Postuar më: 21/04/2016

Fjala e Ministrit Ahmetaj në Parlament

Nuk kisha planifikuar ta merrja fjalën për ligjin e traktateve megjithëse prek një procedurë të ligjit të huamarrjes, por gjej gjithsesi rastin të flas për atë që dëgjova në seancë që nga mëngjesi deri tani në fakt, së fundmi me zotin Pollo.

Foli për krim shtetëror dhe në fakt më ngacmoi, mirë bëri që foli mbi 20 minuta. Ai quan arrestimet legjitime të Polisisë së Shtetit, kapje të shtetit.

Është rast i mirë për të numëruar kapjet e shtetit, nëse doni, në 25 vite. Çfarë është krim shtetëror në definicion teknik dhe zyrtar?

Krim shtetëror është kontrabanda e naftës në ‘94 kundrejt Serbisë, në dobi të ushtrisë serbe, që shkelte të drejtat e njerëzve e madje arriti deri në vrasje masive. Ky është krim shtetëror dhe është krim shtetëror i bërë nga qeveria jote e atëhershme.

Krim shtetëror është fajdet, piramidat. Ai është krim shtetëror i bërë nga ju, që përfundoi në ‘97 me vrasje njerëzish, me trazira sociale dhe varfëri, që u deshën mbi 15 vjet që të fshihen nga faqja e Shqipërisë dhe akoma nuk janë fshirë plotësisht.

’97, trajtimi i popullatës, nxjerrja e ushtrisë, ngritja e avionëve dhe vrasjet politike, janë krim shtetëror. Kanë dorën tuaj, nuk kanë dorë tjetër.

Krim shtetëror është të sulmosh Kryeministrinë, të futesh me armë brenda , që e bëtë në ’98 dhe të plagosësh oficerë të Gardës, madje të kërcënosh Kryeministrin e asaj kohe për ta vrarë. Ky është krim shtetëror.

21 janari është krimi shtetëror, ku një grup i armatosur brenda Kryeministrisë, që unë nuk do ta quaja kurrë Garda e Republikës, se nuk ngjan me asnjë Gardë që mbron të drejtat e qytetarëve, vret 4 qytetarë të pafajshëm dhe nuk mban përgjegjësi akoma edhe sot për ato vrasje të 4 qytetarëve të paarmatosur. Ky është krim shtetëror.

Doni një krim tjetër shtetëror? Është Gërdeci krim shtetëror. Po, është krim shtetëror 24 karatësh.

Doni një tjetër krim shtetëror? Një ish-Kryeministër që vjen këtu dhe bën thirrje për armatosje, ky është krim shtetëror. Po pse e bën? Sepse shumëkush duket sikur pyet pse i bën Sali Berisha të gjitha këto?!

Ka të tjerë për të përmendur. Po ka krim më të madh shtetëror se sa të shesësh detin?! Ka një poemë famoze të një shkrimtari famoz. Të ngrejë nga varri dhe të zhvarrosi të vdekurit.  Të shesësh detin është të zhvarrosësh të vdekurit që kanë rënë për këtë vend, të tallesh me gjakun e tyre me cinizëm dhe klishe politike. Po, ky është krim shtetëror. Po si e kaloni këtë krim shtetëror, të shesësh tokë, të shesësh det, burime natyrore dhe nuk është krim shtetëror?! 24 karat krim shtetëror.

Çdo qytetar mund të thotë po pse nuk i keni dënuar ju këto krime shtetërore? E dëgjuat çfarë tha sot? “-Rrëmbeni armët”!  Në 2016, një vend i NATOS, një vend që pret të hapë negociatat me BE, dhe ai nga frika se ky vend po merr kthesën e duhur njëherë e përgjithmonë, del dhe mbjell pasiguri.

Po si ka mundësi që të arrestohen kriminelë dhe aty përjashta qenka pasiguri për ju? Këtu ka vetëm një pasiguri, pasiguria juaj politike dhe në fakt nuk është pasiguria juaj politike, por e administratorit tuaj për pushtetin e tij të vogël, sepse zgjedhjet e 2017 sigurisht që i keni të humbura.

Po si mendoni të dilni aty jashtë në publik, si do e justifikoni? Se u ngrit një deputet dhe tha ne do sjellim ligjin për vetëmbrojtjen. Çfarë do sillni, thika, shpata, pistoleta çadër, stilolapsë, bazuke, ato që keni zgjedhur për 25 vite?! Ju e bëni me një qëllim. Që ky vend të mos shpëtojë nga skamja. Ju e bëni vetëm me një qëllim dhe kjo është e turpshme, sepse e keni qeverisur këtë vend, për mirë apo për keq.

Po si do guxoni t’i dilni qytetarëve para dhe t’u thoni që ne kërkuam të armatosemi, sepse do mbrohemi nga X, nga Y. Nga kush do mbroheni? Ju keni vetëm një qëllim, të largoni investitorët dhe të bëni që Shqipëria të kthehet prapë në krizë elonomike, se ju mendoni se do ktheheni në pushtet me zi.

Është e padrejtë, mund të bëjmë debate politike sa të doni. E kam theksuar edhe herë të tjera, ekonomisë mos i bini në qafë. Ashtu me vështirësitë e veta siç po rritet, të vini këtu e të shpallni pasiguri me qellim, është antikombëtare. Ja, ky është krim qeveritar.

E vetmja gjë që I bëni këtij vendi është që i hidhni baltë dhe që bëni një tentativë të organizuar për të larguar investitorët. Shifrat, doni të krahasojmë shifrat? Ja po jua them une se 2015 është vërtet rekord për sa i përket investimeve të huaja, po çfarë vlere ka nëse ajo shifër duhet dyfishuar. Po si? Të dalim të bërtasim për armë këtu? Patjetër që është shkelje ligji, thënë nga një ish-kryeministër do marrim armët. Do i marrim për pushtetin e tij apo për të sjellë Lulin e tij me armë se nuk vjen dot me votë?! Askujt nga ju edhe nga ne nuk i shkon ajo thirrje, sepse e keni qeverisur një ditë Shqipërinë, për mirë apo për keq. Në fakt për keq se e latë në ditë të zezë.

Edhe për atë përgjegjësi që keni mbajtur përpara qytetarëve, nuk mund të nxirrni nga goja ato fjalë kriminale për të rrëmbyer armët. Armët në këtë vend janë të tepërta, mezi i hoqëm nga rruga pas ’97. Mezi i hoqëm dhe madje kushtoi jetë njerëzish, vuajtje, rënie ekonomike nëse doni në momente të caktuara, për shkak të atyre armëve. Imazh skandaloz që nuk po ikën akoma dhe një ditë të bukur në 2016, vjen dhe thotë ish-Kryeministri : “të rrëmbejmë armët”! Të mbrohemi nga çfarë?

Eshtë gjëja më e ndyrë të bësh debat me një qeveri dhe ta quash bandë. E dini pse? Një qeveria ka të këqijat dhe të mirat e veta. Krimi është më pak seç ka qenë dhe beteja me krimin nuk do mbarojë me këtë qeveri, as me atë qeverinë që iku, as me atë që ka ikur me krimin, do të vazhdojë shumë gjatë. Pse? Sepse kështu është historia e njerëzimit. Po të vish të quash një qeveri bandë, ndërkohë që të kesh vrarë  njerëz në 21 Janar dhe vrasësin ta kesh në krye të Partisë Demokratike, bandë do na duhet t’ju quanim ne juve, po unë nuk e bëj këtë, sepse këtu ka burra dhe gra që nuk meritojnë të quhen ashtu, dhe po t’i hyjmë debatit, etiketimi “bandë” do shkonte në drejtimin e kundërt.

Po unë nuk dua të bie në atë nivel dhe nuk dua të bëj sharje komunitare, të marr një grup dhe ta shaj. As ta mburr. Por që të dilni këtu e të thoni të marrim armët, kjo është vetëm shprehje dhe thirrje antikombëtare. Antikombëtare!

Të rejat e fundit