Qeveria shqiptare do të akordojë një Garanci Sovrane prej 4 miliard lekësh në katër vitet e ardhshme për sektorin e bujqësisë, në mënyrë që rrisë aksesin e këtij sektori në financë dhe produktivitetin e tij.
Kështu u shpreh Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, në aktivitetin e organizuar nga Ministria e Bujqësisë me sektorin bankar, në lidhje me Garancinë Sovrane për bujqësinë. Në këtë aktivitet ishin të pranishëm dhe Kryeministri Edi Rama, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, si dhe përfaqësues nga institucione të tjera shtetërore.
Në fjalën e saj, Ministrja Ibrahimaj u shpreh se përmes Garancisë Sovrane synohet që të nxitet dhe ndihmohet sektori i bujqësisë në kredi dhënie, si një sektor që përbën 20 % të peshës së Produktit të Brendshëm Bruto, në mënyrë që bizneset të rrisin avantazhet e tyre konkurruese.
“Nga biznesi na vjen një interes i shtuar për financim në formën e kolateralit, pasi problematika kryesore që ato kanë është gjetja e një kolaterali dhe për këtë arsye qeveria shqiptare do t’i vijë në ndihmë duke i mbështetur me Garancinë Sovrane”, u shpreh Ibrahimaj.
Ministrja përmendi faktin se financimi përmes formës Garanci Sovrane nuk do të jetë vetëm për sektorin e bujqësisë, por edhe për manifakturën dhe turizmin, si tre sektorë prioritarë për zhvillimin ekonomik të vendit.
“Ne jemi duke organizuar tryeza të rrumbullakëta, pasi kjo formë e financimit Garanci nuk do të jetë e përqendruar vetëm në bujqësi, por do të ketë të njëjtën masë financimi për sektorin e manifakturës dhe për sektorin e turizmit, të tre sektorë prioritarë për qeverinë dhe ajo që ne synojmë të nxisim përmes kësaj Garancie Sovrane është rritja e produktivitetit dhe rritja e zinxhirit të vlerës të prodhimit Made in Albania”, u shpreh Ibrahimaj.
Fjala e Ministres Ibrahimaj:
Dua të falënderoj Ministrinë e Bujqësisë që organizoi këtë takim me sistemin bankar.
Qeveria shqiptare, në programin e saj qeverisës, ka parashikuar që për 4 vjeçarin e ardhshëm të ketë një mbështetje në formën e Garancisë Sovrane për sektorin e bujqësisë, prej 1 miliard lekë çdo vit dhe në total 4 miliard lekë, të cilat do të shkojnë për të rritur aksesin në financë në bujqësi.
Ne jemi duke organizuar tryeza të rrumbullakëta, pasi kjo formë e financimit Garanci nuk do të jetë e përqendruar vetëm në bujqësi, por do të ketë të njëjtën masë financimi për sektorin e manifakturës dhe për sektorin e turizmi, të tre sektorë prioritarë për qeverinë dhe ajo që ne synojmë të nxisim përmes kësaj Garancie sovrane është rritja e produktivitetit, sigurisht, por gjithashtu rritja e zinxhirit të vlerës të prodhimit Made in Albania.
Sot do të doja që të bënim një diskutim të hapur, të dëgjonim nga sektori bankar se cilat kanë qenë problematikat e financimit në sektorin e bujqësisë, por gjithashtu cilat kanë qenë problematikat dhe të Garancisë Sovrane që u akordua gjatë periudhës së Pandemisë.
Ka qenë një instrument, në këndvështrimin tonë, shumë i suksesshëm, i cili i erdhi në mbrojtje bizneseve pikërisht në atë periudhë kur kishin nevojë për kapital qarkullues, kur kishin nevojë për të financuar shpenzimet e tyre të përditshme, me qëllim që jeta e biznesit të vazhdonte.
Ndërkohë sot jemi në një situatë tjetër, në një situatë në të cilën bizneset po ecin me një ritëm akoma dhe më të shpejtë se sa po ecnin përpara pandemisë dhe kanë nevojë për financim.
Unë do të doja që të vijonim konsultimet siç po i bëjmë me biznesin, ashtu edhe me bankat, për të kuptuar se ku duhet të përqendrojmë financimin, se kush janë nevojat më të mëdha, nga këndvështrimi juaj.
Sigurisht që nga biznesi na vjen një interes i shtuar për financim në formën e kolateralit, pasi problematika kryesore që ato kanë është gjetja e një kolaterali dhe për këtë arsye qeveria shqiptare do t’i vijë në ndihmë duke i mbështetur me Garancinë Sovrane.
Kjo nuk është një formë e re e financimit. Ka pasur projekte të ndryshme të mëparshme, si projekti me BERZH që përmendi ministrja e Bujqësisë, por është dhe projekti i Garancisë së qeverisë gjermane, e cila ka bashkë financuar me qeverinë shqiptare 45 milionë euro kredi dhënie kryesisht në sektorin e bujqësisë, të cilat kanë qenë të suksesshme.
Ne jemi duke ndërtuar mbi këtë model, me qëllim që t’i japim një frymë tjetër këtij sektori kaq të rëndësishëm që përbën 20 % të peshës të Produktit të Brendshëm Bruto dhe duke i nxitur dhe ndihmuar ato në kredi dhënie, pasi besojmë se vetëm nëpërmjet financimit me kredi do të arrijmë t’i japim bizneseve një avantazh dhe një nxitje për të rritur produktivitetin e tyre dhe për të rritur fitimin e tyre në të ardhmen.
Unë ju falënderoj të gjithëve që jeni sot këtu dhe gjithashtu Ministrinë e Bujqësisë për organizimin e këtij takimi.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2023 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.