Ministry of Finance

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, zhvilloi një takim me misionin e asistencës teknike të Fondit Monetar Ndërkombëtar me temë “Ndarja e të ardhurave tatimore dhe fiskale ndërmjet qeverisë qendrore dhe njësive të vetëqeverisjes vendore”,  i cili zhvilloi një vizitë pune në Tiranë gjatë periudhës 10-22 qershor 2026. Vizita kishte në fokus analizën e sistemit të financave vendore, sistemin e taksave vendore dhe ndarjen e të ardhurave tatimore mes qeverisë qendrore dhe njësive të vetëqeverisjes vendore.
Gjatë takimit u diskutuan gjetjet paraprake dhe çështjet kryesore që lidhen me forcimin e qëndrueshmërisë së financave vendore, rritjen e kapaciteteve fiskale të bashkive dhe përmirësimin e autonomisë së tyre financiare. Vëmendje e veçantë iu kushtua reformës së taksës së pronës, me synim shndërrimin e saj në burimin kryesor të të ardhurave të njësive të vetëqeverisjes vendore, e cila kërkon vënien në funksion të kadastraës fiskale dhe kalimin nga sistemi aktual i vlerësimit mbi bazën e çmimeve të referencës në një sistem të bazuar në vlerën e tregut të pronës, çka dhe pritet të rrisë ndjeshëm kapacitetin fiskal të bashkive.
Ministri Malaj vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të FMN-së në hartimin dhe zbatimin e reformave në fushën e financave publike, duke theksuar se rekomandimet e ekspertëve ndërkombëtarë do të shërbejnë si një bazë e rëndësishme për përmirësimin e kuadrit të financave vendore dhe forcimin e kapaciteteve të qeverisjes vendore në vend. Palët riafirmuan angazhimin për vijimin e bashkëpunimit në funksion të avancimit të reformave që kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm financiar dhe ekonomik të vendit.