Postuar më: 17/07/2014

Genti Gazheli, Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave, takim pune me ambasadorin Alexander Arvizu

Në datën  17 Korrik z. Genti Gazheli, Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPPP) dhe drejtues të tjerë të këtij institucioni, zhvilluan një takim pune me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara  në Tiranë, z. Alexander A. Arvizu.
Në fillim të këtij takimi z. Gazheli prezantoi në mënyrë të përmbledhur punën e bërë nga kjo drejtori që prej krijimit të saj, funksionet si një Njësi e Inteligjencës Financiare e tipit administrativ, rolin që ajo luan në mbledhjen, analizimin dhe shpërndarjen e informacionit që lidhet me pastrimin e produkteve të veprës penale dhe financimit të terrorizmit në agjencitë kompetente në vend, bllokimin dhe më pas sekuestrimin e fondeve të dyshuara si të prejardhura nga akte kriminal, bashkëpunimin ndërkombëtar më njësitë partnere, aktivitetin në drejtim të zbatimit të rekomandimeve të Grupit të Posaçëm të Veprimit Financiar (FATF) dhe përmbushjen e detyrimeve ligjore në drejtim të përputhshmërisë së subjekteve raportuese.
Në takim u diskutua gjithashtu mbi bashkëpunimin e deritanishëm të kësaj drejtorie me Njësinë e Inteligjencës Financiare të Shteteve të Bashkuara (FINCEN), mbështetjen e vazhdueshme që Ambasada e SHBA ka ofruar në kuadrin e OPDAT dhe përafrimit të legjislacionit shqiptar në fushën e masave kundër financimit të terrorizmit, bashkëpunimi ndërinstitucional në kontekstin e funksionimit të Njësive të Përbashkëta Hetimore pranë prokurorive të rretheve gjyqësore në disa rajone të vëndit tonë si dhe roli në rritje i njësisë në shkëmbimin efektiv të informacionit përfshirë çështjet që kanë të bëjnë me financimin e terrorizmit në nivel ndërkombëtar.
GJATË KËTIJ TAKIMI TË DY PALËT E VUNË THEKSIN NË NEVOJËN E RRITJES SË KAPACITETEVE NJERËZORE TË DPPPP DHE ROLIN QË AMBASADA E SHBA MUND TË LUAJË NË KËTË KONTEKST ME QËLLIM INTENSIFIKIMIN E MËTEJSHËM TË AFTËSISË SË SAJ PARANDALUESE DHE MBËSHTETJES QË AJO OFRON PËR PROKURORINË DHE POLICINË E SHTETIT.