Ministry of Finance

Ministria e Financave, në bashkëpunim me zyrën e UNWOMEN Albania dhe Qeverinë Gjermane përmes GIZ Albania, organizoi një takim të gjerë me pjesëmarrës nga institucionet kryesore të qeverisjes qendrore, me qëllim prezantimin e elementëve risi në Udhëzimin Standard për Përgatitjen e Programit Buxhetor Afatmesëm për të gjithë njësitë e qeverisjes qendrore.
Gjatë këtij takimi iu kushtua një vëmendje e veçantë rëndësisë që njësitë e qeverisjes qendrore duhet t’i kushtojnë përgatitjes së kërkesave buxhetore afatmesme sa më cilësore dhe përgjegjësisë menaxheriale në këtë proces.


Gjithashtu, u vlerësuan arritjet dhe progresi i bërë deri tani në fushën e buxhetimit të përgjigjshëm gjinor, duke vënë theksin se praktikat e mira të ndjekura në këtë drejtim do të shërbejnë për përfshirjen e suksesshme dhe të ndryshimeve klimatike, si pjesë integrale e ciklit të menaxhimit të financave publike.
Në këtë mënyrë, Programimi Buxhetor Afatmesëm bashkëkohor dhe në linjë me praktikat më të mira ndërkombëtare do të vijojë të jetë një mjet i fuqishëm për forcimin e planifikimit strategjik, rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në të gjitha hallkat e ciklit të menaxhimit të financave publike, si dhe përmbushjen e objektivave kombëtare në adresimin efektiv të çështjeve gjinore dhe ndryshimeve klimatike.