Postuar më: 12/07/2016

Fushata ndërgjegjësuese e kuponit tatimor, Ministri Ahmetaj: “Investim për të ardhmen. Dialog me sipërmarrjen për një realitet të ri të zbatimit të ligjit”

Ministri i Financave Arben Ahmetaj prezantoi sot publikisht në një takim me administratën tatimore dhe median, fillimin e fushatës së ndërgjegjësimit për kuponin tatimor.

Fushtata është vazhdim i fazës së dytë të aksionit kundër informalitetit, ku Ministria e Financave dhe Tatimet janë fokusuar tek një qasje e re e komunikimit dhe shërbimit ndaj tatimaguesve por edhe qytetarëve, kryesisht bazuar tek instrumentet inteligjente të riskut.

“Kemi një qasje të re, tashmë të provuar në terren të fazës së dytë anti-informalitet, kemi përdorur jashtëzakonisht intensivisht platformën informatike të komunikimit, pra, tatimet kanë komunikuar me sipërmarrjen nëpërmjet platformës informatike për qindra fenomene të ndryshme risku, duke informuar sipërmarrjen për problematikat, duke informuar sipërmarrjen për domosdoshmërinë për të korrektuar përgjegjësinë tatimore apo komunikime të ndryshme në kuadrin e edukimit të tatimpaguesit”

Duke filluar nga 1 gushti do të ketë një verifikim në terren të situatës së kuponave. Pra, ndërkohë që kemi shpallur një fushatë shumë intensive të thjeshtësimit të procedurave, ndërkohë që vazhdojmë ndërgjegjësimin me fushatën komunikuese dhe dialogimin në terren mes tatimeve dhe subjekteve dhe tatimpaguesve” – tha Ministri Ahmetaj.

Fushata ndërgjegjësuese në terren do të filloj në datën 1 Gusht dhe do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë, me një fokus të posacëm në zonat bregdetare e turistike, për shkak edhe të sezonit.

Ministri Ahmetaj bëri një prezantim të ecurisë së deritanishme të aksionit kundër informalitetit dhe impaktit që faza e dytë e tij ka dhënë në përmirësimin e shifrave.

“Rritja e të ardhurave në 6 mujorin 2016 ndaj 6Mujorit 2015 është 10.6 mld lekë ose 5,8%. Mesatarja e rritjes së 6 mujorit në 3 vitet 2014-2016 është 7,4% ndërkohë që mesatarja e rritjes së 6 mujorit në 3 vitet 2011-2013 ishte 0,7%”- tha Ministri.

“Te ardhurat nga tatimet, doganat dhe sigurimet në 6 mujorin e parë 2016 janë 163 miliardë lekë, duke shënuar një rritje me 12.7 mld lekë ose 8,2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë”.

Ministri u ndal edhe tek regjistrimet e reja të biznesit, të cilat në janar – qershor 2016 janë rreth 3000 më shumë se në janar-qershor 2015.

Lidhur me ecurine e kuponave tatimorë Ministri bëri një prezantim të detajuar të shifrave të tyre.

“Mesatarja e subjekteve deklaruese për gjashtëmujorin 2016 është rritur në 85% e totalit, krahasuar me 75% në 6M 2015 kurse numri i kuponëve të lëshuar ka shënuar rritje me 26% për të njëjtën periudhë. Po kështu vihet re edhe një rritje e vlerës mesatare të kuponit me 36.5%” – tha Ahmetaj ndërsa bëri dhe një prezantim të shifrave sipas sektorëve dhe klasifikimit të bizneseve.

Fushata në terren do të ketë në fokus ndërgjegjësimin dhe edukimin e konsumatorit dhe bizneseve, ndërsa Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të angazhohen edhe në një fushatë intensive komunikimi për këtë qëllim.

“Dua t’ju tërheq vëmendjen për numrin e kasave mos-transmetuese. Është një shifër në përmirësim, por jo më kot e kam sjellë këtu për të ndarë me drejtuesit e tatimeve, por edhe me qytetarët që numri i kasave mos-transmetuese është akoma shumë i madh që do të thotë që ne do të duhet të bëjmë një punë jashtëzakonisht shumë të madhe në terren, për të verifikuar arsyet pse këto kasa nuk transmetojnë dhe nëse është një stituatë evazioni apo është një thyerje teknike e një lloji tjetër. Unë jam I bindur që është më shumë e para sesa e dyta, që do të thotë që ne në terren kemi domosdoshmëri për të intensifikuar punën tonë duke mos harruar të jemi modestë, profesionalë dhe ndihmues ndaj sipërmarrjes.

Nuk është objektivi jonë të vendosim gjoba, objektivi ynë është të ndihmojmë tatimpaguesit të zbatojnë detyrimin ligjor. Gjoba është e fundit, ju e shikoni që na ka funksionuar qasja e re dhe të jeni të bindur që do të na funksionojë akoma më shumë nëse ditë pas ditë, në punë, në terren apo në zyrë, ne jemi më profesionalë.

Sërish gjej rastin t’I lajmëroj tatimpaguesit që duke filluar nga data 1 gusht tatimet do të jenë në terren, për të dialoguar, për të verifikuar në dhe me sipërmarrjen, zbatimin e ligjin në lidhje me lëshimin e kuponit tatimor. Fatura dhe kuponi tatimor janë institucione, në bazë të të cilave ndërtohet buxheti I shtetit dhe beteja jonë është jot ë gjobisim, beteja jonë është t’I bëjmë këto institucione të normës së përditshme në jetën e sipërmarrjes dhe qytetarit.

Objekt në terren do të jenë qetësisht zonat turistike në favor të qytetarëve, ne nuk kemi nevojë të bëjmë shoë në zonat turstike, ju e keni një eksperiencë shumë të mirë nga viti i kaluar, ta përmirësojmë atë eksperiencë të vitit të kaluar, pra do të kemi një fokus tek zonat turistike por jo vetëm, në mënyrë që fatura tatimore dhe kuponi tatimor të jenë një realitet i përditshëm dhe i kudondodhur në të gjithë Shqipërinë” – u shpreh Ministri Ahmetaj.

Të rejat e fundit