.  

Një nga shtyllat kryesore të konsolidimit fiskal që unë si Ministre e Financave dhe Ekonomisë do të insistoj fuqimisht të realizohet në maksimum është në përputhje me të gjithë arsyetimin profesional ekonomik dhe të financave publike dhe që me të drejtë rekomandohet fuqimisht edhe nga të gjithë institucionet partnere, FMN, Komisioni Europian, Banka Botërore, etj., është zbatimi i Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave, e cila është draftuar me suportin e çmuar të departamentit të çështjeve fiskale të FMN. Ky dokument konsiston kryesisht në riparimin e sistemit tatimor, duke eliminuar përjashtimet e bëra gjatë viteve dhe që nuk rezultojnë efikase për financat publike, duke synuar rritjen e produktivitetit të ekonomisë. Por sigurisht, edhe ky është një element integral i ushtrimit të planifikimit buxhetor që po bëjmë dhe vendimmarrjet finale do të bëhen të ditura në ditët në vijim.

Sa i përket perspektivës ekonomike, deri më tani ne parashikojmë që gjatë këtij viti, së pari duke supozuar se evoluimi i pandemisë nuk do dalë jashtë kufijve të moderuar që ka qenë gjatë muajve të fundit, dhe së dyti, duke marrë parasysh që themelet kryesore të ekonomisë nuk kanë pësuar ndonjë goditje problematike e që normalisht priten të vijojnë të mbeten solide në vijimësi, për vitin 2021 ne presim që rritja vjetore të rezultojë në nivele mjaft pozitive, madje konsiderueshëm mbi nivelin e parashikimit fillestar tonin prej +5.5%. Momentalisht ne parashikojmë një rritje prej 7.6% për këtë vit, ndërsa për periudhën afatmesme parashikojmë që ajo të konvergojë dhe stabilizohet rreth nivelit 4%.

Ne parashikojmë se një rritje e tillë në periudhën afatmesme do të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, si nga konsumi privat ashtu edhe nga investimet. Ndërkohë, kërkesa e jashtme neto pritet të ketë efekt neto më të moderuar. Eksportet, si të mallrave ashtu edhe ato të shërbimeve, veçanërisht turizmit, pritet të kenë një ecuri të mirë, por njëkohësisht pritet që edhe importet të kenë gjithashtu një rritje, reflektim i rritjes së kërkesës agregate dhe veçanërisht të investimeve, e për rrjedhojë kontributi neto i kërkesës së huaj në afatmesëm pritet të jetë sërish pozitiv, por ndjeshëm më i moderuar se ai i kërkesës së brendshme.

Sa i takon risqeve për të ardhmen afatmesme, së pari mendojmë se në tërësinë e tyre, risqet negative dhe pozitive që rrethojnë skenarin tonë bazë mbeten përgjithësisht të balancuara.

Sidoqoftë, duhet thënë që pasiguria që rrethon të gjitha parashikimet vijon të mbetet e lartë.

Sigurisht që në proceset tona të buxhetimit ne jemi asimetrikisht mjaft të ndjeshëm dhe më të kujdesshëm ndaj risqeve potenciale të kahut të poshtëm, pra ndaj risqeve negative që mund të materializohen në të ardhmen, si psh rasti i fundit i lidhur me energjinë dhe çmimet, dhe masat absorbuese të cilat u shpallën pak ditë më parë nga Kryeministri i vendit. Por patjetër që veç tyre kemi ne konsideratë edhe risqe të tjera potenciale. Gjatë proceseve tona të planifikimit të buxheteve vjetore apo afatmesme ne marrim në konsideratë edhe skenarë alternativ, përveç atij bazë.

Megjithatë, dua të ritheksoj që deri më tani, perspektiva afatmesme e ekonomisë sipas skenarit tonë bazë mbetet inkurajuese dhe vlerësojmë se ka mundësi të mira për tu materializuar përgjithësisht në linjë më këtë skenar bazë.

Faleminderit.