Postuar më: 03/04/2019

Fjala e Ministres së Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj në Parlament

“Të angazhuar për të ruajtur qëndrueshmërinë ekonomike dhe lehtësuar klimën për biznesin”

I nderuar Kryetar,

Të nderuar deputetë,

Zgjedhjet në vetvete përbëjnë një kusht themelor për ushtrimin e një demokracie funksionale në të gjithë formën dhe ekzistencën e saj substanciale. Por, mbi të gjitha përcaktojnë një parakusht të rëndësishëm të klimës së të bërit biznes dhe me një ndikim të drejtpërdrejt në raport me zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik brenda parametrave të parashikuar.

Viti që lamë pas u shoqërua nga një bilanc mjaft pozitiv të treguesve makroekonomikë. Rritja ekonomike në nivelin më të lartë në 10 vitet e fundit në kuotën e mbi 4 % ka qënë një rritje cilësore, me ndikim të drejtëpërdrejtë në punësim. Norma e papunësisë shënoi nivelin më të ulët të viteve të fundit duke arritur parametrin e 12.4% dhe vazhdon të ketë një ritëm ulës. Vetë Raporti i Bankës Botërore për trendin e punësimit në Ballkanin Perëndimor konfirmon edhe njëherë këtë tregues.

Nga ana tjetër, është arritur angazhimi ynë për të kontrolluar normën e borxhit publik dhe detyrimet e prambetura, madje duke ulur borxhin në masën 67.2%. Ndërkohë që paralelisht viti i kaluar tregoi që niveli i investimeve të huaja tregoi rritje duke arritur në nivelin e mbi 1 miliard euro, ose thënë ndryshe një rritje prej 14 % krahasuar me një vit më parë.

Ky trend është në bashkëveprim dhe koordinim me partnerët tanë ndërkombëtarë, përfshi këtu Bankën Botërore dhe Bashkimin Evropian, me të cilët vlen për tu përmendur që kemi një sërë bashkëpunimesh në nivel projektesh dhe marrëveshjesh bilaterale me fokus standardizimin e procesit tonë integrues. Një prej këtyre bashkëpunimeve është edhe vizioni i strategjisë së reformës së Menaxhimit të Financave Publike për të siguruar një sistem financiar publik që promovon transparencën, llogaridhënien, disiplinën fiskale dhe efikasitetin në menaxhimin dhe përdorimin e burimeve publike për përmirësimin e ofrimit të shërbimeve dhe zhvillimin ekonomik sipas standardeve dhe direktivave të Bashkimit Evropian.

Por, ruajtja e qëndrueshmërisë dhe zhvillimi i mëtejshëm i ekonomisë së vendit, punësimit dhe rritjes së kapitalit nga investimet e huaja, vihet në dyshim nga kriza artificiale politike e krijuar kohët e fundit nga opozita.

Fatkeqësisht, jo vetëm qeveria, por dhe të gjithë faktorët dhe institucionet financiare kombëtare dhe ndërkombëtare uninamisht deklarojnë se situata politike në vend është e dëmshme për ekonominë e vendit. E këtë e konfirmojnë, duke filluar nga Banka e Shqipërisë e cila konstaton se situata e tensionuar politike në vend është një faktor i cili mund të zhvendosë zhvillimet ekonomike poshtë pritjeve të skenarit bazë, e duke vijuar më tej me Fondin Monetar Ndërkombëtar, Komisionin Evropian, përfaqësitë e huaja diplomatike në Tiranë, dhe jo më larg se dje vetë Banka Botërore që përmes daljes në një konferencë shtypi deklaron se pasiguria politike e krijuar në vend frenon rritjen ekonomike dhe tërheqjen e investimeve të huaja në vend. Kjo pasiguri, citon raporti, është një mundësi stopimi në klimën e biznesit.

Kjo krizë artificiale natyrisht që dëmton proceset demokratike dhe integruese të vendit, sikurse prek çdo shqiptar që ka një biznes, një dyqan sado të vogël apo të mesëm, dhe në këto kushte ka mundësi të konsumojnë më pak. Është pasiguria që ndikon tregjet financiare dhe nevojën e individit për konsum duke ulur normën e shpenzimit.

Janë operatorët turistikë, nga një familje që menaxhon një bujtinë të vogël e deri tek hotelet me 5 yje, të cilët vetëm për vitin 2018 rritën kapacitetin e tyre duke pritur 6 milion vizitorë brenda vitit 2018. Ne si qeveri kemi mundësuar politikat tona fiskale për t’i lehtësuar bizneset që operojnë në këtë sektor, duke ulur TVSh-në në në masën 6% për Hotelet me 5 yje. Turizmi është sektori që ka ndjeshmërinë më të madhe nga i mazhi i vendit.  Ne duhet jemi të vetdijshëm për dëmin që i shkaktojmë gjithë familjeve shqiptare që mbahen prej kësaj industrie, sikurse të gjithë ekonomisë në tërësi.

Kjo vihet re edhe në sektorë të tjerë, duke shtrirë ndikimin që ka kriza politike në nivel makro. Fakt është se në muajin shkurt, treguesit makroekonomikë nuk kanë qënë në nivelin e pritshmërive tona bazë. U vu re një ulje e lehtë e eksporteve dhe mbledhjes së të ardhurave.

Në këto kushte, i bëjmë thirrje opozitës të kontribuojë në proceset integruese, demokratike dhe zhvillimore të vendit, duke u rreshtur krah interesit të vendit për të ruajtur statusin aktual të zhvillimit ekonomik dhe qëndrueshmërinë e proceseve demokratike.

Gjithsesi, ne si Qeveri punojmë çdo ditë duke shënjestruar si standard partnerët tanë strategjikë,  direktivat e tyre dhe jemi të angazhuar që të çojmë përpara vullnetin tonë politik për të ruajtur qëndrueshmërinë ekonomike, mbështetur dhe zbutur gjithmonë e më shumë klimën për biznesin vendas dhe tërheqjen e investitorëve të huaj, me synim rritjen e punësimit, uljen e borxhit publik, duke plotësuar kriteret integruese që i duhen vendit për të qënë nesër pjesë e tregut të nesërm evropian.

Ju faleminderit!

[/vsrp]