Ministry of Finance

Zv.Ministrja e Financave, znj. Adela Xhemali dhe drejtues të Drejtorisë së Përgjithshme të Buxhetit në Ministrinë e Financave zhvilluan sot një takim me një delegacion të Ministrisë së Financave të Mbretërisë së Marokut dhe Ministrisë së Financave të Republikës së Gjeorgjisë. Delegacioni po zhvillon një vizitë studimore në vendin tonë, me ftesë të Ministrisë së Financave dhe zyrës së UN Women në Shqipëri, qëllimi i së cilës është shkëmbimi i eksperiencës së suksesshme të Shqipërisë në zbatimin e buxhetimit të përgjigjshëm gjinor.
Gjatë takimit, delegacioni u njoh me punën e bërë nga Ministria e Financave, me mbështetjen e UN Women në Shqipëri, në ngritjen e një kuadri ligjor dhe institucional të qëndrueshëm në kuadër të integrimit gjinor në politika e buxhete në të gjitha nivelet e qeverisë. Në mënyrë të veçantë, u theksua metodologjia e etiketimit dhe gjurmimit gjinor që Shqipëria përdor, si një prej metodologjive më të mira të aplikuara edhe nga vendet më të zhvilluara në kuadër të zbatimit të buxhetimit të përgjigjshëm gjinor.
Një prezantim i detajuar i metodologjisë dhe sistemit elektronik AFMIS mundësoi kuptimin praktik të kësaj metodologjie dhe punës që kryhet nga të gjitha institucionet buxhetore në këtë aspekt.