Ministry of Finance
U zhvillua në Tiranë takimi i 16-të i Nënkomitetit BE–Shqipëri për Tregtinë, Industrinë, Doganat dhe Tatimet. Takimi u drejtua nga Zëvendësministri i Financave, z. Endrit Yzeiraj, dhe bashkë kryesohej nga përfaqësuesi i Komisionit Evropian, z. Marc Ibanez.
Në fjalën e tij përshëndetëse, z. Yzeiraj theksoi rëndësinë e këtij forumi për avancimin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke evidentuar progresin e vendit në kuadër të hapjes së negociatave për të gjithë grupkapitujt. Ai gjithashtu nënvizoi zhvillimet e fundit në fushat që mbulon Nënkomiteti, përfshirë forcimin e kuadrit ligjor dhe institucional në tregti, industri, dogana dhe tatime, duke synuar rritjen e transparencës, digjitalizimin dhe përafrimin me standardet e BE-së.
Zv.Ministri i Financave vlerësoi arritjet konkrete në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së dhe përfundimin me sukses të masave të planifikuara gjatë periudhës raportuese.
Z. Yzeiraj theksoi se këto rezultate janë pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Qeverisë Shqiptare për modernizimin e ekonomisë, forcimin e institucioneve dhe sigurimin e përfitimeve konkrete për qytetarët, duke rikonfirmuar angazhimin e vendit për vijimin e reformave në kuadër të integrimit evropian.