Ministry of Finance

Ministria e Financave dhe Ekonomisë organizoi sot, datë 26 shtator 2023, në Tiranë, Forumin e Biznesit dhe Ministerialin e Ministrave të Ekonomisë, në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit, i cili parashikohet të mbahet më 16 tetor 2023, në Tiranë.

Forumit i Biznesit me titull “Kalimi në Tregun e Vetëm si potencial për zhvillim për Ballkanin Perëndimor” kishte si synim paraqitjen e arritjeve kryesore dhe hapave drejt integrimit në BE.

Forumit të Biznesit iu drejtua në nisje të punimeve Kryeministri Edi Rama, i cili adresoi në fjalën e tij një sërë çështjesh të rëndësishme dhe këndvështrimesh lidhur me Procesin e Berlinit, bashkëpunimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE, si edhe integrimit europian.

Eventi u bashkëorganizua nga MFE, Forumi i Investimeve të Dhomave të Ballkanit Perëndimor 6 (WB6 CIF), së bashku me Unionin e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë të Shqipërisë.

Ministeriali i titulluar “Tregu i përbashkët rajonal – një hap drejt Tregut Unik të BE” mblodhi së bashku rreth 20 delegacione të nivelit të lartë, Ministrat e Ekonomisë të Procesit të Berlinit, përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, organizatave ndërkombëtare dhe partnerë të tjerë të Procesit të Berlinit, të cilët diskutuan rreth avancimit të tregut të përbashkët rajonal dhe nxitjes së zhvillimin të rritjes ekonomike të rajonit, për ta sjellë atë më afër BE-së.

Ministeriali diskutoi dhe reflektoi mbi arritjet, prioritetet dhe sfidat kryesore në zbatimin e këtij planit të Tregut të Përbashkët Rajonal dhe avancimin e agjendës së integrimit rajonal nëpërmjet mbështetjes në kuadër të Procesit të Berlinit, si një instrument shumë i rëndësishëm për përshpejtimin e konvergjencës ekonomike të rajonit me Bashkimin Europian. Pjesëmarrësit e nivelit të lartë diskutuan mbi lehtësimin e tregtisë dhe reduktimin e barrierave, integrimin e tregjeve, rritjen e bashkëpunimit rajonal, integrimin e sistemeve të pagesave të rajonit dhe përgatitjen ekonomike të Ballkanit Perëndimor për një integrim eventual në Eurozonë.

Po ashtu, diskutimet u përqendruan edhe në integrimin e përshpejtuar dhe qasjen e hershme në Tregun e Vetëm të BE-së. Në këtë kuadër, u diskutua lidhur me sfidat kryesore për përmirësimin e konvergjencës ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE, në mënyrë që të përcaktohet orientimi politik dhe hapat konkretë, në kuadër të Procesit të Berlinit, sa i takon mbështetjes për qasjen e hershme në Tregun Unik të BE-së nga ekonomitë e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Procesi i Berlinit është një iniciativë që synon rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe dhënien e ndihmës për integrimin e vendeve të këtij rajoni në Bashkimin Evropian. Ai u prezantua në 28 gusht 2014 nga Kancelarja Gjermane Angela Merkel. Procesi i Berlinit po zhvillohet me mbështetjen e Komisionit Evropian, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe shteteve anëtare të përfshira në Proces – Gjermani, Francë, Austri, Kroaci, Itali, Slloveni dhe Mbretëria e Bashkuar, së bashku me vendet e Ballkanit Perëndimor.