Ministry of Finance

Kuvendi i Shqipërisë miratoi në seancë plenare Aktin Normativ nr. 5 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 97/2023 “Për buxhetin e vitit 2024”, i ndryshuar, i cili fillimisht u paraqit para deputetëve nga Ministri i Financave, z. Petrit Malaj.
Në fjalën e tij, Ministri Malaj u shpreh se përmes Aktit Normativ synohet ruajtja e pandryshuar e nivelit të planifikuar të deficitit buxhetor, ruajtja e pandryshuar e nivelit të të ardhurave të përgjithshme dhe rishpërndarja e rreth 50 miliardë lekëve, mes zërave të shpenzimeve buxhetore, korente e kapitale, me synim realizimin sa më të plotë të shpenzimeve publike për vitin 2024.
Ministri theksoi faktin se ndryshimet e propozuara do të vijojnë të sigurojnë stabilitetin e parametrave kyç makrofiskalë e buxhetorë, ndërsa do të vijojë garantimi i trajektores rënëse të nivelit të borxhit publik në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto. Sipas vlerësimeve dhe parashikimeve më të fundit, Borxhi Publik pritet të jetë në nivelin prej rreth 13,7 miliardë euro në fund të vitit 2024 ose rreth 55% e PBB në terma relativë.
Fjala e Ministrit të Financave, z. Petrit Malaj:
Akti Normativ, për disa ndryshime në Buxhetin e vitit 2024, që sjellim sot para jush, erdhi si nevojë për të reflektuar disa ndryshime sa i takon të ardhurave dhe shpenzimeve për garantimin dhe finalizimin në terma optimal të vitit buxhetor, me qëllim garantimin e një performance të qëndrueshme makroekonomike, por edhe rritjes së eficiencës në përdorimin e fondeve publike.
Ministria e Financave, në muajt e fundit të vitit që lamë pas pati një angazhim të shtuar sa i takon hartimit të akteve normative dhe Buxhetit 2025.
Në këto dokumente të rëndësishme është reflektuar padyshim qasja e qeverisë për të garantuar një menaxhim sa më të mirë të parasë publike, për të ruajtur fondamentet e ekonomisë, treguesit fiskalë, për të injektuar sa më shumë investime me fokus sektorët prioritarë, rritjen e mbështetjes sociale, por edhe një shpërndarje sa më të drejtë e gjithëpërfshirëse të të ardhurave.
Në këtë konteks vjen edhe ky Akt Normativ që miratuam në qeveri, në fund të Dhjetorit 2024.
Në qendër të hartimit të politikave mbështetëse janë padyshim ato shtresa sociale që kanë më shumë nevojë për vëmendjen tonë, vëmendjen e qeverisë.
Kam dëgjuar shpesh të artikulohet se pas kësaj mbështetjeje “fshihet” fryma elektorale dhe se ne po i ndërmarrim këto hapa për “vota”.
Shifrat dhe faktet tregojnë se sot, ne jemi në kushte të tjera, në kushtet që na dikton një ekonomi e cila po ecën me hapa të sigurt dhe të qëndrueshëm.
Ne, si Ministri e Financave tentojmë të jemi “gardianë” të kësaj sigurie, me qëllimin e vetëm për ruajtjen e parametrave të saj, si dhe duke mundësuar një shpërndarje sa më efektive të të ardhurave.
Me një fond prej 2.2 miliardë lekësh bëmë të mundur ofrimin e një bonusi më të qënësishëm për shtresat më në nevevojë, ndërsa garantuam hapjen e një llogarie speciale në Bankën e Shqipërisë për mbështetjen e pensionistëve me një transfertë fillestare prej rreth 6.3 miliardë lekë.
Është një bonus, që sikundër është deklaruar edhe nga Kryeministri Rama do të nisë të shpërndahet në muajin shkurt dhe që, falë parametrave ekonomikë do të vijojmë ta japim në vazhdimësi për të reflektuar çdo rritje mbi parashikimin, krahas punës që po vijon me partnerë dhe ekspertë ndërkombëtarë, për një reformë të thellë të sistemit të pensioneve.
Nga ana tjetër, në vijim edhe të progresit ndër vite, ky rishikim i buxhetit 2024 pati si synim materializimin edhe rialokimin e shpenzimeve buxhetore drejt atyre me ecuri më të lartë, duke realizuar në masë të konsiderueshme pagesën e detyrimeve.
Të nderuar deputetë,
Asnjë nga masat që kemi ndërmarrë, nuk do të ishte e zbatueshme nëse konsolidimi i themeleve ekonomike nuk do të na diktonte të kundërtën.
Dinamikat tregojnë për një zgjerim ekonomik gjithëpërfshirës, të udhëhequr nga sektorë si ai i shërbimeve, turizmit, ndërtimit, por edhe i një baze të shëndetshme të konsumit privat.
Klima e biznesit, e reflektuar në treguesit e besimit ekonomik, vazhdon të jetë mbi nivele mesatare historike.
Një tregues i rëndësishëm për stabilitetin makroekonomik është padyshim niveli i çmimeve. Inflacioni mesatar për 2024 zbriti në 2.2%, me një përmirësim të dukshëm nga 4.8% që ishte në 2023. Kjo dinamikë pozitive është mbështetur edhe nga forcimi i mëtejshëm i lekut, i cili reflekton pikërisht zhvillimet pozitive të ekonomisë sonë në tërësi, dhe në veçanti përmirësimin e fortë të pozicionit të saj të jashtëm.
Sektori i jashtëm i ekonomisë shfaqi një përmirësim thelbësor. Për vitin 2024, deficiti i llogarisë korrente parashikohet të jetë rreth 2.7% e PBB-së, i cili pas nivelit më të ulët historik prej 1.2% që rezultoi në vitin në 2023, sërish është qartazi më i ulët sesa niveli tipik mesatar që ka qenë në pesë vitet e fundit (2018-2022) prej rreth 7% e PBB-së. Ndërsa mesatarja e vendeve të Ballkanit Perëndimor për të njëjntën periudhë ka rezultuar në rreth 6.5% e PBB-së.
Investimet e Huaja Direkte u rritën me 8.1% në gjysmën e parë të 2024 dhe po ashtu edhe në tremujorin e tretë, duke arritur në mbi 1 miliard euro, në total si 9-mujor. Pozicioni ynë valutor është forcuar ndjeshëm dhe rezervat arrijnë në mbi 6 miliardë euro.
Tregu i punës gjithashtu pati një ecuri pozitive. Në fund të 2023, norma e papunësisë zbriti në nivelin më të ulët historik prej 10.7%. Pjesëmarrja në forcat e punës arriti në 75.1%, ndërsa shkalla e punësimit u rrit në 66.7%. Janë të dhëna që tregojnë se reformat që po ndërmarrim po japin rezultate konkrete në krijimin e një tregu të favorshëm pune.
Sa i takon performancës fiskale ajo konfirmon efektivitetin e politikave të ndërmarra. Të ardhurat buxhetore, për vitin 2024, sipas të dhënave paraprake janë realizuar në masën 99.4% të planit vjetor, me një rritje prej 10.2%, në krahasim me vitin 2023.
Sipas parashikimeve tona më të fundit, Borxhi Publik pritet të ulet në rreth 55% të PBB-së për vitin 2024, niveli më i ulët që nga 2008-a. Padyshim cilësia e menaxhimit të borxhit është përmirësuar ndjeshëm dhe pjesa e borxhit në valutë të huaj është ulur nën 45%, ndërsa mbi 80% e portofolit total është me norma fikse interesi.
Çfarë parashikojmë në vazhdimësi?
Të gjithë parametrat flasin për një skenar optimist, si për vitin 2024, ashtu edhe për periudhën afatmesme.
Ne parashikojmë një rritje ekonomike rreth 4%.
Shkalla e papunësinë do vijojë të ulet më tej, sipas parashikimit tonë për të arritur për herë të parë në një nivel një shifror, pra nën 10%, në terma afatmesëm.
Angazhimi ynë për konsolidim fiskal mbetet i palëkundur, me objektiv uljen graduale të borxhit publik. Në të njëjtën kohë ne synojmë mbajtjen në një nivel relativisht të lartë të investimeve në sektorët strategjikë, si: arsim, shëndetësi, infrastrukturë, bujqësi, si prioritete kyçe për zhvillimin afatgjatë të vendit.
Një arritje tejet e rëndësishme, që më duhet ta ritheksoj ka të bëjë me faktin se ecuria pozitive e ekonomisë sonë dhe menaxhimi i financave publike në veçanti, ka rritur besimin te komuniteti financiar ndërkombëtar. Në mënyrë të merituar, prespektiva e ekonomisë shqiptare u vlerësuar pozitivisht nga dy agjencitë ndërkombëtare prestigjoze, ‘Moody’s’ dhe ‘Standard & Poor’s.
Edhe në raportin më të fundit, në kuadër të Artikullit IV, të publikuar vetëm pak ditë më parë, nga Bordi Ekzekutiv i FMN-së, nënvizohet se :
“ Ekonomia shqiptare ka performuar fuqimisht gjatë viteve të fundit, mbështetur nga politika makroekonomike të kujdesshme. Rritmet e rritjes konsiderohen të larta, në krahasim me periudhën para pandemisë dhe kjo falë një performance shumë të mirë të sektorit të turizmit, i cili është në lulëzim.
Politikat e kujdesshme fiskale kanë kontribuar në një ulje të jashtëzakonshme të borxhit publik, i cili për vitin 2024 pritet të të jetë në rreth 56% të PBB-së dhe të ulët në rreth 50% në terma afatmesëm, deri më në vitin 2029”.
Të nderuar deputetë,
Thënë sa më sipër, duke konfirmuar parashikimet optimiste të ekonomisë edhe për vitin 2025, me lejoni t’ju njoh në vijmësi me atë çfarë parashikon Akti Normativ që sjellimin sot për miratim, pas diskutimeve që ndërmorrëm edhe në komisionet parlamentare:
Përmes zbatimit të këtij Akti, ne synojmë:
• Ruajtjen të pandryshuar të nivelit të planifikuar të deficitit buxhetor.
• Ruajtjen të pandryshuar të nivelit të të ardhurave të përgjithshme.
• Rishpërndarjen e rreth 50 miliardë lekë mes zërave të shpenzimeve buxhetore, korente e kapitale , me synimin e realizimit sa më të plotë të shpenzimeve publike për vitin 2024.
Propozimet sa i takon zërave të shpenzimeve buxhetore, konsistojnë në rishpërndarjen e shpenzimeve të përgjithshme, me një efekt neutral në buxhet, kjo pasi mbulohet tërësisht nga fondet e lira të rezultuara pas vlerësimit të realizimit të shpenzimeve të institucioneve buxhetore në nivel 11-mujor. Si rrjedhim, të gjitha ndryshimet që propozohen mbështeten në tregues realë dhe projeksione të pritshme, që garantojnë zbatueshmërinë.
Sa i takon Shpenzimeve Publike, ndryshimet konsistojnë kryesisht në:
• Mbështetjen financiare me 15,000 lekë të disa nga kategoritë më vulnerabël, pra familjet që trajtohen me Ndihmë Ekonomike dhe Personat me Aftësi të Kufizuar, me një efekt financiar prej 2.2 miliardë lekë, për më shumë se 147 mijë përfitues.
• Krijimin e Llogarisë së Mbështetjes për Pensionistët në Bankën e Shqipërisë, në të cilën transferohen rreth 6.3 miliardë lekë, me qëllim sigurimin e zbatimit të politikës së mbështetjes së pensioneve për vitin 2025 ( Bonusi i Pranverës).
• Shtimin e fondeve në masën 1.6 miliardë lekë për Ministrinë e Brendshme, me qëllim mbulimin e shpenzimeve të Policisë së Shtetit për kompensimin ushqimor, orë jashtë sorarit/dieta/karburant, në kuadër të sezonit intensiv turistik, krahas shlyerjes së detyrimeve nga vendimet gjyqësore.
• Financimin shtesë për Skemën e Fermerëve në masën 1.4 miliradë lekë, për akomodimin e të gjithë kërkesave të aplikantëve, që plotësojnë kriteret e përfitimit për subvencionim.
• Shtesën e fondeve për AKSHI-n në masën 2.6 miliardë lekë, me qëllim shlyerjen e detyrimeve në kuadër të kontratave për mirëmbajtjen e sistemeve IT të Qeverisë dhe pagesës së shërbimit nga Microsoft.
• Shtesën e fondeve në masën 1.1 miliardë lekë për Ministrinë e Mbrojtjes, me qëllim mbulimin e detyrimeve financiare ndaj NATO-s dhe misioneve ushtarake jashtë vendit.
• Shtesën e fondeve në masën 1.3 miliardë lekë për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë për financimin e detyrimeve të kontratave të mirëmbajtjes rrugore, krahas vendimeve gjyqësore të shpronësimeve.
• Financimin shtesë prej 300 milionë lekë për aktivitete sportive, nga të cilat :
100 milionë lekë, për organizimin e tre tureve të para të ‘Giro d’Italia’ në Republikën e Shqipërisë;
200 milionë lekë për vijimin e financimit të projektit të KOKSH-it “Ekipet Sportive në Shkolla” dhe aktivitete në kuadër të ndërkombëtarizimit të sporteve.
• Akomodimin e pjesës së mbetur në masën rreth 520 milionë lekë, me qëllim pagesën e diferencës së pagës së magjistratëve në zbatim të Vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr.35 datë 22.11.2022.
• Akordimin e një fondi në masën 2 miliardë lekë për shoqërinë AlbControl sh.a, në formën e huadhënies përmes Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, me qëllim garantimin e veprimtarisë normale të këtij institucioni me rëndësi të veçantë.
• Financimin shtesë në masën rreth 1.57 miliardë lekë për Agjencinë Kombëtare të Kadastrës, me qëllim financimin e dy projekteve : “Digjitalizimi i të dhënave kadastrale të pasurive të paluajtshme” dhe “Regjistrimi fillestar i zonave kadastrale”.
Në lidhje me Shpenzimet Kapitale, në terma të akomodimeve përmes këtij Akti Normativ, ato konsistojnë kryesisht në:
• Financimin shtesë (neto) për MIE në masën rreth 3.6 miliardë lekë, me qëllim përballimin e nevojave për projektet me financim të brendshëm të cilat kanë patur ecuri të mirë fizike gjatë vitit 2024, kryesisht projektet e Unazës së Madhe të Tiranës, Lotet e Rrugës Elbasan – Qafë Thanë, etj.
• Financimin shtesë në masën 240 milionë lekë për MEPJ, me qëllim blerjen e godinës së Ambasadës së RSH në Bruksel.
Edhe në mbështetje të Financave Vendore, në këtë akt normativ propozohet:
• Rritja me 2.2 miliardë lekë e të ardhurave të NJVQV, bazuar në performancën pozitive të mbledhjes së të ardhurave përgjatë muajve janar – dhjetor 2024. Plani vjetor i rishikuar i të ardhurave tatimore të pushtetit vendor është propozuar në shumën 39.3 miliardë lekë nga 37.1 miliardë lekë i miratuar me Aktin Normativ të muajit gusht 2024.
• Rritja me rreth 1.6 miliardë lekë e transfertës buxhetore të Pushtetit Vendor, me qëllim mbështetjen e bashkive për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura dhe për të përmirësuar ofrimin e shërbimeve publike ndaj qytetarëve, nga të cilat:
1.43 miliardë lekë shtohen si transfertë e pakushtëzuar e përgjithshme, niveli i së cilës rritet në 1.1% të PBB (nga 1% e PBB që është detyrim ligjor sipas Ligjit nr.68/2017 “Për financat e vetëqeverisjes vendore, i ndryshuar”).
Kjo transfertë, e cila shton edhe 7.7% më shumë fonde për çdo bashki (përveç Bashkisë Tiranë) mbi transfertën e pakushtëzuar fillestare të vitit 2024 do të përdoret për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, duke i dhënë përparësi detyrimit më të vjetër të papaguar. Në këtë mbështetje buxhetore nuk është përfshirë bashkia Tiranë për arsye se, kjo bashki ka potenciale të mëdha fiskale për të gjeneruar të ardhura nga taksat dhe tarifat vendore.
Ndërsa, 173.4 milionë lekë shtohen si transfertë e pakushtëzuar sektoriale, për të mbështetur disa bashki në financimin për rivitalizimin e tregjeve tradicionale me qëllim nxitjen e fermerëve për rritjen e prodhimit bujqësor. Konkretisht do të financohen me rreth 30 milionë lekë secila tregjet në 6 bashki: Vlorë, Durrës, Pukë, Divjakë, Gjirokastër dhe Shkodër.
Sa i takon deficitit dhe borxhit, më lejoni t’ju bëj me dije se :
Deficiti buxhetor mbetet i njëjtë sipas atij të miratuar me anë të AN nr.3 datë 28.8.2024 edhe pas ndryshimeve të mësipërme në të ardhurat dhe shpenzimet.
Borxhi publik për buxhetin 2024, rishikohet duke reflektuar ndryshimet e mëposhtme:
• Zëri i huave të huaja afatgjatë ulet me rreth 8 miliardë lekë, duke reflektuar ndryshimet e propozuara sa i takon projekteve me financim të huaj kredi.
• Shpenzimet e parashikuara për interesat gjatë vitit 2024, vlerësohen me një kursim prej 4 miliardë lekë, kryesisht si rezultat i efektit të kursit të këmbimit.
Sa i takon pritshmërive, sipas vlerësimeve dhe parashikimeve më të fundit, Borxhi Publik pritet të jetë në nivelin prej rreth 13,7 miliardë euro në fund të vitit 2024 ose rreth 55% e PBB-së në terma relativë. Ky vlerësim i pritshëm reflekton të gjitha statistikat dhe projeksionet më të fundit, të lëvizjeve të huamarrjeve neto të pritshme për këtë vit apo edhe faktorëve të tjerë që ndikojnë në stokun total të borxhit.
Huamarrja e brendshme vijon të mbetet e njëjtë si në planin fillestar të projektbuxhetit në nivelin prej 50 miliardë lekë.
Në terma afatmesëm, niveli i borxhit në raport me PBB do vijojë trajektoren rënëse në përputhje me rregullin respektiv fiskal të përcaktuar në Ligjin Organik të Buxhetit, ku konkretisht gjatë vitit 2024 niveli i borxhit pritet të ulet me rreth 2.5 pikë përqindje (nga 57.5% në 55.2%), gjatë vitit 2025 pritet të ulet me 0.4 pikë përqindje (në 54.8%) dhe gjatë vitit 2026 pritet të ulet me 0.8 pikë përqindje (duke arritur nivelin prej 54%).
Dëshiroj të theksoj edhe një herë se ndryshimet e propozuara në këtë Akt Normativ do të vijojnë të sigurojnë stabilitetin e parametrave kyç makrofiskalë e buxhetorë.
Nga ana tjetër do të vijohet të garantohet trajektorja rënëse e nivelit të borxhit publik në raport me PBB-në, në përputhje me rregullin fiskal respektiv të përcaktuar në Ligjin Organik të Buxhetit, duke siguruar konsolidimin fiskal dhe qëndrueshmërinë afatmesme dhe afatgjatë të financave publike, si dhe stabilitetin makroekonomik.