Postuar më: 01/07/2016

Falen gjobat për mosdeklarimin e punonjësve, Ministri Ahmetaj, “Dorëzojmë propozimin në Kuvend. Disiplina fiskale, në favor të qytetarëve dhe biznesit”

Ministri i Financave z. Arben Ahmetaj është shprehur sot publikisht lidhur me qëndrimin e Ministrisë së Financave dhe qeverisë shqiptare për vendosjen e gjobave për mosdeklarimin e punonjësve.

Në një deklaratë për mediat z. Ahmetaj është shprehur:

“Dua të komunikoj me qytetarët dhe tatimpaguesit që jam shumë në thellësi të shqetësimit të tyre, por dua të sqaroj drejtpërsëdrejti që gjenerimi i gjobave nga sistemi është në referencë të plotë të ligjit dhe disiplinës fiskale, pra Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka zbatuar me përpikmëri të plotë ligjin dhe është një domethënie e rëndësishme për atë disiplinë fiskale që ne po vendosim dita-ditës në territorin fiskal. Pra, dua të sqaroj të gjithë qytetarët që këtu nuk kemi të bëjmë me një keqinterpretim apo një keqpërdroim të ligjit, por ka të bëjë me një zbatim të drejtpërdrejtë dhe rigoroz të ligjit. Janë vendosur gjoba nga sistemi në bazë të ligjit të sigurimeve shoqërore dhe të ligjeve të tjera për mosdeklarim të punonjësve dhe të vetëpunësuarve.

Ministri ka bërë të ditur se Ministria e Financave dhe qeveria shqiptare do t’i propozojnë Kuvendit faljen e këtyre gjobave për sipërmarrjen.

“Megjithatë qeveria dhe Kryeministri e ka parë me shumë vëmendje dhe për shkak se është hera e parë, për shkak se sistemi tashmë nuk lejon asnje devijim nga disiplina fiskale, unë i them tatimpaguesve dhe qytetarëve që do t’i propozojmë Parlamentit shumë shpejt, që këto gjoba, e theksoj, meqë ka qenë hera e parë dhe meqë shumë nga tatimpaguesit mund të kenë qenë të painformuar, do të propozojmë që këto gjoba të falen dhe të fshihen nga sistemi.

Dua të theksoj që kjo është hera e fundit që qeveria do të propozojë një masë të tillë, sepse disiplina fiskale e vendosur në territorin fiskal, është në favor të qytetarëve, është në favor të investimeve publike, është në favor të rivendosjes së drejtësisë fiskale.

Gjesti i qeverisë është domethënës në vazhdimin e asaj që bën qeveria në mbështetje të biznesit dhe të paketës së thjeshtimit të procedurave për të lehtësuar sipërmarrjen por, duke mos cënuar, përkundrazi, forcuar disiplinën fiskale” – përfundoi Ministri i Financave.

***

Vendosja në funksionim e sistemit E-Tax është një detyrim ligjor në respektim të legjislacionit tatimor dhe atij të mbledhjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në fuqi. Për herë të parë sistemi mundësoi vendosjen automatike të gjobave për mosdorëzim në afat të formularëve të punësuarve rishtaz dhe të larguarve nga puna, E-Sig 027.

Gjatë fazës së analizës, zhvillimit dhe implementimit të këtij funksioni, u morën parasysh baza ligjore që detyron të gjithë tatimpaguesit që të deklarojnë në kohë lëvizjen e punonjësve. Këtu përfshihen si rastet në lidhje me bizneset e reja të regjistruara në QKB dhe në Administratën Tatimore ashtu dhe rastet për raportimet në kohë të lëvizjeve të punonjësve në aktivitetin normal të tatimpaguesve.

Vëmendje të veçantë në këtë proces i është kushtuar deklarimit për herë të parë të tatimpaguesve. Ligji Nr.9136 “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të Sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, datë 11.09.2003, i ndryshuar në nenin 7 të tij, thekson:

Personat juridikë dhe fizikë ushtrojnë veprimtari ekonomiko-tregtare vetëm pas regjistrimit të tyre, në përputhje me ligjin nr. 9723, datë 3.5.2007 “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”. Dy ditë pune pas regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, personi juridik dhe fizik duhet të deklarojë në organin tatimor listën e të punësuarve, me pagën përkatëse, përfshirë dhe listën e punonjësve të papaguar të familjes së personit fizik mbi 16 vjeç, me të cilët ai punon e bashkëjeton ligjërisht për tatimpaguesit e përcaktuar nga Këshilli i Ministrave.

Organizatat jofitimprurëse, entet shtetërore, personat “i vetëpunësuar në veprimtari tregtare apo shërbimi ambulant”, si dhe “kryefamiljari, që punëson persona si punëtorë shtëpie” regjistrohen në administratën tatimore, sipas përcaktimeve të ligjit nr. 9920, datë 19.5.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Gjithashtu Udhëzimi i Ministrit të Financave Nr.23 “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të Sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, datë 09.12.2014 në pikën 5.6 të tij theksonte:

Deklarimi për herë të parë pas regjistrimit nga personi juridik apo fizik i të dhënave për punonjësit e deklaratës “Listëpagesa e kontributeve të sigurimeve shoqërore, shëndetësore dhe tatimit mbi të ardhurat nga punësimi”, përfshirë sipas përkatësisë, administratorin, vetë personin fizik apo punonjësin e papaguar të familjes me të cilin ai punon e bashkëjeton ligjërisht, si dhe ndryshimet (shtesa ose paksime) në numrin e personave të një listëpagese ekzistuese, bëhen vetëm me anë të deklarimit elektronik të të dhënave të rubrikave të deklaratës “Deklarata e të punësuarve për herë të parë, atyre rishtazi, si dhe e të larguarve nga puna”.

Mbështetur në këtë kuadër ligjor u realizua implementimi i këtij funksionaliteti në sistemin E-Tax.

Të rejat e fundit