Ministry of Finance

Kuvendi miratoi projektligjin “Për kontabilitetin në sektorin publik”, i cili shënon një hap të rëndësishëm në reformimin e financave publike dhe modernizimin e sistemit të raportimit financiar.
Ligji i ri krijon një kuadër ligjor të unifikuar për kontabilitetin dhe raportimin financiar në institucionet publike, duke përcaktuar rregulla dhe përgjegjësi të qarta, si dhe duke mundësuar kalimin gradual drejt kontabilitetit mbi bazën e të drejtave dhe detyrimeve të konstatuara, në përputhje me parimet e Standardeve Ndërkombëtare të Kontabilitetit të Sektorit Publik.
Përmes këtij ligji synohet të sigurohet një pasqyrë më e plotë dhe më e besueshme e gjendjes financiare të institucioneve publike, të forcohet transparenca, llogaridhënia dhe kontrolli financiar, si dhe të mundësohet një përdorim më efikas i fondeve publike.
Në kuadër të procesit të shqyrtimit parlamentar, projektligji ishte prezantuar më herët në komisionet parlamentare nga zëvendësministri i Financave, Andi Memeti, i cili evidentoi risitë e ligjit dhe nevojën për krijimin e një kuadri ligjor të qëndrueshëm dhe bashkëkohor për kontabilitetin publik.
Kjo reformë është pjesë e Strategjisë së Menaxhimit të Financave Publike 2023–2030 dhe e angazhimeve të Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit evropian, duke kontribuar drejtpërdrejt në përmbushjen e piketave të Kapitullit 22, “Politikat Rajonale dhe Koordinimi i Instrumenteve Strukturore”.