Ministry of Finance

PËR FILLIMIN E PROCEDURËS PËRZGJEDHËSE TË KANDIDATIT PËR ANËTAR BORDI TË AUTORITETIT TË MBIKËQYRJES FINACIARE QË DO TË MBAJË FUNKSIONIN E NËNDREJTORIT EKZEKUTIV

Në mbështetje të neneve 4, 5, 7 të ligjit nr. 9572, datë 3.7.2006 “Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare” të ndryshuar, si dhe në zbatim të paragrafit të katërt të nenit 6 të këtij ligji, njoftojmë nisjen e procedurës me qëllim përzgjedhjen e kandidatit për anëtar bordi të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare që do të mbajë funksionin e Nëndrejtorit Ekzekutiv, i cili sipas procedurës dhe përcaktimeve ligjore do t’i propozohet nga Ministri i Financave, Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, për emërim.
Në përputhje me përcaktimet e parashikuara në nenin 5 të ligjit nr. 9572, datë 3.7.2006 “Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare” të ndryshuar, kandidati duhet të plotësojë kërkesat e mëposhtme:
a) Të jetë shtetas shqiptar;
b) Të ketë kryer arsimin e lartë ekonomik, juridik ose të lidhur me shkencën e aktuarëve.
c) Të ketë përvojë pune 7-vjeçare, nga e cila të paktën 5 vjet në njerën nga këto fusha ose disa prej tyre të marra sëbashku:
– Financë-kontabilitet;
– Administrim i shoqërive tregtare;
– Këshillim ligjor i shoqërive tregtare;
– Hartim legjislacioni;
– Shkencë e aktuarëve;
– Sigurime shoqërore dhe pensione.
ç) Të ketë integritet moral dhe profesional.
d) Të jetë i paangazhuar në funksione drejtuese partiake.
e) Të mos jetë i dënuar penalisht, me vendim gjykate të formës së prerë.
f) Të jetë në përmbushje të kërkesave dhe dispozitave ligjore për konfliktin e interesave.

Përbën avantazh për kandidatin përmbushja edhe e kritereve të tjera plotësuese, si:
a) Studime të avancuara në fushën e financave, të administrimit të biznesit dhe drejtësisë (master ose doktoraturë);
b) Përvojë pune në sektorin financiar/autoritete rregullatore;
c) Përvojë drejtimi në nivele të larta;
d) Aftësi të shkëlqyera në të folur dhe në të shkruar të gjuhës angleze.

Nuk mund të jetë në këtë funksion, kandidati, i cili:
a) Në tre vitet e fundit ka qenë ortak, aksionar, apo anëtar i organeve drejtuese të subjekteve të mbikëqyrura;
b) Ka lidhje familjare me personat e sipërcituar;
c) Në tre vitet e fundit ka qenë punonjës me kohë të pjesshme apo të plotë në subjektet e mbikëqyrura.

Kandidati duhet të dorëzojë në Ministrinë e Financave (Sektori i Arkiv-Protokollit), drejtuar Ministrit të Financave, këto dokumenta:
a) Kërkesë për aplikim;
b) Kopje e kartës së identitetit;
c) Dokument që të provojë vjetësinë në punë në një nga fushat e kërkuara;
d) Jetëshkrim (Curriculum Vitae-CV);
e) Deklaratë personale për mos angazhim në funksione drejtuese partiake;
f) Dëshmi penaliteti dhe vërtetim që nuk ndodhet në ndjekje penale;
g) Deklaratë për përmbushjen e kërkesave dhe dispozitave ligjore për konfliktin e interesave;
h) Çdo dokument tjetër të nevojshëm në funksion të përmbushjes së kërkesave të përcaktuara në pikën 3.

Afati i dorëzimit të aplikimit dhe dokumenteve është deri më datë 27.05.2024, ora 14:00.