Postuar më: 11/04/2019

Haxhi: Reformat, në shërbim të përmirësimit të klimës së biznesit

 

Fjala e Zv.Ministrit Haxhi në prezantimin e Indeksit të Biznesit të Dhomës Amerikane të Tregtisë për vitin 2018

Në radhë të parë, falënderoj Dhomën Amerikane të Tregtisë në Shqipëri (AMCHAM) lidhur me angazhimin e saj aktiv çdo vit nëpërmjet takimeve dhe anketimeve të bizneseve për klimën e biznesit në Shqipëri.

Padyshim që anketimet e përfaqësuesve të kësaj Shoqate, por dhe Shoqatave të tjerave, janë shumë të rëndësishme dhe të shëndetshme në identifikimin e çështjeve që shqetësojnë biznesin.

Indeksi i biznesit 2018 ka një përmirësim, por identifikon edhe disa çështje shqetësuese për biznesin.

Megjithatë, e kam thënë edhe më parë, që është tregues i perceptimit personal.

Pavarësisht se janë çështje perceptimi dhe perceptimi ka në vetvete doza subjektivizmi, ato janë një tregues se si biznesi i shikon dhe i vlerëson veprimet e administratës, se si percepton zhvillimet politike në planet afat-shkurtra dhe afat-mesme të tij dhe ekonomisë në përgjithësi.

Unë do doja të ndalesha në dy tregues që kanë pësuar rritje të ndjeshme me 6 pikë: Niveli i taksave dhe burokracia e administratës.

Gjatë dy viteve të fundit ka pasur politika dhe veprime konkrete që pa dyshim kanë ofruar shume lehtësi për biznesin, shoqëruar kjo nga krahu tjetër dhe me një llogaridhënie të shtuar të agjencive shtetërore lidhur me çdo shërbimet që ofrojnë.

Paketa fiskale 2018 dhe 2019 kanë ofruar një seri lehtësish fiskale, për sektorët prioritare (bujqësia, turizmi, TI) por edhe për biznesin e vogël pavarësisht sektorit.

Duke e bërë Shqipërinë vendin me barrën fiskale më të ulët në rajon ndaj PBB (së bashku me Maqedoninë). Këto janë një tregues që politikat dhe aksioni i qeverisë ka një perceptim pozitiv nga biznesi.

Viti që lamë pas ka qenë një vit i rëndësishëm në drejtim të reformimit dhe krijimit të kushteve të mëtejshme për një klimë më të mirë të biznesit, duke patur një rritje ekonomike nga më të lartat në rajon.

Gjithashtu, bazuar në vrojtimin e biznesit dhe konsumatorit, treguesi i ndjesisë ekonomike për tre muajt e parë të vitit 2019 tregon një përmirësim me 4,6 pikë nga fundviti 2018.

Prioritetet në vazhdim për vitin 2019

  • Përçimi i mëtejshëm i reformave rregullatore.
  • Mirëqeverisja në çdo sektor.
  • Përmirësimi i marrjes së shërbimit nga ana e qytetarëve si dhe biznesve, duke synuar eleminimin e burokracive të panevojshme, monitorimin e tyre nëpërmjet platformave që sigurojnë transparencë dhe ulje të mundësive të abuzimit.
  • Konsultimi publik lidhur me çdo nismë për ndryshime të kuadrit ligjor dhe politikave ekonomike.
  • Nxitja e mekanizmave që ndikojnë drejtpërsërdrejti në nxitjen e investimeve, qoftë nga investitorët vendas ashtu dhe të huaj.
  • intensifikimi i përpjekjeve dhe fokusi i qeverisë për pajisjen e forcës punëtore me aftësitë e duhura në shërbim të nevojave të sektorit privat.
  • Rritja e Mekanizmave të Reagimeve të qytetarëve dhe Biznesve.

Vizioni ynë është ta bëjmë vendin një destinacion tërheqës për investime të huaja.

Misioni ynë është të përmirësojmë klimën e biznesit dhe të punojmë me tregues rritës sa i takon zbatimit të reformave.

Shpresoj që diskutimet sot të jenë produktive dhe të vlefshme për të gjithë pjesëmarrësit.

Faleminderit.