Ministry of Finance

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, prezantoi sot në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike Aktin Normativ nr. 11, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.115/2024 “Për buxhetin e vitit 2025, i ndryshuar”. Gjatë fjalës së tij, Ministri u shpreh se Akti u hartua si një domosdoshmëri për reflektuar disa ndryshime të nevojshme në Buxhetin 2025, duke përmbushur kriteret kushtetuese.
Përmes Aktit u adresuan në mënyrë të menjëhershme:

  • Transferimi i fondeve të papërdorura gjatë vitit 2025, nga ministritë apo institucionet buxhetore, në llogarinë e mbështetjes së pensionistëve pranë Bankës së Shqipërisë;
  • Mbështetja e shtresave në nevojë, si familjet me ndihmë ekonomike dhe personat me aftësi të kufizuar;
  • Rialokimi i kursimeve të evidentuara gjatë periudhës janar-nëntor 2025 drejt programeve me performancë më të lartë;
  • Shpërndarja e brendshme e fondeve me efekt neutral në deficitin buxhetor, në funksion të rritjes së efikasitetit dhe përmirësimit të zbatimit të projekteve.


Në fjalën e tij, z. Malaj bëri një përmbledhje të shkurtër të treguesve kryesorë makroekonomikë dhe fiskalë, analiza e të cilëve përbën dhe bazën për hartimin e ndryshimeve të propozuara në AN.
Ministri z. Malaj theksoi treguesit makroekonomikë dhe fiskalë dëshmojnë stabilitet të qëndrueshëm të financave publike, ku Produkti i Brendshëm Bruto u rrit me rreth 3.7 % gjatë periudhës 9 mujore të vitit 2025, duke u mbështetur kryesisht nga kërkesa e brendshme, konsumi dhe investimet. Rritja ekonomike për vitin 2025, tha Ministri, parashikohet të jetë në nivelin 3.9%, ndërsa borxhi publik pritet të zbresë nën 54% të PBB-së, niveli më i ulët që nga viti 2010.
Ministri informoi se, sipas të dhënave paraprake të vitit 2025, të ardhurat nga Tatimet dhe Doganat janë realizuar në vlerën 496 miliardë lekë, rreth 39 miliardë lekë më shumë se viti 2024.
“Në total, të ardhurat nga tatimet, doganat dhe nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, sipas të dhënave paraprake, janë në vlerën 668 miliardë lekë, rreth 55.8 miliardë lekë më shumë të ardhura të arkëtuara krahasuar me vitin 2024. Pra, janë rreth 560 milionë euro më shumë të ardhura të arkëtuara në krahasim me vitin 2024, me një realizim në masën 99.6 % të planit vjetor”, u shpreh z. Malaj.
Më tej, Ministri i Financave theksoi se përmes Aktit Normativ synohet mbajtja e pa ndryshuar e totalit të të ardhurave buxhetore; rishpërndarja e rreth 30 miliardë lekë të kursimeve të evidentuara, për realizimin sa më të plotë të shpenzimeve publike në nivel vjetor; si dhe ruajtja e pandryshuar e deficitit buxhetor për vitin 2025, në nivelin e planifikuar prej 61.6 miliardë lekë.
Ndër masat më kryesore të Aktit janë:

  • bonusi i fundvitit në masën prej 15,000 lekësh për 148,500 përfitues nga kategoritë vulnerabël, me një efekt total për buxhetin e shtetit në masën 2.23 miliardë lekë;
  • financimi shtesë për fermerët në vlerën 2 miliardë lekë;
  • alokimi i 1.2 miliardë lekëve për bashkitë, për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura;
  • alokimi i 1.76 miliardë lekëve për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për mbulimin e nevojave për furnizimin me medikamente;
  • alokimi i 1.3 miliardë lekëve për Ministrinë e Brendshme, me qëllim mbulimin e shpenzimeve të Policisë së Shtetit për kompensimin ushqimor, orët jashtë orarit, etj.

Në përfundim, Ministri i Financave theksoi se Akti Normativ përfaqëson një akt përgjegjshmërie politike dhe qeverisëse, që garanton mbylljen optimale të vitit buxhetor 2025, vijimësinë e konsolidimit fiskal dhe stabilitetin makroekonomik të vendit, duke ruajtur njëkohësisht ndjeshmërinë sociale dhe respektimin e plotë të kuadrit ligjor.