Ministry of Finance

Nën drejtimin e Drejtoreshës së Përgjithshme të Buxhetit në Ministrinë e Financave, znj. Mimoza Dhëmbi, dhe Zv.Ambasadorit të Zvicrës në Tiranë, z. Philipp Arnold, u zhvillua takimi për Shpenzimet Publike dhe Përgjegjësinë Financiare (PEFA) në nivel vendor.
Ky takim u organizua nga ekspertët që do të bëjnë vlerësimin PEFA në nivel vendor, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të bashkive të përzgjedhura për këtë vlerësim: Tiranë, Fier, Kuçovë, Berat dhe Tropojë, si dhe përfaqësuesve nga Ministria e Financave. Pjesëmarrësit u informuan mbi metodologjinë dhe indikatorët që do të përdoren në këtë vlerësim.
Diskutimet u fokusuan mbi Vlerësimet e Shpenzimeve Publike dhe Llogaridhënies Financiare në nivel vendor (PEFA), një temë që është kyçe për mirëqeverisjen dhe përmirësimin e shërbimeve publike në Shqipëri, ndërsa u theksua fakti se këto vlerësime nuk janë thjesht një proces teknik, por një gur themeli për përparimin e decentralizimit dhe reformave financiare në vendin tonë.

Qëllimi kryesor i këtyre vlerësimeve është të sigurohet një pasqyrë e saktë mbi pikat e forta dhe të dobëta të menaxhimit financiar publik në pesë bashki të përzgjedhura. Ky vlerësim bazohet në metodologjinë PEFA dhe është një vazhdimësi e fazës së parë ku këto bashki morën pjesë në periudhën 2016-2017. Tani, me fillimin e Fazës II në janar të këtij viti, do të bëhet një përditësim i vlerësimit të mëparshëm.
Përmes këtij procesi do të bëhet e mundur që të ketë një vlerësim të përditësuar të kapaciteteve të bashkive në menaxhimin e financave publike; të matet progresi i bashkive që nga vlerësimet fillestare të vitit 2017; si dhe të sigurohen të dhënat të vlefshme që do të ndihmojnë në zbatimin e strategjive për Fazën II, në dialogun e politikave mes qeverisë dhe autoriteteve lokale, si dhe për përmirësimin e sistemit të financimit për shërbimet vendore.
Në këtë kontekst, vlerësimet PEFA janë një mundësi për të vlerësuar performancën financiare dhe administrative të bashkive dhe për të parë progresin e bërë në përmirësimin e shërbimeve publike. Ato do të ndihmojnë gjithashtu në krijimin e një baze analitike për mbështetjen e reformave të mëtejshme në menaxhimin financiar në nivel vendor.
Një aspekt i rëndësishëm i këtij vlerësimi është përdorimi i modulit të ri për ofrimin e shërbimeve, i cili do të shqyrtojë shërbimet specifike si arsimi parashkollor dhe menaxhimi i mbetjeve të ngurta, dy sektorë ku qeverisja vendore luan një rol kyç. Aplikimi i këtij moduli do të sigurojë një pasqyrë të ndërveprimit midis sistemeve PFM dhe ofrimit të shërbimeve në nivel lokal
Vlerësimet e PEFA do të jenë një instrument i fuqishëm për të identifikuar reformat e nevojshme dhe për të siguruar që qeverisja vendore të ketë kapacitetin e nevojshëm për të përmbushur pritshmëritë e qytetarëve Shqiptarë. Ky proces do të përforcojë transparencën dhe përgjegjshmërinë në menaxhimin e burimeve publike në Shqipëri, si dhe do të krijojë themelet për një zhvillim të qëndrueshëm dhe të integruar në Evropë.