Ministry of Finance

Nënkomiteti Bashkimi Evropian-Shqipëri për Çështjet Ekonomike, Financiare dhe Statistikat zhvilloi mbledhjen e tij të 18-të, në datat 29-30 shtator, nën drejtimin e Zëvendësministrit të Financave, z. Andi Memeti.
Nënkomiteti përbën një forum të rëndësishëm të dialogut ndërmjet Shqipërisë dhe Komisionit Evropian për vlerësimin e progresit dhe diskutimin e prioriteteve të mëtejshme në fushat ekonomike, financiare dhe të statistikave.
Gjatë takimit, diskutimet u fokusuan në zhvillimet makroekonomike dhe fiskale, sektorin financiar, lëvizjen e lirë të kapitalit, konkurrueshmërinë dhe klimën e biznesit, menaxhimin e financave publike, mbrojtjen e interesave financiare të BE-së, si dhe progresin në fushën e statistikave.

Në mënyrë të veçantë, u diskutua mbi ecurinë dhe perspektivën ekonomike të Shqipërisë, përgatitjen e Programit të Reformave Ekonomike 2027-2029, zhvillimet fiskale dhe menaxhimin e financave publike, përfshirë të ardhurat, shpenzimet, investimet publike, borxhin dhe rreziqet fiskale. Në fokus ishin gjithashtu politikat monetare dhe zhvillimet në sektorin bankar e financiar, përafrimi me acquis të BE-së në fushën e lëvizjes së kapitalit, masat për forcimin e konkurrueshmërisë dhe klimës së biznesit, si dhe avancimi i reformave në kontrollin financiar publik dhe auditimin e jashtëm.
Axhenda përfshiu gjithashtu çështje që lidhen me mbrojtjen e interesave financiare të BE-së, forcimin e mekanizmave kundër parregullsive dhe mashtrimit, si dhe zhvillimet në sistemin kombëtar të statistikave, përfshirë statistikat makroekonomike, ekonomike, sociale dhe sektoriale.
Takimi ofroi mundësinë për të evidentuar progresin e arritur, sfidat që kërkojnë vëmendje të mëtejshme dhe prioritetet për periudhën në vijim, me fokus te zbatimi efektiv i reformave, forcimi i kapaciteteve institucionale dhe arritja e rezultateve konkrete.
Shqipëria mbetet plotësisht e angazhuar për vijimin e reformave dhe përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga procesi i anëtarësimit, duke ruajtur ritmin e progresit dhe duke avancuar me vendosmëri drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian.